Ndërlidhjet

KARLOVICZ: ASKUSH NUK MUND TË MBAJË DY MANDATE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë të drejtë të kandidohen në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, por nuk mund t’i mbajnë të dyja mandatet, kanë thënë zyrtarë të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovës, ndërkohë që zyrtarë të qeverisë dhe të Kuvendit të Kosovës thonë se kjo e drejtë dëshmon vazhdimësinë e pushteteve paralele në Kosovës dhe prejudikon statusin e Kosovës. Këto komente janë bërë pasi së paku tre deputetë të Kuvendit të Kosovës nga koalicioni Kthimi dhe një anëtar i qeverisë së Kosovës, ndodhen në listat e kandidatëve për zgjedhjet parlamentare të Serbisë.
Duke e shpjeguar këtë çështje, zyrtarë të OSBE-së që merren me çështje zgjedhjesh thanë se ata merren vetëm me zgjedhjet brenda Ksoovës, ndërsa zëdhënësja e UNMIK-ut, Izabella Karlovicz tha:
"Deputetët e Kuvendit të Kosovës mund të kandidohen për zgjedhjet e Serbisë, mirëpo nëse zgjidhen, ata duhet të zgjedhin ndërmjet dy mandatesh," tha Izabella Karlovicz, sipas të cilës askush nuk mund të mbajë dy mandate, pavarësisht nëse bëhet fjalë për mandate brenda Kosovës apo mandate të përziera si në këtë rast. Mirëpo, Rexhep Hoti, oficer për ndërlidhje ndërmjet qeverisë dhe UNMIK-ut tha se kjo është një çështje shumë më serioze seç paraqitet nga UNMIK-u:
"Ky është një vazhdim i drejtpërdrejtë i dy pushteteve paralele, por në këtë rast ka shkuar çështja më lart, pasi nëse një ministër dëshiron të kandidohet dhe në Serbi, ai e sheh veten si pjesë e Unionit Serbi Mali i Zi dhe kjo çështje nuk mund të shpjegohet ndryshe, ai nuk ka të drejtë të kandidohet në një shtet të huaj nëse është qytetar i Kosovës," tha zoti Rexhep Hoti, ndërkohë që anëtari i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, Gojkoq Saviç i cili pranon se është kandidat i Alternativës Demokratike në zgjedhjet parlamentare të Serbisë, thotë se ka të drejtë të kandidohet, pasi sipas tij:
"Është e drejta ime të përcaktohem se ku do të jem deputet, pasi ky është një territor gjithashtu nën ingerencat e Serbisë dhe pjesë përbërëse e saj, prandaj ky është një Kuvend Krahinor," tha Saviç, duke shtuar se me siguri do të vazhdonte mandatin njëvjeçar që i ka mbetur në Kuvendin e Kosovës.
Mirëpo, Ramush Tahiri, këshilltar i kryeparlamentarit Daci tha se mundësia e një kandidimi të tillë paragjykon statusin e Kosovës:
"Konsideroj se është akt i njëanshëm dhe nuk ka legjitimitet, prandaj është edhe prejudikim i statusit dhe si i tillë nuk i kontribuon çështjes dhe në këtë bazë sjell tensione edhe politike edhe të tjera dhe në këtë bazë mund të jetë qëndrim individual i ndonjë qytetari që nuk dëshiron të jetojë më në Kosovë, por kjo është pjesë e vullnetit individual dhe jo vijë institucionale."
Ndër të kandiduarit është edhe Oliver Ivanoviç, aktualisht anëtar i kryesisë së Kuvendit të Kosovës, i cili thotë se nuk ekzistojnë pengesa ligjore për të qenë njëkohësisht deputet në Kuvendin e Serbisë dhe në atë të Kosovës, mirëpo kjo është e vështirë të bëhet:
"Zgjedhja ime personale në një rast të tillë do të ishte mbetja në Kuvendin e Kosovës, pasi mendoj se këtu jam më i nevojshëm," tha Ivanoviç, ndërkohë që koordinatori ndërministror për të kthyerit në qeverinë e Kosovës, Milorad Todoroviç ka deklaruar së fundi se në rast se do të fitonte në zgjedhjet parlamentare të Serbisë do ta ngrinte funksionin e tij prej koordinatori ndërministror në qeverinë e Kosovës, gjë që është quajtur e papranueshme dhe pa baza ligjore nga zyrtarët e qeverisë së Kosovës.






XS
SM
MD
LG