Ndërlidhjet

GROSSMAN DORËZON PLANIN STRATEGJIK PËR OPERACIONALIZIMIN E TETË STANDARDEVE


Zijadin Gashi, Prishtinë

Nënsekretari amerikan i shtetit, Mark Grossman, u ka dorëzuar sot autoriteteve më të larta ndërkombëtare dhe atyre vendore në Prishtinë, një plan strategjik të Grupit të Kontaktit për operacionalizimin dhe plotësimin e tetë standardeve, të cilat bashkësia ndërkombëtare ia ka vënë Kosovës për t’i përmbushur, para se të hapet çështja e definimit të statusit të Kosovës. Grossman, tha sot në Prishtinë, se ai beson që këto standarde do të plotësohen deri në mesin e vitit 2005, ku më pas, sipas tij, do të shtrohet dhe çështja e definimit të statusit të Kosovës.
Shtetet e Bashkuara, duan që ta shohin këtë rajon në Evropë, në NATO dhe në Bashkimin Evropian, kurse Kosova duke i përmbushur standardet e vëna, do ta ndjekë rrugën e këtyre integrimeve, tha Grossman, pas takimit me shefin e Misionit të Kombeve të Bashkuara, Harri Holkerin:
“Nëse Kosova do t’i përmbushë këto standarde, ne do të fillojmë të përgatisim procesin për definimin e statusit të ardhshëm të Kosovës”, tha Grossman, për të shtuar se ndërkohë, Grupi i Kontaktit, shefi i UNMIK-ut dhe ai personalisht do të takohen rregullisht që të bëjnë vlerësimin e përparimeve në përmbushjen e tyre. Ndërsa i pyetur se a do të thotë që përmbushja e këtyre standardeve, do ta shpinte Kosovën drejt pavarësisë, siç synon udhëheqja vendore, Grossman u përgjigj:
“Sipas vlerësimeve tona, të gjitha opcionet janë të hapura” tha Grossman, dhe se Shtetet e Bashkuara nuk mbajnë ndonjë pozicionim paraprak lidhur me statusin, prandaj duam që edhe kosovarët tani të përqëndrohen në përmbushjen e standardeve, shtoi ai.
Kurse shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, ka pohuar se plani i prezantuar sot, është rezultat edhe i konsultimeve të tij me institucionet vendore dhe i përkrahur nga bashkësia ndërkombëtare. Të gjitha standardet, tha Holkeri, do të vlerësohen të barasvlefshme dhe se UNMIK-u dhe institucionet e Kosovës, do të jenë implementuesit e tyre.
“Bashkësia ndërkombëtare është e bashkuar dhe ajo konsideron se proceset e tjera nuk mund të fillojnë, derisa Kosova të mos shënojë përparime në disa fusha të caktuara”, tha Holkeri. Sipas tij, dialogu me Beogradin, si një prej standardeve, do të jetë njëri prej indikatorëve që do të dëshmojë gadishmërinë e institucioneve vendore që të marrin pjesë në plotësimin e standardeve.
Ndërkohë, Presidenti i Kosovës Ibrahim Rugova, e ka cilësuar planin e z.Grossman në të mirë të Kosovës. Ai tha pas takimit me diplomatin amerikan, se institucionet vendore do të punojnë intensivisht në plotësimin e standardeve, duke besuar se Kosova në këtë rrugë po shkon drejt ndërtimit të një shteti të pavarur:
“Unë i mora në konsiderim propozimet e nënsekretarit Grossman për operacionalizimin e standardev,e në të cilat do të punojmë të gjitha institucionet dhe populli i Kosovës, sepse janë në të mirë të Kosovës”, tha Rugova.
Të njëjtin plan, zoti Grossman ua ka prezantuar në takime të ndara dhe kryeministrit Bajram Rexhepit dhe përfaqësuesve të pakicave. E njëjta temë më pas është diskutuar dhe në një takim të përbashkët pune në Zyrën Amerikane, ku kanë marrë pjesë shefi i UNMIK-ut, përfaqësuesit e vendeve të Kuintit në Prishtinë si dhe liderët vendorë.




XS
SM
MD
LG