Ndërlidhjet

SOLANA KËRKON VAZHDIMIN E DIALOGUT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Vizita e ime në Kosovë ka si qëllim kryesor inkurajimin e kosovarëve që t’i përmbushin standardet e vëna nga bashkësia ndërkombëtare, përfshirë këtu në veçanti vazhdimin e dialogut me Beogradin, ka thënë sot në Prishtinë, përfaqësuesi i lartë i BE-së për Siguri dhe politikë të Jashtme, Havier Solana. Ai i bëri këto komente pas takimit me shefin e UNMIK-ut Harri Holkerin, ndërkohë që më pas takoi dhe udhëheqësit vendorë. Solana tha se Bashkimi Evropian ka mbetur i zhgënjyer me prezantimin e kosovarëve në takimin e Vjenës me delegacion jo të kompletuar. Mirëpo, ne në BE tha në vazhdim Solana, besojmë se Prishtina do të marrë pjesë në takimet e grupeve punuese me një delegacion gjithpërfshirës, përfshirë këtu edhe minoritetin serb.
“Ne në Bashkimin Evropian do të dëshironim shumë që dialogu i filluar në Vjenë të vazhdojë”, tha z.Solana, për të shtuar se Kosova mund të llogarisë në ndihmën e Bashkimit Evropian, por kosovarët, tha ai, duhet ta dinë se duhet të luajnë rol konstruktiv. Mesazhet e mia që do t’ia them kryeministrit të Kosovës Bajram Rexhepi, pohoi Solana, janë se ai duhet të bashkëpunojë ngushtë me shefin e UNMIK-ut si dhe t’i marrë përgjegjësitë që i ka në vazhdimin e dialogut me Beogradin. Të jesh pjesë e Evropës, do të thotë të dialogosh me të gjithë, e të dialogosh do të thotë të luash rol konstruktiv, kurse të mos dialogosh do të thotë të mos luash rol konstruktiv, ka thënë Solana.
Ndërkohë, kryetari i Kosovës, Ibrahim Rugova, tha pas takimit me zyrtarin e lartë të BE-së, tha se takimi i Vjenës ishte i sukseshëm dhe u angazhua për vazhdimin e bisedimeve me Beogradin:
“Vlerësuam se takimi i Vjenës ka qenë pozitiv dhe tani duhet të vazhdojmë me grupet punuese që janë të parapara dhe se siç e dini, politika jonë kombëtare është bashkëpunimi me fqinjët tanë, edhe pse natyrisht do të ketë probleme, pra të ndërtojmë marrëdhënie të mira miqësore," tha kryetari Rugova, i cili edhe këtë herë përsëriti qëndrimin e tij, se krahas vazhdimit të ndërtimit të raporteve me fqinjët, Kosova të njihet nga bashkësia ndërkombëtare sa më parë si një shtet i pavarur.
Kryeministri Bajram Rexhepi, i cili shtroi një drekë pune për z.Solana, u angazhua për operacionalizimin e standardeve, përfshirë këtu edhe zhvillimin e dialogut me Beogradin.
“Edhe ne kemi thënë se dialogu është një prej standardeve dhe nuk jemi kundër dialogut, por përgatitjet nuk kanë qenë ato si duhet, dhe kemi ardhur deri te një përfundim i përbashkët, që përmes operacionalizimit të standardeve, që është një proces tani, mund të gjendet forma më optimale që ky proces të ketë skses dhe bashkë edhe me standardet e tjera edhe standardin e dialogut ta përpunojmë bashkarisht dhe ta gjejmë formën më të mirë”, tha kryeministri Rexhepi, i cili besonte se me operacionalizimin e standardeve edhe çështja e dialogut do të kishte sukses. Më pas ai kërkoi nga z.Solana, që të ndikojë që rastet si ai i arrestimit të Agim Çekut në Slloveni me fletarrestet e lëshuara nga Beogradi, të mos përsëriten në të ardhmen. Ndërsa zoti Solana, tha se këto çështje janë punë e Interpolit dhe me rëndësi tha ai, është që raste të tilla të mos implikohen nga politika, por nga organet kompetente.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, vazhdoi më pas takimet edhe me komandantin e KFOR-it, Holger Kamerhoff, kryeparlamentarin Nexhat Daci, si dhe me liderët e partive më të mëdha shqiptare dhe ata të koalicionit “Kthimi”.
Kryeparlamentari Nexhat Daci, në takimin e tij me Shefin e diplomacisë evropiane, u përqëndrua më tepër në ngecjet në Kosovë sa
i përket zhvillimit ekonomik.
“Në qoftëse nuk lëvizje të proceseve pozitive, në të gjitha aspektet zhvillimore, ku kemi ngecje, ne do ta rrezikojmë qetësinë në Kosovë, sepse ka pakënaqësi të mëdha sociale, politike dhe ekonomike, por qëndrimi im është që gjithmonë problemet t’i zgjidhim bashkërisht
me miqtë”, tha Daci.
Ndërsa lideri i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, tha se edhe ai vetë kërkon vazhdimisht nga institucionet e Kosovës të jenë të përgjegjshme dhe të vazhdojnë bashkëpunimin me komunitetin ndërkombëtar. Ramush Haradinaj,kryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës tha se i kishte shprehur z.Solana qëndrimin e tij se kompletimi i qeverisë dhe ridefinimi i raporteve me UNMIK-un,
janë procese të rëndësishme para vazhdimit të dialogut me Beogradin. Ndërkohë, përfaqësuesi i koalicionit “Kthimi” Oliver Ivanoviç, pohoi se komuniteti serb e mbështet dialogun dhe pret hapa konkret nga qeveria e Kosovës për formimin e grupeve punuese.
Gjatë vizitës së sotme në Kosovë, Havier Solana ka thënë po ashtu se ai nuk dëshironte të spekulonte asgjë lidhur me statusin e ardhshëm të Kosovës, dhe pohoi se me plotësimin e standardeve, do të vijë koha
kur edhe çështja e statusit do të jetë në rend dite.




XS
SM
MD
LG