Ndërlidhjet

E: HASANI: "FËRKIMET MES NDËRKOMBËTARËVE DHE VENDORËVE DËMTOJNË KOSOVËN"


Enver Hasani, ekspert i të drejtës ndërkombëtare

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Hasani, si i vlerësoni ju fërkimet aktuale në mes pushtetit vendor dhe atij ndërkombëtar, kryesisht lidhur me procesin e privatizimit dhe çfarë efektesh do të prodhojnë këto fërkime?

ENVER HASANI
Vlerësimi im për fërkimet e fundit, jo fërkimet vetëm por edhe përçarjet, të cilat kanë ndodhur mes vendorëve dhe ndërkombëtarëve lidhur me çështjen e privatizimit janë në përgjithësi të dëmshme dhe kjo në dy aspekte. Në aspektin e brendshëm, efekti i dëmshëm shihet në atë se qytetarët e Kosovës kanë një pasqyrë shumë të mjegullt sa i përket asaj se çfarë ka ndodhur me privatizimin. Por ajo pasqyrë e mjegullt më shumë synon trajtimin e procesit të privatizimit si një proces pasurimi të kategorisë së caktuar të njerëzve pa bazë dhe ndërkohë që në planin e jashtëm procesi ka ngecur, shkakton humbjen e besimit tek ata që eventualisht dëshirojnë të investojnë në Kosovë. Mendoj se është duke iu shkaktuar një dëm i pariparueshëm Kosovës dhe po humbet një kohë shumë e çmueshme, sepse pa ristrukturimin e ekonomisë nga themelet, ku privatizimi është shtylla kryesore e këtij ristrukturimi, pra baza, abc-ja, mendoj se proceset e tjera politike nuk mund të zhvillohen si duhet.

RADIO EVROPA E LIRË
Pikërisht një gjë të tillë e tha dje dhe kryeministri i Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili tha se pa privatizim nuk mund të pritet as operacionalizim i standarteve si dhe procesi integrimit të Kosovës në strukturat evropiane do të ngecë sipas tij. Prandaj cili është vlerësimi juaj rreth kësaj çështjeje?

ENVER HASANI
Unë mendoj se është vlerësim i drejtë. Jo pse integrimi i Kosovës në Evropë dhe ristrukturimi i shoqërisë, do të bëhet proces i pamundur, por procesi i riintegrimit të Kosovës në strukturat Euro-atlantike do të vështirësohet esencialisht dhe proceset politike mund të degjenerojnë dhe të komplikohen kohë pas kohe. Procesi vështirësohet sepse privatizimi i gabuar ose privatizimi i vonuar, prodhojnë drejt për së drejti procese politike të një cilësie të caktuar, të një cilësie të dobët, të një cilësie, e cila Kosovën e lë në gjysëm të rrugës drejt strukturave Euro-atlantike. Mendoj se procesi i përçarjeve, mund të jetë dhe sigurisht do të jetë i dëmshëm, për arsye se tani në këtë kohë nuk ka patur ndonjë lëvizje të madhe politike as këtu as jashtë, siç janë vitin tjetër zgjedhjet në Kosovë dhe zgjedhjet në Amerikë dhe mund të presim se çfarë do të ndodhë me standartet. Mund të kanalizohen dhe vëmendja të përqëndrohet krejt rreth çështjeve politike, rreth çështjeve të brendshme, rreth çështjeve personale, të cilat fare nuk kanë të bëjnë me procesin e demokratizimit dhe të ristrukturimit të shoqërisë kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasysh proceset e ardhshme, të cilat edhe ju i përmendët, zgjedhjet në Kosovë etj. A konsideroni se të gjitha këto do ta vështirësojnë procesin e përmbushjes së standarteve sipas planit të paraparë të zotit Grossman?

ENVER HASANI
Unë parashikoj se do ta vështirësojnë. Do të ishte mirë, por unë nuk pres që në fushatën zgjedhore liderët e Kosovës dhe partitë politike t'i kenë standartet dhe agjendën e operacionalizimit të tyre si pikë, me të cilën do të mund të fitonin votat. Besojse është mjaft iluzore të pritet një gjë e tillë, sikundër që zgjedhjet në Amerikë po ashtu do të ndikojnë. Unë besoj që dinamika dhe zgjedhjet që pasojnë në Amerikë vitin që vjen, kanë qenë determinanta kryesore për caktimin e një afati që është bërë për standartet, më shumë sesa është besuar realisht, ose besohet realisht, se vitit 2005 është real për të filluar ndonjë proces i hapjes së statusit të Kosovës. Do të thotë unë pres se do të bëhet diçka, por jo aq sa për të garantuar një lloj stabiliteti dhe sigurie, e cila duhet patjetër të egzistojë nëse mendohet të hapet çështja e statusit të Kosovës. Pa një stabilitet minimal dhe siguri, e cila nuk është kryesore, por që duhet të jetë në nivel, nuk besoj se mund të fillojë të hapet, sepse ajo do të ishte dështimi i procesit politik dhe kanalizim në një drejtim tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke patur parasysh dhe përbërjen e tanishme të institucioneve të Kosovës, të cilat janë të ndërtuara, sidomos qeveria e Kosovës, në bazë të një marrëveshjeje politike, a besoni se pas zgjedhjeve të ardhshme kjo formulë do të përsëritet në Kosovë?

ENVER HASANI
Nëse kjo formulë do të jetë unë nuk e di, por afërsisht pres edhe në zgjedhjet e tjera në mënyrë të ngjashme, të synohet ruajtja e një balance të brendshme me çdo kusht, sepse akoma është herët të prishet ajo balancë. Prishja e asaj balance do të ketë refleksion shumë të madh dhe ka refleksion të madh në terren, pa marë parasysh se në cilën anë prishet ajo balancë. Nëse do të jetë kjo nominalisht me këta njerëz me këtë spektër të subjekteve, apo do të formohet ndonjë subjekt ndërkohë i ri, ose do të fuqizohen subjektet e vogla egzistuese, mbetet të shihet, por është shumë e sigurt që duhet të mbetet një lloj balance mes atyre që e konsiderohen si krah i luftës dhe atyre që nuk konsiderohen të tillë. Besoj se edhe viti i ardhshëm nëse ka llogjikë do të jetë i kësaj natyre.

Intervistoi Zijadin Gashi


XS
SM
MD
LG