Ndërlidhjet

GRUPI I PUNËS DO NDIHMOJË MENAXHIMIN E KEK-UT


Zijadin Gashi, Prishtinë

Në Prishtinë sot është formuar grupi punues për sektorin e energjisë. Vendimi për formimin e tij është marrë pas një takimi të kryeministrit Bajram Rexhepi me përfaqësuesit e Agjensionit Kosovar të Mirëbesimit, që është kompetent për procesin e privatizimit në Kosovë, si dhe në prani të përfaqësuesve të USAID-it dhe Agjensionit Evropian për Rindërtimin, si donatorët më të mëdhenj ndërkombëtar në sektorin energjetik. Sipas kryeministrit Rexhepi, formimi i këtij grupi do të ndihmojë strukturat përgjegjëse për energjinë në Kosovë përmes këshillimeve konkrete, që të përmirësojnë gjendjen kaotike me furnizimin me rrymë që po zgjat që prej katër vjetësh.
“Kosova ka katër vjet që po ballafaqohet me probleme të mëdha të energjetikës në përgjithësi. Dihet se Kosova në të ardhmen ka potenciale të mëdha që të zhvillojë resurset energjetike por dhe në kohën kur në KEK ekziston megjithatë, të them kushtimisht, një konfuzion i menaxhimit, kemi menduar se përmes këtij grupi për energjetikën do të përmbushet një hapësirë”, tha kryeministri Rexhepi.
Ndërsa Pitt Failing, përfaqësues i Bashkimit Evropian dhe AKM-së, është zgjedhur kryetar i këtij grupi punues. Ai tha se do të angazhohet që potenciali i madh që ka Kosova për prodhimin e rrymës të shfrytëzohet racionalisht.
Zoti Failing tha se ka shumë njerëz si në Koorporatën Energjetike të Kosovës, ashtu edhe në organizata të ndryshme, të cilët kanë ide të mira dhe me koordinimin e tyre, gjendja e tanishme energjetike mund të përmirësohet.
Grupi punues për energjinë i formuar sot, sipas kryeministrit, do ta vazhdojë aktivitetin e vet këshillues edhe pas formimit të zyrës për energjetikë, të premtuar nga shefi i UNMIK-ut. Kjo zyrë, sipas kryeministrit të Kosovës do të shndërrohet në ministri përkatëse vitin e ardhshëm, për shkak se kjo fushë ka qenë dhe mbetet ende në përgjegjësi të administratës ndërkombëtare. Mirëpo, ndërsa institucionet vendore dhe ato ndërkombëtare vazhdojnë të formojnë grupe të ndryshme në sektorin e energjetikës, furnizimi me rrymë në Kosovë mbetet me orarin katër me dy në favor të dritave, edhe pse ky orar shpesh ndryshon në të kundërtën, në katër me dy në favor të territ.



XS
SM
MD
LG