Ndërlidhjet

GJAKOVË: PËRDITSHMËRIA E VËSHTIRË E KATËR GRAVE TË MOSHUARA


Nadie Ahmeti, Prishtinë

Që nga qershori i vitit 1999, Në kishën ortodokse në qendër të Gjakovës, jetojnë 4 gra të moshuara të përkatësisë etnike serbe. Ato thonë se jetojnë në kushte të vështira dhe jetojnë brenda mureve të kishës. Nuk dalin nga kisha dhe gjërat e nevojshme ua sigurojnë ushtarët italianë. Ndërkaq veshmbathjen, ushqimin dhe të tjerat ua sjellin murgjit nga Deçani. Ndonëse kanë mundur të shkojnë në Serbi, ato kanë vendosur të qëndrojnë në vendlindjen e tyre në Gjakovë dhe nuk ankohen shumë për mënyrën se si jetojnë. Njëra prej tyre, Jela Mijatoviç, rrëfen për kushtet në të cilat jetojnë:
"Në kishë ne jetojmë shumë mirë. Ata të Deçanit përkujdesen për ne dhe asgjë nuk na ka munguar, as buka, ushqimi dhe as drutë për dimër. Të gjitha i kemi. Ata na vijnë për shërbim kur është festë dhe të dielave" tha zonja Jela. Ajo flet edhe për raportet e mëhershme me fqinjët e saj shqiptarë.
" Kam punuar në postë si telefoniste dhe telegrafiste. Aq bukur jemi pajtuar me ta, kjo është e pabesueshme. Ajo që është e vërtetë, unë edhe e them, sepse kam kaluar me ta shumë mirë", tha zonja Mijatoviç.
Vasilika Periç, e cila jeton me zonjën Mijatoviç, më parë kishte punuar në shkollën fillore Mazllum Këpuska në Gjakovë:
"Neve na ndihmojnë nga Deçani. Ata na sjellin ushqimin, veshmbathjen, drutë për dimër dhe po të mos ishin ata, ne nuk do të mund të mbijetonim. I marrim 34 euro ndihmë sociale. Ne jemi të gjitha plaka dhe ato para nuk na mjaftojnë as për barna", thotë zonja Periç. Duke folur për bashkëkombasit e saj, tashmë të zhvendosur nga Kosova, ajo thotë se do të donte që të kthehet jeta normale dhe ajo vetë të punojë aty ku ka punuar. "Kur punon është ndryshe dhe kur të jep dikush është ndryshe", thotë zonja Periç. Për kishën ku ato jetojnë përkujdeset Poleksia Kastratoviç:
"Unë jam mirë dhe gjatë tërë kohës jam në lutje. I lutemi Zotit. Këtu jam qe 40 vjet. Nuk guxojmë të dalim në qytet. Ky është viti i pestë që nuk dalim jashtë", thotë zonja Kastratoviç
Dragica Nikoliç banorja e katërt e Kishës, tregon se si ishte larguar nga shtëpia e saj:
"Ç’farë t’ju them. Në Gjakovë kam jetuar gjithmonë edhe pse nuk kam lindur aty. E kam pasur shtëpinë afër stacionit të autobusave dhe kur ndodhi katastrofa, më është dashur ta braktis atë. Aty nuk ka qenë vetëm një shtëpi. Kam pasur pasuri dhe mirëqenie të madhe. I kam braktisur dhe kam ardhur këtu në kishë", thotë zonja Dragica, duke shtuar se të gjithë të afërmit e saj tani janë në Serbi. Vizitorët e paktë në këtë kishë vijnë e shkojnë, ndërkaq ato mbeten duke përgatitur zahiretë në kubenë e zezë prej llamarine, me shpresën se ditët e pleqërisë do t’i kalojnë në qetësi.



XS
SM
MD
LG