Ndërlidhjet

G. POLLO: ALEANCËS ME PS-NË PO, POR NËSE KONVOKOHEN ZGJEDHJET E PARAKOHSHME


Genc Pollo, kryetar i Partisë Demokratike të Re të Shqipërisë

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollo, partia juaj këto ditë është në vëmendje për shkak të një bashkëpunimi të mundshëm me Partinë Socialiste. Cilat janë arsyet e një lëvizjeje të tillë?

GENC POLLO
Partia Socialiste është në krizë. Partia Socialiste, grupi i saj parlamentar nuk kanë numrat për të kryer zëvendësimet e duhura në kabinet. PS-ja është në një garë të brendshme dhe ata po shkojnë drejt kongresit që do e mbajnë javën e dytë të dhjetorit. Në këto kushte kryeministri gjendet në vështirësi, ka nevojë për numrat dhe meqë nuk gjen dot gjuhën e përbashkët brenda partisë së tij dhe në kampin e majtë, ka zgjedhur të trokasë në derën tonë. Për këtë arsye një reagim ishte i nevojshëm. Duke mos ndryshuar linjën tonë, pavarësisht nga vërejtjet që kemi për qeverinë e paplotë dhe joligjore, nuk do të ndërhyjmë deri në kongres, pasi kjo do të përbënte anësim apo bërje palë me grupimet që janë në garë brenda PS-së. Dhe së dyti nëse një ofertë është e vlefshme edhe pas kongresit, jemi të gatshëm të dëgjojmë, por kemi bërë të qartë publikisht dhe kur të vijë koha edhe në tryezën e bisedimeve, kushtin tonë për zgjedhje të parakohshme.

RADIO EVROPA E LIRË
Përse kërkoni zgjedhje të parakohshme?

GENC POLLO
Sepse duke parë se si u bënë zgjedhjet e pushtetit lokal të 12 tetorit, duke parë krizën në PS, cilësinë e qeverisjes dhe hapjen e reformave dhe plot probleme të tjera si varfëria, rënia ekonomike, mungesa e vullnetit për të luftuar krimin dhe korrupsionin e kështu me radhë, gjykojmë që Partia Socialiste në tërësi, nuk po ndalem në ndonjë person të veçantë, por PS si forcë politike, nuk ka më forcën për të bartur qeverinë deri në fund të mandatit ligjor, pra deri në verën e vitit 2005. Dhe është e nevojshme t'i kthehemi konsultimeve popullore, në mënyrë që sovrani të vendosë se kush do të qeverisë këtë vend.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Pollo, duke patur parasysh se partia juaj në veprimtarinë e saj dhe në Kuvendin e Shqipërisë është e pozicionuar si një parti e djathtë, si do të perceptohet kjo lëvizje nga elektorati juaj?

GENC POLLO
Më parë ju fola për interesin e vendit që ka nevojë për një qartësi politike, e cila tashmë mungon. Së dyti kërkesa për zgjedhje të parakohshme në momente të veçanta ka qenë shprehur me zë të lartë nga partia jonë. Jam i saktë nëse them se edhe parti të tjera opozitare vazhdimisht kërkojnë zgjedhje të parakohshme. Diferenca është që ne propozojmë një rrugë konkrete se si të shkojmë, ndërsa ata mjaftohen me apele se duam zgjedhje të parakohshme që përsëriten ose njëherë në ditë, ose dy herë në ditë paradite dhe mbasdite.

RADIO EVROPA E LIRË
Partia Socialiste është para kongresit të saj. A mendoni ju se duke u prononcuar për një koalicion të mundshëm mund të ndikoni në luftën e brendshme që ka kjo parti?

GENC POLLO
Nuk kemi ndërmend të negociojmë për qeveri edhe tonën, apo të japim vota për një qeveri të tyre para kongresit të Partisë Socialiste. Një deklarim i tillë i bën të gjitha hamendësimet në këtë sens të tepërta.

RADIO EVROPA E LIRË
Meqë apeloni për zgjedhjet e parakohshme, çfarë hapash duhet të ndërmerren që të përgatiten kushtet për zgjedhjet e parakohshme?

GENC POLLO
Çfarë ka të bëjë me politikat që do të ndërmarë qeveria deri atëhere është një çështje më vete. Por lidhur me zgjedhjet, nuk ka ndonjë gjë specifike nga ana e PDr-së, janë listat e zgjedhësve që duhet të jenë të sakta të korrigjuara, të plotësuara dhe pa gabime skandaloze si herën e fundit dhe përmirësimet e duhura në kodin zgjedhor.

Intervistoi Alma Çupi

Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG