Ndërlidhjet

N.DACI SHPREHET SE H. HOLKERI PËRKRAH FILLIMIN E NDRYSHIMEVE NË KORNIZËN KUSHTETUESE


Zijadin Gashi Prishtinë

Programi për plotësimin e standardeve në Kosovë, i interpretuar si operacionalizim i tyre, është përkrahur sot nga udhëheqësit më të lartë të Kosovës. Pas takimeve të ndara që zhvilloi sot shefi i misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkeri me kryetarin e Kosovës Ibrahim Rugova dhe me kryeparlamentarin Nexhat Daci, këta dy të fundit i kanë dhënë mbështetje operacionalizimit të standardeve, sipas një programi të paraqitur nga kryeministri Bajram Rexhepi. Kryetari Rugova tha sot pas takimit me Holkerin, se aty ishte biseduar dhe për qëndrimet e Këshillit të Sigurimit dhe Grupit të Kontaktit, në lidhje me proceset aktuale në Kosovë, si dhe për hapat që do të ndërmerren në plotësimin e standardeve dhe ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese, për t’ia hapur kështu rrugën zgjidhjes së statusit të Kosovës.
“Biseduam për çështjet se si do të vlerësohen standardet, që do të ketë grupe punuese me UNMIK-un dhe e dyta biseduam për amandamentimin e Kornizës Kushtetuese, që të jemi më efikas si dhe çështja e kompetencave dhe sistemit të funksionimit të Kosovës”, tha kryetari Rugova, për të shtuar se në këtë takim i është dhënë përkrahje dhe procesit të privatizimit në Kosovë. Ndërsa kryeparlamentari Nexhat Daci, pohoi se ndihej shumë i kënaqur për faktin se Holkeri, sipas tij, e ka përkrahur fillimin e ndryshimeve në Kornizën Kushtetuese, vendim këtë që ditë më parë e mori Kuvendi i Kosovës:
“Vazhdon partneriteti i plotë me zotin Holkeri dhe vazhdon puna në amandamentimin e Kornizës Kushtetuese dhe do ta bëjmë bashkë. Komisioni ynë përkatës, zyra legale e UNMIK-ut, do të kyçet dhe do të kemi përkrahjen edhe të zyrës legale të Nju Jorkut”, tha Daci, i cili gjithashtu u shpreh në mbështetje të operacionalizimit të standardeve, të cilat parashihet të plotësohen në një periudhe nga një deri në një vit e gjysëm. Po në funksion të imlementimit të tyre, të mërkuren pritet që në Kosovë të mbahet një takim gjithpërfshirës ndërmjet liderëve kosovarë me shefin e UNNMIK-ut dhe përfaqësitë diplomatike të vendeve perëndimore në Prishtinë. Në këtë takim, është paralajmëruar dhe pjesëmarrja e nënsekretarit amerikan të shtetit Marc Grossman. Lidhur me këtë takim të caktuar për të mërkurën, zoti Daci tha se ndihet optimist që Kosova do të marrë përkrahjen e duhur ndërkombëtare për t’i zhvilluar programet e veta institucionale.
Të dy udhëheqësit e lartë vendorë, thanë po ashtu se programi për operacionalizimin e standardeve nënkupton dhe vlerësimin e tyre, kohën kur parashihet të plotësohen, si dhe ndarjen e përgjegjësive në mes qeverisë dhe UNMIK-ut për fushat në të cilat këto dy pushtete janë përgjegjëse për implementimin e tyre.

XS
SM
MD
LG