Ndërlidhjet

UNMIK SHPREH SHQETËSIM PËR STRUKTURAT PARALELE


Rrahman Paçarizi Prishtinë

UNMIK-u i ka quajtur penguese deklaratën e fundit të zëvendëskryeministrit të Serbisë, Nebojsha Çoviç, me ç’rast ai ka refuzuar shpërbërjen e strukturave paralele serbe, siç ishte kërkuar në raportin e kryeadministratorit Harri Holkeri para Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ku ai pati shprehur shqetësim për faktin se Beogradi vazhdonte të përkrahte strukturat paralele serbe në Kosovë.
Një zëdhënës i UNMIK-ut Sunil Narula, tha për Evropën e Lirë se kjo deklaratë nuk ndihmon për shuarjen e këtyre strukturave, megjithëse kjo ishte kërkesë e Kombeve të Bashkuara:
"Më duhet të them se kjo nuk ndihmon fare, pasi javën e shkuar zoti Holkeri e ka ngritur këtë çështje në Këshillin e Sigurimit dhe të njëjtën gjë vetëm pak ditë më parë e kishte bërë edhe sekretari Annan," tha zoti Narula.
Kërkesat për shuarjen e strukturave paralele serbe janë riaktualizuar tani edhe nga UNMIK-u, pas një raporti për këtë çështje botuar nga misioni i OSBE-së në Kosovë, e sidomos pasi autoritetet sllovene arrestuan komandantin e TMK-së, gjeneralin Agim Çeku, sipas një fletarresti nga Serbia i cili mbështetej në një padi që kundër gjeneralit Çeku kishte ngritur e ashtuquajtura Gjykatë e Qarkut e Prishtinës me seli në Nish të Serbisë.
Zëdhënësi Narula tha se kërkesa e UNMIK-ut ishte e qartë për domosdoshmërinë e shpërbërjes së strukturave paralele:
"Në të dyja këto raporte shprehet shqetësimi për faktin se autoritet e Beogradit vazhdojnë të mbajnë dhe forcojnë strukturat paralele, prandaj është kërkuar që këto struktura të shpërbëhen dhe të pushojnë së ekzistuari," tha zoti Narula, sipas të cilit thirrja e UNMIK-ut i drejtohet Serbisë për shuarjen e strukturave paralele, qofshin ato në Kosovë apo në Serbi
Mirëpo, në raportin e OSBE-së kërkohej që disa nga këto struktura të toleroheshin. Edhe zoti Holkeri pati thënë ditë më parë se strukturat paralele duheshin shuar përmes negociatave me Beogradin, si dhe duke ndërtuar struktura efikase vendore, tha zëdhënësi Narula:
"Ne e kuptojmë se disa nga këto struktura paralele duhet të integrohen në institucionet e Kosovës, pasi disa nga shërbimet nuk u ofrohen aktualisht edhe pjesëtarëve të pakicave," tha zëdhënësi Sunil Narula, ndërkohë që autoritetet vendore e kanë kritikuar UNMIK-un se në disa raste po nxit funksionimin e strukturave paralele, siç është rasti me rregulloren për dokumentat e udhëtimit, me ç’rast qytetarët detyrohen të kërkojnë dokumenta të paraluftës nga shërbimet paralele administrative që vazhdojnë të funksionojnë nëpër enklavat serbe.



XS
SM
MD
LG