Ndërlidhjet

KONTESTI RRETH PRIVATIZIMIT MBETET I HAPUR


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

As shumë takime maratonike të qeverisë dhe të bordit drejtues të AKM-së nuk kanë arritur t’i japin udhë vazhdimit të procesit të privatizimit në Kosovë, edhe pse shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf tha se raundi i tretë i privatizimit do të shpallet deri në fund të vitit.
Pas një mbledhjeje të AKM-së, zoti Lambsdorf, i cili sot është takuar edhe me qeverinë e Kosovës, tha se është diskutuar në mënyrë të detajuar për privatizimin, mbi bazat orientuese që janë dhënë në Nju Jork. Sipas tij është vendosur të vazhdohen këto diskutime të hënën me qeverinë dhe në mbledhjen e ardhshme të AKM-së më 2 dhjetor, ndërkohë që AKM do të vazhdojë të punojë sipas pikave orientuese të Nju Jorkut, që e mbështesin privatizimin dhe nuk ka nevojë për ligj të ri, mirëpo ka ndryshuar politika operative:
"Ne duhet të punojmë në politikat operative, që do të thotë se si ta bëjmë privatizimin dhe kjo duhet të bëhet thellësisht dhe rast për rast, tha shefi i shtyllës së katërt të UNMIK-ut, Nikolaus Lambsdorf.
Ndërkohë, qeveria e Kosovës sot paradite ka mbajtur një mbledhje të jashtëzakonshme, në të cilën kanë marrë pjesë edhe Lamsdorf dhe shefja e AKM-së, Maria Fucci. Nga kjo mbledhje qeveria ka dalë me disa kërkesa, tha zëdhënësja Mimoza Kusari:
"Nga mbledhja e sotme e bordit të AKM-së, duhet të dalë përfundimi që privatizimi të vazhdojë menjëherë; menjëherë duhet të nënshkruhet kontratat me fituesit e tenderëve nga dy raundet e para dhe të ratifikohen nga bordi i AKM-së; si dhe tenderi për raundin e tretë të shpallet gjithsesi para fundit të këtij viti," tha zëdhënësja Kusari, duke lexuar kërkesat e qeverisë, ndër të cilat përfshihej edhe ajo që asnjë ndërmarrje të mos shqyrtohet nga oda e veçantë e Gjykatës Supreme, para se të bëhet nënshkrimi i kontratës së privatizimit dhe që të gjitha paditë eventuale ndaj AKM në gjykatat e tjera, duhet të drejtohen tek oda e veçantë e Gjykatës Supreme në Prishtinë.
Zoti Lamsdorf tha se AKM-ja praktikisht kishte pranuar pjesën më të madhe të kërkesave të qeverisë, prandaj AKM-ja është e gatshme të merret me ndërmarrjet e raundit të paë dhe të dytë të privatizimit dhe se tenderi i tretë mund të shpallet deri në fund të këtij viti.
Mirëpo, një kërkesë tjetër e qeverisë ishte edhe anulimi i ligjeve serbe që pengojnë privatizimin:
"Çdo transformim fiktiv pas 22 marsit 1989 është bërë në ambient politik diskriminues dhe si i tillë është i pavlefshëm",tha zëdhënësja Kusari, mirëpo, njeriu numër një i ekonomisë së Kosovës në administratën e UNMIK-ut, zoti Lambsdorf, tha se kjo çështje nuk ishte kompetencë e tij:
"Qëndrimi i qeverisë nuk është në pajtim me qëndrimet që japin pikat orientuese nga Nju Jorku, prandaj AKM apo shtylla e katërt e UNMIK-ut, nuk mund t’i shpallë ligjet të pavlefshme," tha Lamsdorf duke e parë veten dhe AKM-në si adresa të gabuara për ta diskutuar këtë çështje.
Sidoqoftë, politika e UNMIK-ut e shprehur këtë javë është se jo të gjitha ligjet serbe pas 22 marsit të vitit 1989 që janë bërë pa pjesëmarrjen e shqiptarëve janë diskriminuese, prandaj ata do të shqyrtohen rast për rast për të vlerësuar, nëse janë apo nuk janë diskriminuese. Ndërkohë, tre ligje serbe që kanë të bëjnë me pronësinë dhe transformimin e pronës janë ligjet kontestuese, që aktualisht e pengojnë vazhdimin normal të procesit të privatizimit në Kosovë.

XS
SM
MD
LG