Ndërlidhjet

KOLONELI PROMIS PËRGËNJESHTRON SHKAQET E VDEKJES SË NJË SERBI NË FERIZAJ


Rrahman Paçarizi Prishtinë

Zhivorad Velikinaç 65 vjeçar nga Ferizaj nuk ka vdekur nga uria për shkak se nuk ka guxuar të dalë në qytet për të blerë ushqim, pasi banesa e tij ishte e mbushur me gjëra të ndryshme ushqimore. Ai ka refuzuar të hajë, ndërsa motra dhe kunati i tij nga Serbia kishin ardhur në banesën e tij në Ferizaj dhe i bënin presion për t'a shitur shtëpinë dhe për t’ia marrë paratë. Ky është rrëfimi komandantit të batalionit grek të KFOR-it, lejtënant kolonelit Promis, i cili e ka dërguar plakun Velikinaç në spitalin e Mitrovicës në një gjendje të rëndë, e cila përfundoi me vdekje pas 24 orësh.
Në të vërtetë, mjeku serb në spitalin në veri të Mitrovicës, Nebojsha Srblak ka deklaruar se Velikinaç kishte vdekur prej urisë, pasi fqinjët e tij shqiptarë nuk i kishin dërguar më ushqim dhe ai ishte pranuar në spital në gjendje të rëndë:
"Ne menjëherë e kemi shtruar në kujdesin intensiv, pasi nga pacienti kemi marrë informacionin se nuk kishte ngrënë asgjë për 20 ditë me radhë dhe arsye për këtë ishte se për shkaqe sigurie nuk kishte guxuar të dilte për të blerë ushqim," tha mjeku Nebojsha Srbljak, sipas të cilit ai kishte ardhur në spital me një peshë prej 40 kilogramësh dhe të përkujtonte të internuarit në kampin e Aushvicit.
Mirëpo, komandanti i KFOR-it grek në Kosovë, lejtënant koloneli Promis e quan këtë thjesht një propagandë:
"Jo, jo nuk është e vërtetë, pasi kishte mjaft ushqim, kishte gjithçka, por refuzonte të hajë, ndërsa të afërmit e tij nuk e shtynin të hajë dhe artikujt lidhur me këtë rast janë një propagandë," tha për Evropën e Lirë, koloneli Promis, për ta vazhduar rrëfimin e tij për plakun fatkeq, të cilin e kishte vizituar disa herë, bashkë me mjekun e tij personal:
"Motra e tij dhe burri i saj jetuan dhjetë ditë në shtëpinë e tij dhe unë mendoj se ata janë përgjegjës pasi nuk janë kujdesur fare për të," tha komandanti i batalionit grek që është i stacionuar në afërsi të Ferizajt, të cilit të afërmit e të ndjerit i kanë thënë se aq u bën për të, kur i ka lutur të kujdesen për plakun që po vdiste:
"Sipas meje, qëllimi i tyre ka qenë për ta detyruar atë të shesë shtëpinë dhe t’ia marrin paratë," tha Promis, për të shpjeguar më pas se si e ka dërguar plakun e sëmurë, Zhivorad Velikinaç në spitalin e Mitrovicës në një gjendje të rëndë kur presioni i gjakut i kishte rënë në 47:
"Para tre ditësh sërish shkova në shtëpinë e tij bashkë me mjekun tim dhe e pashë atë në kushte të rënda, me një shtypje gjaku që i kishtë rënë në 47 dhe unë i thashë se i duhej të shkonte në spital pasi do të vdiste dhe ai duke mos pranuar të shkojë në Ferizaj apo diku tjetër, kërkoi të shkonte në spitalin e Mitrovicës," tha koloneli Promis, duke shtuar se këtë e kishte bërë personalisht për arsye krejtësisht njerëzore dhe humanitare dhe se i vinte keq për propagandën e krijuar lindur me këtë rast.







XS
SM
MD
LG