Ndërlidhjet

BISEDIMET E VJENËS- HAP KYÇ NË POLITIKËN STANDARTET PARA STATUSIT


Augustin Palokaj, Bruksel

Në konkluzionet e lëshuara nga Samiti i Bashkimit Evropian që ka përfunduar sot në Bruksel, Ballkanit i janë kushtuar vetëm dy paragrafë dhe ato kanë të bëjnë me Kosovën, çështjen e cila gradualisht po kuptohet si sfida më e madhe e politikës së Bashkimit Evropian me rajonin e Ballkanit.
Kryetarët e kryeministrat e shteteve të BE-së me përfundime të tjera kanë shprehur mbështetje për, siç thanë, fillimin e dialogut në Vjenë, duke e quajtur atë si një hap të rëndësishëm. Dialogu i nisur në Vjenë më 14 tetor në mes të Beogradit dhe Prishtinës shënon hapin kyç në politikën "Standartet para statusit" në suazën e rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së. Nisja e atij dialogu është hap esencial drejt normalizimit në Kosovë dhe ecjen krah standarteve evropiane përmes procesit të Stabilizimit dhe Asociimit, thuhet në konkluzionet e samitit të Bashkimit Evropian.
Liderët e shteteve të BE-së kanë mirëpritur nisjen e dialogut mes Prishtinës dhe Beogradit, por kanë shprehur, siç thuhet në deklaratë, dëshpërim për faktin se disa interlokutorë kyçë vendosën që të mos marrin pjesë në atë takim. Në vazhdim të pjesës së përfundimeve kushtuar Kosovës, nga ky samit thuhet se BE-ja nënvizon rëndësinë e krijimit të grupeve punuese për energji, transport, kthim të refugjatëve dhe çështje të personave të zhdukur dhe u bën ftesë të dyja palëve si Prishtinës ashtu dhe Beogradit, që të bëjnë përgatitjet e nevojshme që në mënyrë konstruktive dhe pa kushtëzime dhe në baza multietnike të kyçen në këtë dialog.
Liderët e Bashkimit Evropian në këtë takim, edhe njëherë i kanë shprehur mbështetje punës së të dërguarit të posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së zotit Harri Holkeri në këtë drejtim. Po ashtu edhe NATO-ja ka dërguar një porosi të qartë. Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Lordi Robertson ka thënë se nisja e dialogut, megjithëse duhet pranuar se ishte e vështirë, është një shenjë e mirë dhe duhet të ndiqet me punë konkrete. Lordi Robertson tha se më i rëndësishëm sesa vetë fillimi është vazhdimi i procesit dhe mbase kjo do të jetë në të mirë të gjithë njerëzve që jetojnë në Kosovë.

XS
SM
MD
LG