Ndërlidhjet

TA SHESIM KOSOVËN


WALL STREET JOURNAL

Në Ballkan duhet ringjallur frymën e shitjes së Luizianës. Tani është rasti i vërtetë për të shqyrtuar modele të reja për zgjidhjen e konflikteve të vazhdueshme territoriale.
Qeveria e Beogradit dhe autoritetet e Kosovës dje i zhvilluan bisedimet e para të drejtpërdrejta prej luftës së vitit 1999, që ishin kufizuar në bashkëpunimin ekonomik dhe humanitar. Por, të dy palët nuk mundën t'u shmangen fjalëve të ashpra rreth çështjes kryesore në mendjen e tyre: ardhmërisë së Kosovës.
Por, jo vetëm serbët dhe shqiptarët janë thellë të ndarë rreth asaj se çfarë duhet të ndodhë me Kosovën. Fuqitë e perëndimit duket sikur e favorizojnë pavarësinë, ndoshta pas ndonjë referendumi me një rezultat të tillë, por Rusia dhe qeveritë e rajonit këtë e kundërshtojnë.
Pavarësia e Kosovës ndoshta do ta sfidojë frymën e Aktit Final të Helsinkit, që thotë se kufijtë nuk mund të ndryshohen me dhunë. Por zgjidhja që u zbatua me shitjen e shtetit Luiziana, ndoshta do t'i zgjidhë telashet e brendshme të Serbisë, shqetësimet e Ballkanit, si dhe statusin final të Kosovës. Bartja e përhershme e sovranitetit të territorit për një kompenzim të caktuar është ide e vjetër, por shumë pak e përdorur në ditët e sotme.
Për shembull, gjatë historisë, Shtetet e Bashkuara kanë blerë territore sovrane nga të tjerët. E blenë Luizianën, Gadsden Pass-in nga Meksikoja, Alaskën nga Rusia dhe ujdhesat Virgjine nga Danimarka. Tërë këto u shitën sepse mbajtja e tyre kushtonte shumë dhe kishin vlera të papërfillshme ekonomike për sovranët e mëparshëm.
Kosova gjithashtu ka pak vlerë ekonomike apo sigurie për Beogradin. Në fakt, ekonomikisht e prapambetur, Kosova mund t'i kushtojë shumë shtetit serb në të ardhmen. Disa në Beograd, si Grupi G-17, besojnë se në një afat më të gjatë, shpenzimet për zhvillimin e Kosovës do t'i vonojnë shpresat e Serbisë për integrime në Bashkimin Evropian. Ata kërkojnë që Serbia të heqë dorë nga Kosova, përveç pjesëve veriore të banuara me serbë.
Kjo është një mundësi për kosovarët. Ata duhet të shohin se në ç'mënyrë në Beograd mund të fitojnë mbështetje për të fituar pavarësinë e shpejtë. Duhet t'i ofrojnë një kompenzim Beogradit që të heqë dorë nga pretendimet për sovranitetin. Bashkë me ofertën, ata duhet ta bindin Perëndimin se, si një entitet i pavarur, janë të aftë ta qeverisin Kosovën sipas standardeve evropiane.
Çmimi nuk do të ishte aq i lartë sa mund të duket. Me gjasë do të sillej prej 50 milonë deri 1 miliardë euro. Shifra minimale është vlerësimi për tokën në Kosovë, ndërsa maksimumi janë paratë, që kosovarët do të mund t'i ndanin për ta blerë vendin: 500 euro për kokë banori.
Kjo do të ishte një përgjigje moderne e tregut për çështjen komplekse të Kosovës, të cilën Perëndimi gjithashtu duhet ta mbështesë. Nisur nga historia e Kosovës, Beogradi atë nuk mund ta qeverisë, dhe as që do të mundet një kohë të gjatë. Por Perëndimi thjesht nuk mund ta injorojë idenë, sepse edhe vetë do të ketë shpenzime të mëdha duke e menaxhuar Kosovën vite me radhë.
Shitja e Kosovës shumë më mirë do ta zbuste opinionin e Serbisë, se sa premtimet e Richard Holbrooke-ut për hyrje në Bashkimin Evropian. Derisa bashkësia ndërkombëtare i hedh poshtë ndryshimet e territoreve me dhunë, ajo i pranon ndryshimet me negociata. Histori ka treguar se paratë për territoret kanë sjellë paqe dhe prosperitet. Është koha që ky model të ringjallet, dhe atë të fillojë në Ballkan.
XS
SM
MD
LG