Ndërlidhjet

RIJAD


Numri i viktimave të sulmit vetvrasës në kompleksin rezidencial të kryeqendres së Arabisë Saudite në Rijad nga çasti në çast është në rritje.
Autoritetet e Arabisë Saudite kanë konfirmuar vdekjen e së paku 11 vetave dhe plagosjen e rreth 122 të tjerëve në sulmin e mbrëmshëm.
Por, zyrtarët sauditë thonë se ky nuk është numri përfundimtar i viktimave të këtij sulmi terrorist.
Zyrtarët sauditë thonë se në mesin e viktimave ka fëmijë dhe femra, ndërsa diplomatët perendimor pohojnë se numri i të vdekurve është 20 deri 30 veta.
Zyrtarët në Rijad kanë akuzuar rrjetin terrorist Al Kaida për këtë sulm
Një zyrtar saudit i sigurimit i ka thënë agjencisë Rojter se sëpaku 2 militantë të dyshuar të Al Kaidës kanë maskuar veten me uniforma të pjestarëve të forcave të sigurimit saudit dhe kanë arritur të depërtojnë me një veturë me ekploziv në kompleksin rezidencial të Rijadit rreth mesnatës.
Dëshmitarët thonë se kjo veturë, në dukje e policisë saudite, është shfrytëzuar gjatë sulmit me çrast janë dëgjuar tri shpërthime të fuqishme.
Sulmi ka shkaktuar rrënimin e një vargu të ndërtesave, ndërsa në mesin e të plagosurve janë 36 fëmijë.
Të plagosurit janë shtetas të Bangladeshit, Egjiptit, Eritresë, Etiopisë, Filipineve, Indisë, Rumanisë, Jordanisë, Shri Lankës, Sudanit, Sirisë, Turqisë, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Kanadasë.
Ditëve të fundit disa vende perendimore kanë ngritur alarm për mundësinë e sulmeve, ndërsa Shtetet e Bashkuara kishin mbyllur misionin e vet në Arabinë Saudite.
Zyrtarët amerikanë disa orë më parë kishin sinjalizuar se militantët islamik ishin në fazën operacionale të një sulmi të tillë.
Korrespondenti i televizionit shtetëror të Arabisë Saudite ka raportuar se shkatërrimi ka qenë i tillë që gati është e pabesueshme për ta kuptuar.
Agjencitë e lajmeve pohojnë se sulmi është i ngjashëm me ate të 12 majit, kur në Rijad në kompleskin e banimit për të huajt, ishin vrarë 35 veta, duke përfshirë edhe 9 vetvrasësit me bomba.
Gjatë ditës princi saudit Abdullah ka biseduar me disa liderë arab dhe i ka ftuar ata që të çrrënjoset terrorizmi.
Princi Abdullah ka thënë se sulmi në Rijad është krim kundër të pafajshmive dhe ka shtuar se kemi të bëjmë e operacion të rrjetit terrorist Al Kaida.
Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe, Amr Musa, këtë akt e ka cilësuar aksion kriminal dhe terrorist. Ministri i jashtëm britanik Xhek Strou sulmin e ka quajtur akt të barbarisë së llahtarshme.
Shefi i diplomacisë së Iranit Kamal Karazi ka thënë se vrasja e njerëzve të pafajshëm, në mesin e të cilëve edhe e fëmijëve dhe grave dhe veqanërsiht gjatë muajit të shenjët të Ramazanit, është akt i pamoralshëm, jo njerzor dhe në kundërshtim me bindjet fetare.
Këtë sulm terrorist e kanë dënuar edhe ministrat e jashtëm të Pakistanit, Bangladeshit, Rusisë, Gjermanisë, Italisë, Japonisë dhe shumë vendeve tjera.
XS
SM
MD
LG