Ndërlidhjet

DEKLARATAT E GROSSMANIT SINJALIZOJNË SE PROCESET POLITIKE PO PËRSHPEJTOHEN


Shkëlzen Maliqi, analist nga Prishtina

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Maliqi, nënsekretari amerikan i shtetit Marc Grossman ka përcjellë dje porosinë e SHBA-ve dhe vendeve të Grupit të Kontaktit se deri më 2005 duhet të bëhet implementimi i standardeve në mënyrë që pas kësaj të fillojnë bisedimet për statusin definitiv të Kosovës. Çfarë do të thotë kjo për Kosovën ?

SHKËLZEN MALIQI
Është një sinjal se proçeset do të përshpejtohen. Kemi patur një bllokadë relative të zhvillimeve. Mandati që ka patur UNMIK-u për ta stabilizuar gjendjen në Kosovë është kryer dhe tani duhet të përcaktohet një lloj strategjie për vetë UNMIK-un të daljes nga këtu dhe të definimit të statusit, ose definititiv ose të ri, si për misionin ndërkombëtar ashtu dhe për vetë Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Qeveria e Kosovës ka dalë këto ditë me propozimin e operacionalizimit të standardeve. Në një deklaratë të tij kryeministri Rexhepi ka thënë se propozimet e zotit Grossman përputhen me propozimet e Qeverisë. Në situatën aktuale në Kosovë a mendoni se duhet përcaktuar qartë se cilat janë obligimet e UNMIK-ut dhe cilat janë ato të Qeverisë, meqënëse Qeveria e Kosovës nuk ka kompetenca të plota ?

SHKËLZEN MALIQI
Po, sigurisht. Politika e deritanishme e përmbushjes së standardeve si parakusht për fillimin e zgjidhjes së statusit të Kosovës ka qenë në një farë mënyre blerje kohe. Meqë tani po përshpejtohen të gjitha proçeset, për këto standarde duhet të përcaktohen procedurat, mënyra e marrjes së vendimeve dhe e bartjes së kompetencave; ku natyrisht të dy palët do t’i kenë detyrat e veta dhe vetë vlerësimi i proçesit të arritjes së standardeve do të lehtësohet dhe nuk do të jetë si deri tani krejt i hapur dhe pa procedura të cilat tani po vendosen. Edhe ashtu në Kornizën Kushtetuese janë të përcaktuara shumica e kompetencave. Aty ku vendorët i kanë kompetencat duhet t’i shfrytëzojnë sa më shumë dhe kjo është në të vërtetë ajo që prej tyre kërkohet, që të janë më shumë efikasë në fushat ku i kanë kompetencat dhe ku do t’i fitojnë ndërkohë, kurse UNMIK-u që deri tani e ka administruar Kosovën duhet të forcojë pushtetin e vet në enklavat serbe, aty ku nuk i ka ecur deri tani ose ku nuk e ka përmbushur Rezolutën 1244 dhe natyrisht duhet të transferojë kompetencat në të gjitha fushat ku kjo është e domosdoshme që Kosova të ketë një administratë funksionale dhe vendore.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili duhet të jetë sipas mendimit tuaj, roli i SHBA-ve dhe i Grupit të Kontaktit në vlerësimin e përparimeve në realizimin e standardeve ?

SHKËLZEN MALIQI
Grupi i Kontaktit ka rolin kyç në të gjitha proçeset, në vendosjen e protektoratit në Kosovë, në intervenimin në protektorat ka qenë kyç, por edhe tani në këtë proçesin e ripërcaktimit të këtij misioni të UNMIK-ut dhe të ecurive në Kosovë. Kurse amerikanët e kanë rolin kryesor udhëheqës dhe vetë fakti se pas disa konsultave intenzive në disa muajt e fundit të Grupit të Kontaktit ata kanë vendosur që ta dërgojnë një zyrtar të lartë amerikan, tregon se është arritur një konsensus, ose një pikë e pajtimit realitivisht e lartë e fuqive të mëdha dhe se Amerika megjithatë ka marrë rolin e garantit në këto proçese. Ky proçes i filluar është rezultat i konsensusit, por nga ana tjetër dihet se kosovarët më shumë u besojnë amerikanëve se sa tërë përbërjes tjetër të Grupit të Kontaktit dhe ky është një sinjal se proçesi i filluar është serioz.

RADIO EVROPA E LIRË
A konsideroni se afati kohor prej një viti e gjysëm do të mjaftonte për implementimin e plotë të standardeve ?

SHKËLZEN MALIQI
Natyrisht do të mjaftonte, varet se si i interpretoni këto standarde. Unë mendoj se edhe deri tani ato kanë qenë një kërkesë e egzagjeruar, e parealizueshme në shumë aspekte dhe shumë shtete egzistuese demokratike nuk i plotësojnë këto standarde, por prapë janë shtete. Tani ato natyrisht do të konkretizohen, pragmatizohen, do të thosha se dhe mund të realizohen, por natyrisht ka shumë pengesa dhe opstrukcione të cilat do të vijnë kryesisht nga ana e Serbisë, por edhe UNMIK-u nëse vazhdon me këtë mentalitetin e deritanishëm mund të jetë një prej burimeve të opstrukcioneve.

RADIO EVROPA E LIRË
Së fundi, liderët kosovarë kanë dalë me deklarata të ndryshme lidhur me afatin e përcaktimit të statusit përfundimtar. Disa, si zoti Daci konsiderojnë se para përfundimit të mandatit të këtyre institucioneve duhet shpallur pavarësia e Kosovës, të tjerët mendojnë se është reale që këtë ta bëjë përbërja e re e institucioneve të Kosovës. Si i vlerësoni këto deklarata ?

SHKËLZEN MALIQI
Secili prej këtyre liderëve do të dëshironte që gjatë mandatit të tyre të kryhet synimi historik dhe ata të mbeten në histori, por nuk besoj. Shumë nga liderët aktualë kanë mjaft mangësi. Më mirë do të ishte që t’i përmbushin detyrat, të cilat deri tani nuk i kanë përmbushur, sidomos Kuvendi, i cili me punën e ngadaltë, nuk jep përshtypje se është një Kuvend serioz me gjithë kryetarin. Më mirë që të betohet se do të intensifikojë punën e vet institucionale dhe kjo do të ishte një përmbushje e standardeve dhe do t’i ndihmonte asaj për të cilin ai flet, se sa të japë kështu premtimesh, që për momentin duken boshe. Viti 2005 është përcaktuar si momenti kur do të filloj proçesi i përcaktimit të statusit final dhe jo se atëherë do të kryhet shumë shpejtë për disa muaj ky proçes. Unë besoj se do të duhet që legjislatura e re. Ndoshta, edhe pas zgjedhjeve të reja do të kemi mundësinë që të kemi kësi lloj zhvillimesh që çojnë drejt pavarësisë së Kosovës.

Intervistoi Gëzim Baxhaku
XS
SM
MD
LG