Ndërlidhjet

MËSIMET E RËNDA TË FËMIJËVE KOSOVARË


Independent (Londër)

Megjithë vështirësitë mbi kapacitetin e shkollave fillore dhe të mesme në Kosovë dhe shkallën e lartë të mortalitetit të fëmijëve, kosovarët tani duhet të shqetësohen edhe për një dukuri tjetër që ka filluar të zërë rrënjë, trafikimin e fëmijëve. E përditshmja londineze “Independent” shkruan se me shkurtimin e ditës gjatë sezonit të dimrit dhe reduktimet e shpeshta të energjisë elektrike, shqetësimi shtohet. Arta, 13 vjeçare, ka frikë për shokët e saj, të cilët, siç thotë ajo, do të mund të rrëmbeheshin pasi të kenë përfunduar orët e mësimit në mbrëmje, kur në pjesën më të madhe të Kosovës nuk ka rrymë.
Gazeta shkruan se me rritjen e papunësisë, trafikuesit i mashtrojnë adoleshentët duke u premtuar punë në Gjermani ose në Itali. Por, atje ata përballen me punë të dhunshme, shfrytëzim seksual dhe në disa raste madje edhe më shkëmbim të tmershëm të organeve njerëzore. Deri më tani Kosova ka qenë qendra kryesore tranzite për trafikimin e njerëzve në Evropë. Mijëra gra dhe vajza nga Moldava, Ukraina dhe Shqipëria fqinje, janë trafikuar nga bandat kriminale, duke i dërguar ato ose në Evropën Perëndimore, ose duke i shfrytëzuar për industrinë vendore të seksit. Gazeta shkruan se në Kosovë ekzistojnë më së paku 130 shtëpi publike, të cilat kanë lulëzuar gjatë kaosit të vitit 1999, pas përfundimit të luftës dhe pas arritjes së organizatave të shumta ndërkombëtare. Në 18 muajt e shkuar, të huajt kanë filluar të largohen nga Kosova dhe ironia qëndron pikërisht në faktin se me largimin e tyre, edhe kërkesat për industrinë e seksit janë zbehur, ndërkohë që trafikuesit tani po përqëndrohen në shfrytëzimin e fëmijëve kosovarë.
Organizata humanitare “Save the Children” që merret me të drejtat e fëmijëve, është duke bërë përpjekje për ngritjen e vetëdijësimit në këtë drejtim. Shumica e të rinjëve nuk janë të njoftuar me rrezikun e trafikimit dhe rrjeteve kriminale, disa prej tyre madje besojnë se një dukuri e tillë ka të bëjë më shumë me veturat.
Katherine Mahoneey nga organizata “Save the children” beson se ngritja e vetëdijësimit është mënyra më e mirë për të luftuar trafikuesit.
Fazliu, 15 vjeçar, ka marrë pjesë në njërën nga sesionet e kësaj organizate dhe në këtë kuadër ai thotë: “Ka njerëz pa ndjenja, njerëz me zemër të keqe, të cilët do të bënin çmos për para."
Duke tërhequr vërejtjen mbi dezintegrimin social, arsimimin e varfër, varfërinë dhe mungesën e rendit dhe ligjit, zonja Mahoneey thotë se Kosova tani është në rrezik që të shndërrohet nga, siç e quajnë ekspertët e trafikimit, një vend tranzit, në një vend që furnizon me qenie të trafikuara. Ajo thotë se nëse ky fenomen vazhdon me këtë dinamikë, atëherë nuk ka arsye të mos besohet se Kosova nuk do të jetë si Shqipëria, e cila është goditur rëndë nga trafikuesit. Por, paratë e organizatave janë duke u shterrur dhe disa projekte të tilla tashmë janë mbyllur.
Dhe megjithë ndarjet etnike që lufta në Kosovë ka lënë pas vetes, “Independent” shkruan se kërcënimi me të cilin përballen fëmijët kosovarë është tmerrësisht i njejtë për të gjithë.





XS
SM
MD
LG