Ndërlidhjet

CHAPPEL: "NUK KA AKTIVITETE TË RRJETEVE TERRORISTE NË KOSOVË"


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Policia ndërkombëtare dhe forca paqëruajtëse e NATO-s, KFOR, kanë tërhequr masat e vërrejtshme të sigurisë nga rrugët e Prishtinës, pasi kërcënimi 72 orësh për mundësinë e sulmeve terroriste kundër organizatave ndërkombëtare në Prishtinë skadoi sot në mëngjes. Zëdhënësi i policisë ndërkombëtare në Kosovë, Derek Chappell, në një bisedë për Evropën e Lirë, tha se masat e sigurisë që janë vërrejtur që nga e enjtja, tani janë hequr, pas vlerësimit që i është bërë situatës lidhur me këto kërcënime:
"Masat e sigurisë që i keni parë në rrugët e Prishtinës që nga e enjtja, kanë qenë shumë specifike dhe janë ndërmarrë për një periudhë të caktuar kohore. Ndërkohë, kërcënimi është vlerësuar dhe shqyrtuar dhe masat e njëjta të sigurisë janë tërhequr," tha zoti Chappell, sipas të cilit masat e sigurisë janë shumë më tepër sesa ushtarët dhe autoblindat në rrugë dhe siguria është më shumë çështje diskrete, në mënyrë që njerëzit të mos jenë vazhdimisht të alarmuar për rrezikun eventual. Prandaj, fakti që ka kaluar një afat i caktuar i një kërcënimi, nuk do të thotë se policia duhet të relaksohet tërësisht. Esenca e terrorizmit është që të identifikohet një cak i butë që mund të sulmohet lehtë, tha ai:
"Nëse shikoni rastin e Stambollit, të Qendrës Botërore të Tregtisë, apo rastet e tjera që kanë qenë caqe të sulmeve, njerëzit mund të mos e kenë parashikuar një gjë të tillë, dhe pikërisht kjo i bën ato caqe të përshtatshme për sulme terroriste,"tha Chappell. Prandaj, tha ai, ne po përpiqemi të parashikojmë këto kërcënime, pasi kërcënime dhe rrezik ka në gjithë botën, prandaj edhe në këtë pjesë të botës, por masat e sigurisë duhet të jenë përmbajtura:
"Ka rrezik edhe në këtë pjesë të botës ashtu siç ka gjithkund në botë rrezik nga terrorizmi, mirëpo ne po përpiqemi që të jemi të arsyeshëm dhe të logjikshëm, pasi masat e sigurisë mund të ndërmerren deri në masën sa nuk interferojnë me jetën normale," tha zëdhënësi Chappell.
Sidoqoftë, tha ai, nuk kemi informacione që në Kosovë të ketë pjesë të rrjeteve terroriste. Megjithatë mjafton të ketë dy-tre njerëz të pajisur me mjete shpërthyese, që kanë një motiv të caktuar, për të kryer ndonjë sulm terrorist dhe gjëra të tilla mund të ndodhin edhe në Kosovë:
"Mirëpo ne nuk shohim ndonjë rrjet të organizuar terrorist, ndonjë celulë terroriste, apo për shembull Al-Qaed-an apo rrjete të organizuara të terrorizmit brenda Kosovës," tha zoti Chappell.
Duke folur ndërkaq për murin prej betoni që po ndërtohet përreth selisë së Misionit të Kombeve të Bashkuara në qendër të Prishtinës, Chappell, tha se kjo nuk ka të bëjë me kërcënime specifike. Mirëpo, tha ai, ka pasur një udhëzim nga Kombet e Bashkuar javën e shkuar që zyrat e ndryshme të Kombeve të Bashkuara, e posaçërisht misionet aktive në botë të rritin sigurinë:
"Prandaj këto masa që i shihni përreth selisë së UNMIK-ut janë përgjigje ndaj këtyre udhëzimeve nga Nju Jorku, që të gjitha objektet e OKB-së të shtojnë masat e sigurisë," tha zoti Chappell, sipas të cilit këto masa nuk kanë të bëjnë me kërcënimet e fundit për sulme terroriste.


XS
SM
MD
LG