Ndërlidhjet

LUSH GJERGJI: NGJARJE HISTORIKE QË TEJKALON DIMENSIONET KISHTARE


Bekim Bislimi

Lumturimi i Nënës Terezë që do të bëhet më 19 të këtij muaji nga Papa Gjon Pali i dytë në Selinë e Shenjtë në Vatikan, paraqet një ngjarje të rëndësishme për gjithë njerëzimin dhe njëkohësisht edhe për shqiptarët, sepse ajo ka dalë nga gjiri i këtij kombi dhe arriti të bashkojë gjithë botën rreth vlerave të gjtihëmbarëshme njerëzore, thotë famullitari Dom Lush Gjergji, njëkohësisht dhe studjues i veprës së Nënës Terezë.
" Kjo është ngjarje vërtet madhore, vërtet historike që i tejkalon dimensionet edhe kishtare, edhe të krishtërimit, sepse do të jetë dhe shënjtorja e parë e mbarë botës, e hinduistëve, e budistëve, e muslimanëve, bile bile edhe atyre që thonë se janë agnostikë apo ateistë, sepse tek figura e Nënës Terezë, kushdo ka gjetur elementin hyjnor apo siç thoshte ajo " Unë jam një rreze e dashurisë së Zotit", thotë Dom Lush Gjergji.
Ndërkaq lidhur me komentet e ndryshme rreth përshpejtimit të procesit të lumturimit të Nënës Terezë, Dom Lush Gjergji thekson se në këtë rast Selia e Shenjtë në Vatikan, ka bërë përjashtim, të cilin e ka bazuar në faktin se kërkesat për shenjtërimin e Nënës Terezë, kanë ardhur nga e gjithë bota dhe se ajo ka qenë misionare e përcaktuar për mbarë njerëzimin.
" Fakti që procesi është përshpejtuar është vetëm një përparësi e madhe, se Nëna Terezë ishte përjashtim në çdo gjë. Përjashtim në rend të parë sepse ishte misionare, jo për t'i kthyer të tjerët në krishtërim, apo për t'i bërë anëtarë të Kishës Katolike, por thjesht për t'i dashur, për t'u shërbyer dhe për t'i ndihmuar. Prandaj dhe është risi. Sa i përket procesit të plotë të Shenjtërimit të saj, mendoj se edhe ai do të shkojë në mënyrë të përshpejtuar, sepse çdo gjë në jetën dhe në veprën e Nënës Terezë ishte e jashtëzakonshme dhe sigurisht do të jetë edhe kjo", thotë Dom Lush Gjergji.
Ai thekson se në Ceremoninë e Lumturimit të Nënës Terezë do të marrë pjesë edhe një delegacion nga Kosova, i cili do të përbëhet nga 40 zyrtarë të institucioneve më të larta të Kosovës, si dhe 170 pelegrinë, në mesin e të cilëve do të jetë dhe ipeshkvi i Kosovës Mark Sopi, përfaqësues të tjerë të Kishës Katolike si dhe qytetarë të shtresave të ndryshme.
"E kemi një konfirmim afër 80 % të delegacionit zyrtar, çka mendoj se na përfaqëson me një mënyrë të denjë, si para Selisë së Shenjtë, ashtu dhe para Shtetit të Vatikanit dhe shtetit italian, pasi shtegtimi ynë do të trajtohet me një mënyrë zyrtare. Në veçanti kemi përfaqësimin e të varfërve, të mjerëve, të cilët ishin në zemrën dhe shpirtin e Nënës Terezë më së tepërmi, kemi përfaqësimin e grave të veja të luftës dhe të fëmijëve bonjakë. Në këtë mënyrë jemi munduar që me këta 210 anëtarë përfaqësues të këtij shtegtimi, të jetë pak a shumë e përfaqësuar e tërë Kosova, e tërë kisha jonë i tërë populli ynë", thotë Dom Lush Gjergji.


XS
SM
MD
LG