Ndërlidhjet

HOLKERI DHE REXHEPI U NISËN PËR BRUKSEL, NDËRSA BOGDANOVIÇ REFUZOI PJESËMARRJEN


Zijadin Gashi, Prishtinë

Kryeministri i qeverisë së Kosovës Bajram Rexhepi, ka shprehur sot pakënaqësinë e tij, lidhur me disa ndryshime të bëra në draftin e fundit të planit për operacionalizimin e standardeve. Rexhepi i bëri këto komente, pak çaste para se të nisej nga Aeroporti i Prishtinës për në Bruksel, ku ai bashkë me kryeadministratorin Harri Holkeri, nesër do të marrin pjesë në samitin e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ku pritet që të miratohet dhe versioni final i planit për operacionalizimin e standardeve.
Vërrejtjet e kryeministrit u përqëndruan sidomos në pjesën ku bëhet fjalë për plotësimin e këtyre standardeve, ku në momentet e fundit sipas tij, nga mekanizmat ndërkombëtarë që punojnë në këtë draft është futur paragrafi ku thotë se krahas Rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit dhe Kornizës Kushtetuese të Kosovës, standardet duhet të përmbushen dhe duke u bazuar në ligjet e aplikueshme, ku bëhet fjalë për ligjet e sistemit të kaluar serb në Kosovë:
"Është bërë një shtesë ku thuhet se operacionalizimi i standardeve duhet të jetë në përputhshmëri me Rezolutën 1244, Kornizën Kushtetuese, ligjet e aplikueshme. Kjo është një pjesë, e cila nuk është e domosdoshme. Për çfarë arsye është futur në operacionalizimin e standardeve, ne do të bëjmë vërrejtje, sidomos për pjesën e ligjeve të aplikueshme, sepse përndryshe ne edhe ashtu punojmë në kuadër të Rezolutës 1244 dhe Kornizës Kushtetuese”, tha Rexhepi.
Në vërretjet e tjera të parashtruara nga kryeministri Rexhepi, ishte dhe një pikë e propozuar nga pala serbe, ku kërkohet që për vlerësimin e standardit, i cili bën fjalë për kthimin e të zhvendosurve, të caktohet dhe numri i të kthyerve, si kriter për vlerësimin e kësaj pjese të standardeve. Kthimi është çështje vullnetare dhe individuale dhe se çdo parashtrim i shifrave, për qeverinë e Kosovës do të jetë e papranueshme, tha Rexhepi:
“Ne nuk mund të pranojmë që të parashtrohen shifra, jo sepse ne nuk kemi gatishmëri për çdo qytetar i cili është larguar nga Kosova dhe dëshiron që të kthehet në vendin e vet të origjinës. Por nëse shkojmë me shifra sigurisht presim që nga ana e Serbisë ky proces të pengohet dhe atëherë do të ishim në një situatë kur nuk mund të përmbushet ky standard”, tha kryeministri i Kosovës.
“Sigurisht e kanë marrë urdhërin ose nga zoti Çoviç ose nga shefët e tyre që të mos shkojnë. Ata formalisht janë në institucionet e Kosovës, kurse urdhërat i marrin nga Beogradi dhe pas kthimit ne këtë do ta shikojmë shumë seriozisht nëse do të jenë ata anëtarë të institucioneve dhe nëse do t’u përmbahen kërkesave të institucioneve dhe të UNMIK-ut, apo kërkesave të Serbisë, ata duhet të marrin pozicionin e qartë në lidhje me këtë çështje”, tha Rexhepi.
Ndërkohë, ministri serb Goran Bogdanoviç, i cili kishte ftesë të udhëtonte gjithashtu, ka refuzuar të marrë pjesë në samitin e Brukselit, me arsyetimin se përfaqësuesit e koalicionit serb “Kthimi” e kanë marrë me vonesë draftin e fundit. Mirëpo, në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, thotë se ai si edhe të gjithë të tjerët e kanë marrë këtë draft pardje dhe se arsyetimet e ministrit serb, sipas tij nuk qëndrojnë, por sipas Rexhepit, refuzimi i serbëve mbështetet në qëllime të tjera politike të dirigjuara nga Beogradi:
"Përndryshe, plani për operacionalizimin e standardeve, në përgjithësi ka marrë përkrahjen e institucioneve të Kosovës dhe pas miratimit të tij në Bruksel, pritet që i njejti të bëhet publik në Prishtinë më 10 dhjetor."




XS
SM
MD
LG