Ndërlidhjet

KFOR-I SHTON MASAT E SIGURISË NË KOSOVË


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Forca paqëruajtëse e NATO-s në Kosovë dhe policia ndërkombëtare kanë vërtetuar sot pasdite se masat e shtuara të sigurisë, që janë vërejtur në disa pjesë të Prishtinës dje dhe sot, kanë të bëjnë me një kërcënim drejtuar organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Zyrtarë të KFOR-it dhe të policisë kanë lëshuar sot një deklaratë për shtyp, të cilën në praninë e zëdhënësit të policisë, Derek Chappell e ka lexuar zëdhënësi i KFOR-it, komandanti Chris Thomson:
"Ne e dimë se një kërcënim i veçantë është bërë ndaj organizatave ndërkombëtare në Kosovë. Masat e sigurisë që janë vërejtur në 24 orët e fundit në Prishtinë, përfaqësojnë përgjigje të matur, të kujdesshme dhe penguese ndaj këtij kërcënimi," tha zëdhënësi Thomson, sipas të cilit masat selektive të sigurisë do të vazhdojnë të jenë në fuqi përderi sa nuk vlerësohet se kërcënimi është zvogëluar.
Duke arsyetuar masat e ndërmarra, zëdhënësi Thomson tha se të gjithë janë të njoftuar për ngjarjet e tmerrshme që kanë ndodhur kohët e fundit, jo vetëm në Evropën Juglindore, por gjithkund nëpër botë, ndërkohë që një numër i vendeve të prekura nga këto ngjarje përfaqësohen në KFOR dhe në organizatat ndërkombëtare në Kosovë. Duke qenë se KFOR-i sipas rezolutës 1244, është i ngarkuar të ofrojë ambient të sigurt për të gjithë qytetarët dhe banorët e Kosovës, është vendosur gjendje sigurie dhe janë ndërmarrë masa për mbrojtjen e trupave në konsultim me policinë dhe nën shqyrtim të kujdesshëm dhe të përhershëm, për t’u siguruar se këto masa janë të mjaftueshme në raport me çfarëdo kërcënimi.
Ndërkohë që masat e sigurisë janë më të shtuara në lagjen ku është vendosur numri më i madh i zyrave diplomatike perëndimore, zëdhënësi Thomson tha se çështjet operacionale lidhur me këto kërcënime dhe aktivitetete e KFOR-it dhe policisë nuk do të bëhen publike:
"Ne nuk do të identifikojmë nëse është emërtuar ndonjë cak i veçantë apo jo dhe nuk do të diskutojmë asnjë nga apektet operative lidhur me situatën aktuale, përveç se të vërtetojmë se KFOR-i dhe policia janë të përkushtuara për të kryer misionin e tyre," tha zëdhënësi Thomson, ndërkohë që zëdhënësja e policisë ndërkombëtare, Angela Joseph, më herët pati thënë se cak i mundshëm në Kosovë është Prishtina:
"Në informacionet që kanë arritur nga selia e Kombeve të Bashkuara në New York, Prishtina përmendet në mënyrë specifike," tha zëdhënësja Joseph, ndërkohë që pjesëtarë të KFOR-it, policisë ndërkombëtare dhe policisë vendore të Kosovës janë shumë të vërejtshëm nëpër rrugë dhe po kontrollojnë veturat që lëvizin në disa drejtime nëpër kryeqytet.





Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

Më shumë materiale

XS
SM
MD
LG