Ndërlidhjet

47 PACIENTËT ENDE PRESIN


Bekim Bislimi

Që nga përfundimi i konfliktit të armatosur në Kosovë, Komiteti Ndërkombëtar i Kryqit të Kuq është e vetmja urë lidhëse, e cila ka mbajtur dhe mban kontaktet e komunikimit mes 47 pacientëve shqiptarë që gjenden në spitalin psikiatrik në Toponicë të Epërme të Nishit dhe familjarëve të tyre në Kosovë.
Idriz Gashi, drejtues i Departamentit për Komunikim në Komitetin Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq në Prishtinë, thotë se kjo organizatë disa herë ka vizituar spitalin psikiatrik në Toponicë të Epërme dhe në kuadër të “Bashkimit familjar”, që është program i kësaj organizate, ka këmbyer mesazhet mes pacientëve dhe familjarëve të tyre. Kjo organizatë deri më tani ka organizuar edhe transferimin e disa pacientëve shqiptarë nga spitali i Toponicës së Epërme për në Kosovë, si dhe vizitat e familjarëve të pacientëve në këtë spital. Mirëpo sipas zotit Gashi, jo të gjithë pacientët kanë pasur mundësinë që të vizitohen nga familjarët e tyre.
“ Mendoj që në çdo familje ekziston ajo nevoja biologjike për të ditur dhe për të parë të afërmin e vet. Fatkeqësisht një numër i caktuar i familjeve nuk ka patur mundësi që t’i realizojë këto vizita. Pengesat e tilla, kryesisht kanë pasur të bëjnë me vështirësitë administrative në dokumentet e udhëtimit. Pra, disa familjarëve u kanë munguar letërnjoftimet, pashaportat, të cilat në raste të tilla ku duhet të kalohet kufiri, kërkohen”, tha zoti Gashi.
Në anën tjetër, psikologu Aliriza Arënliu, zyrtar për shëndetin mendor në Organizatën Botërore të Shëndetësisë në Prishtinë, thekson se parimet e shërbimeve të shëndetit mendor në Kosovë janë të ndryshme nga ato në Serbi dhe se kurimi i pacientëve shqiptarë, të cilët gjenden në Toponicën e Epërme do të ishte më i sukseshëm në Kosovë.
“Parimi i shërbimit të shëndetit mendor në Kosovë është që të ofrojë shërbime në komunitet. Me fjalë të thjeshta, t’i ofrohen shërbimet personit sa më afër shtëpisë së tij dhe sa më afër vendit të tij; pra të mos ketë institucionalizime apo largime të personit nga vendbanimi apo rrethi i tij, siç janë spitalet psikiatrike, të cilat janë zakonisht institucione të konceptuara në mënyrë që një person të izolohet nga një rreth dhe të vendosin në një rreth tjetër. Prandaj dhe trajtimi në shumicën e rasteve nuk është aq i suksesshëm. Në Kosovë po aplikohet një parim i kundërt në bazë të të cilit shërbimi dhe trajtimi i pacientëve do të ofrohen në komunitet dhe sa më afër shtëpisë së tyre”, tha zoti Arënliu.
Dëshira e familjarëve të pacientëve që gjenden në Toponicën e Epërme, që të afërmit e tyre të kthehen në Kosovë, ekziston. Këtë e pohon edhe zoti Gashi, i cili thekson se lidhur me këtë çështje, disa familjarë i janë drejtuar Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.
Zoti Gashi, thotë se kjo organizatë mund të organizojë transferimin e tyre, nëse për këtë ekziston pajtimi i plotë në mes familjes dhe pacientit, por:
“Mendoj që pengesat në realizimin e kësaj dëshire të tyre mund të përmblidhen në kushtet e rënda ekonomike, që këto familje i kanë për momentin, si dhe në mungesën e infrastrukturës së nevojshme në institucionet përkatëse, për një trajtim adekuat të këtyre pacientëve në Kosovë. Mund të konstatoj që, ndoshta për momentin, dëshira e këtyre familjeve mund të mbetet vetëm dëshirë. Në anën tjetër, mendoj që përgjegjësia për krijimin e kësaj infrastrukture rehabilituese mbetet tek institucionet kosovare, në mënyrë që të mundësohet kthimi eventual i këtyre pacientëve dhe trajtimi i tyre në Kosovë”, tha zoti Gashi.
Ndërkaq, zoti Arënliu thotë se kthimi eventual i këtyre pacientëve në Kosovë, do të duhej të bëhej në mënyrë graduale dhe jo akute dhe se akomodimi i të gjithë atyre në një vend të përbashkët nuk ofron mundësi për trajtimin adekuat.
“Besoj se Kosovës i nevojitet ende investim në lëminë e shëndetit mendor, pasi ka qenë një sferë, e cila është lënë totalisht anash nga sistemi paraprak. Posaçërisht kemi nevojë për investime në aspektin e shërbimeve të shëndetit mendor në komunitet, sidomos sa i përket shtëpive të mbrojtura, të cilat do t’ju dedikoheshin këtyre personave; 47 pacientëve që kemi në Nish, por edhe atyre që mund t’i kemi edhe në të ardhmen. Shtëpi, të cilat do të jepnin një trajtim më human, që do të respektonin dinjitetin dhe autonominë e këtyre personave, dhe do të mundësonin trajtimin e tyre afër vendbanimit e jo izolimin nëpër spitale psikiatrike”, tha zoti Arënliu.
Sidoqoftë, zoti Gashi dhe zoti Arënliu kanë shprehur mendimin se në rast se pacientët shqiptarë nga spitali psikiatrik në Toponicë të Epërme kthehen në Kosovë, atëherë për zgjidhjen e problemit të tyre duhet të angazhohen të gjitha institucionet e Kosovës dhe të mos i lihet barra vetëm Ministrisë së Shëndetësisë dhe asaj të Mirëqenies Sociale.





XS
SM
MD
LG