Ndërlidhjet

Besimi Islam nuk është në kundërshtim me demokracinë – tha Bush


"Historianët do të shënojnë se në shumë vende përparimi në tregun e lirë ka ndihmuar të krijojë një klasë të mesme që kishte besim të mjaftueshëm në vetvete, për të kërkuar të drejtat që i takonin. Historianët do të ndalen dhe në rolin që ka luajtur teknologjia për të frustruar ata që censurojnë dhe kanë kontrollin e pushtetit, duke shpërndarë të vërtetën, lajmet dhe kurajon përtej kufijve".
Kështu ka deklaruar presidenti amerikan George Bush gjatë fjalimit të tij të mbajtur në Institutin Kombëtar për Nxitjen e Demokracisë, në Uashington.
Tema kryesore e fjalimit të Bushit ishte nxitja e demokracisë në të gjithë botën, nga Lindja e Mesme në Azi dhe Amerikën Latine. Njëherësh presidenti amerikan përsëriti angazhimin amerikan për një botë më demokratike:
"Angazhimi ynë për demokracinë është provuar në vende si Kuba, Birmania, Koreja e Veriut dhe Zimbaveja, vendet kryesore të shtypjes në botë. Popujt në këto vende jetojnë si pengje, në frikë dhe heshtje. Megjithatë këto vende nuk mund ta mbajnë lart lirinë përgjithmonë. Dhe një ditë nga kampet e përqëndrimit, qelitë e burgjeve dhe mërgimtarët demokracia do të arrijë", tha Bush.
Më tej duke folur për rolin e fesë islame në botë, ai nënvizoi se ky besim fetar nuk është në kundërshtim me demokracinë dhe liritë e njeriut.
"Duhet të jetë e qartë për të gjithë se Islami, besimi i një të pestës së njerëzimit, është në përputhje me sundimin e demokracisë. Përparim demokratik është shënuar në një numër vendesh me shumicën e popullsisë myslimane si në Turqi, në Senegal, Shqipëri, Nigeri, Sierra Leone. Myslimanët janë qytetarë të lirë edhe në Indi, Afrikë të Jugut, Evropën perëndimore dhe Shtetet e Bashkuara", nënvizoi presidenti amerikan.
Ndërkaq presidenti Bush nënvizoi si tepër të rëndësishme zhvillimet në Lindjen e Mesme.
"Ka një sfidë të madhe sot në Lindjen e Mesme. Sipas raporteve më të fundit të shkollarëve arabë thuhet se deficiti i lirisë në këto vende shkakton rënien në zhvillimin njerëzor dhe është një nga manifestimet më të dhimbshme të mungesës së zhvillimit politik", përfundoi presidenti Bush, në fjalën e tij të mbajtur sot në një nga organizatat jo fitimprurëse që është e shtrirë në të gjitha kontinetet.


XS
SM
MD
LG