Ndërlidhjet

OPERACIONALIZIMI I STANDARDEVE ÇON DREJT FINALIZIMIT TË STATUSIT TË KOSOVËS


Zijadin Gashi, Prishtinë

Afatizimi i standardeve dhe plani për operacionalizimin e tyre, është përkrahur sot nga deputetët e forcave kryesore politike të Kosovës. Deputetët kosovarë kanë përshëndetur angazhimin aktiv amerikan në procesin e plotësimit dhe operacionalizimit të tetë standardeve, pasi sipas tyre, ky proces do ta përshpejtojë dhe zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe njëkohësisht do ta rrisë dhe rolin e institucioneve kosovare në plotësimin e standardeve. Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lulëzim Zeneli, e ka vlerësuar pozitivisht planin për operacionalizim, duke e quajtur atë në të mirën e Kosovës:
“Është një hap i cili mundëson një dinamikë dhe konkretizim më të suksesshëm drejt arritjes së qëllimit tonë final dhe afrimit të Kosovës drejt finalizimit të statusit të saj”, tha Zeneli.
Ndërsa deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës Arsim Bajrami, thotë se procesi i operacionalizimit dhe afatizimit të standardeve është në harmoni edhe me kërkesat e Kuvendit për avancimin e pozitës kushtetuese të Kosovës, përmes ndryshimeve kushtetuese që janë në procedurë.
“Ky afatizim krijon obligime konkrete për qeverinë e Kosovës, Kuvendin dhe kryetarin e Kosovës, që të shënojnë përparim në plotësimin e këtyre standardeve dhe kjo është plotësisht në pajtim edhe me nismën për ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’u japin mundësinë efektive institucioneve të Kosovës për përmbushjen e këtyre standardeve”.
Bajrami tha po ashtu se ai beson që me shtimin e kompetencave, institucionet e Kosovës do t’ia dalin që deri në vitin 2005 t’i përmbushin standardet, ashtu siç ka parashikuar dhe qeveria amerikane dhe Grupi i Kontaktit.
Ndërsa deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Bujar Dugolli, në rend të parë përshëndet angazhimin aktiv amerikan, por njëkohësisht kërkon që të bëhet një evidencim i qartë i atyre fushave, në të cilat vendorët kanë kompetenca për t’i plotësuar standardet dhe ato të ndahen nga fushat e përgjegjësive të UNMIK-ut:
“Mekanizmi ndërkombëtar i cili duhet të jetë i posaçëm, jo UNMIK-u, duhet të bëjë vlerësimin e zbatimit të tyre në terren, por mos të ndëshkohemi ne për shkak të atyre fushave, të cilat janë të rezervuara nuk do të arrihen përparime, sepse ne nuk kemi se si të arrijmë përparime nëse pjesët e rezervuara i kontrollon dikush tjetër”, thotë Dugolli.
Ndërkohë, një çështje tjetër që ka ngritur afatizimi i standardeve dhe lidhshmëria e tyre me definimin e statusit final të Kosovës është dhe çështja se kush do ta ketë mandatin për rrumbullaksimin e statusit final, institucionet e tanishme të Kosovës, apo ato që do të dalin nga zgjedhjet e vitit 2004. Sipas deputetit Arsim Bajrami, institucionet e tanishme të Kosovës, edhe nëse nuk do të kenë mandatin e rrumbullaksimit të çështjes së statusit, siç është deklaruar deri më tani, të paktën, sipas tij, mund ta drejtojnë në drejtimin e duhur rrugën për përcaktimin e këtij statusi:
“Nëse gjatë këtij mandati, institucionet ekzistuese nuk arrijnë të finalizojnë statusin final të Kosovës, ato do të arrijnë një sukses shumë të madh, nëse e bëjnë të mundshme përgatitjen e këtij procesi. Mendoj se në këtë drejtim, jo vetëm kjo strukturë qeveritare, por edhe ajo e ardhshmja do të kenë përgjegjësi shumë të mëdha, meqenëse si po shihet bashkësia ndërkombëtare është e disponuar që në dy vitet e ardhshme ta hapë çështjen e statusit dhe ta përmbyllë”, tha Bajrami.
Edhe Lulëzim Zeneli, konsideron se këto institucione, mund të jenë ato të cilat, në mos do ta vendosin, do ta përcaktojnë statusin e ardhshëm në bazë të punës dhe të arriturave që do të shënohen ndërkohë në Kosovë. Mirëpo, thekson Zeneli, finalizimi sa më i shpejtë i statusit të Kosovës, do të ishte zgjidhja më e preferuar për kosovarët:
“Normalisht se finalizimi sa më i shpejtë i statusit të Kosovës, hap edhe përspektiva të tjera, jo vetëm për Kosovën, por edhe për rajonin në përgjithësi. Ne jemi të bindur se Kosova i plotëson të gjitha kushtet që të hyjë në fazën e dinamizimit të definimit të statusit final të saj”, tha Zeneli.
Mirëpo, Bujar Dugolli, konsideron se afatizimi i standardeve dhe lidhshmëria e tyre me statusin, nuk i pengon as këto institucione që ta avancojnë pozitën dhe statusin e Kosovës:
“Unë mendoj që kjo nuk na ndalon ne që t’i bëjmë hapat adekuatë. Mendoj që ndonjë parti politike që nuk ka qenë e gatshme të ndërmarrë vendime të mëdha për statusin e Kosovës, i konvenon një arsyetim se gjoja dikush ka thënë që të shtyhet”, theksoi Dugolli.
Sidoqoftë, plani për operacionalizimin dhe afatizimin e standardeve, është një prej propozimeve që është pritur shumë mirë nga institucionet dhe spektri i gjerë politik në Kosovë, krahasuar me propozimet e mëparshme të UNMIK-ut për plotësimin e standardeve, pa përcaktuar detajet tjera, siç thuhet se është bërë me këtë plan të paraqitur nga nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG