Ndërlidhjet

QYTETARËT E KOSOVËS NUK JANË TË LIRË DHE JANË TË PAMBROJTUR JASHTË KOSOVËS


Bekim Bislimi

“Nuk është brengosës fakti se Sërbia ka ngritur aktakuzë kundër meje dhe shumë drejtuesve tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por brengosëse në këtë rast është se si një institucion ndërkombëtar, siç është Interpoli, i përfill kërkesat e Serbisë dhe me këtë rast e njeh legjitimitetin e saj mbi qytetarët e Kosovës”, ka thënë sot shefi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, gjeneral-lejtnant Agim Çeku, i cili pas lirimit nga arresti i djeshëm në Slloveni, sot ka arritur në aeroportin e Prishtinës, ku është pritur nga pjesëtarët e Trupave Mbrojtëse dhe nga një numër i madh i qytetarëve. Arrestimin e tij nga polica sllovene, gjeneral Çeku e ka vlerësuar si të paarsyeshëm, për shkak se, siç tha ai, nuk ka bërë ndonjë shkelje të ligjit slloven dhe as të ligjeve dhe konventave ndërkombëtare. Shefi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës, ka shprehur brengosjen e tij për, siç tha ai, faktin se administrata ndërkombëtare në Kosovë, nuk ka ndërmarrë hapa për t’i delegjitimuar aktakuzat e Serbisë para bashkësisë ndërkombëtare.
“Gjithashtu me brengos se si policia e UNMIK-ut dhe vetë UNMIK-u, të cilët medoemos kanë dhe padyshim se kanë qasje në Interpol, nuk na kanë njoftuar ne të gjithëve dhe nuk na kanë sygjeruar që të mos udhëtojmë, se mund të kemi probleme siç pata unë apo të tjerët dhe nuk ka bërë përpjekje që ato aktakuza t’i deligjitimojë apo t’ia sqarojë bashkësisë ndërkombëtare, se janë të pavlefshme”, tha gjeneral Çeku. Ai theksoi se arrestimi i tij në Slloveni, si dhe arrestimet e mëhershme në vendet e tjera, të personave të rëndësishëm të institucioneve kosovare, paraqesin përvojë të hidhur për qytetarët e Kosovës si dhe për vetë përfaqësuesit e institucioneve të saj.
“Nga kjo ngjarje mund të nxjerrim disa mësime. Në radhë të parë, qytetarët e Kosovës nuk janë të lirë dhe janë të pambrojtur jashtë Kosovës. Drejtuesit e institucioneve të Kosovës, nuk gëzojnë asnjë imunitet në vendet tjera jashtë Kosovës dhe nganjëherë as në Kosovë nga faktori ndërkombëtar. Kështu që një drejtues në Kosovë hyp në aeroplan në Prishtinë si person i rëndësisë së veçantë dhe zbret nga aeroplani si një qytetar i thjeshtë apo nganjëherë trajtohet edhe si i dyshimtë”, tha shefi i Trupave Mbrojtëse të Kosovës dhe shtoi:
“Neve na mungon shteti. E thashë që qytetarët janë të pambrojtur. Mungon shteti dhe ne duhet të marrim vendime të mëdha dhe duhet ta ndërtojmë shtetin sa më shpejt. Kjo u pa qartë atje që, vërtetë kur ma shqiptuan masën se jam i arrestuar, më pyetën: Kujt duhet t’ju drejtohemi? Ambasadës suaj? Qytetarët e Kosovës nuk kanë kujt t’i drejtohen në botë. Nuk kanë adresë, nuk kanë përfaqësi të jashme, nuk kemi ambasada, nuk kemi zyre dhe përfaqësues të jashtëm nga Kosova dhe thjeshtë, kjo do të thotë se nuk jemi të barabartë me qytetarët e tjerë”, tha gjeneral Çeku, i cili më pas është drejtuar për në Shtabin Kryesor të Trupave Mbrojtëse të Kosovës në Prishtinë, ku është takuar me anëtarët e këtij shtabi dhe pjestarët e këtyre trupave.







XS
SM
MD
LG