Ndërlidhjet

MBLEDHJA E KPD-SË NUK I ZBUTI MARRËDHËNIET NANO-META


Alma Çupi

Mbledhja e sotme e Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, nuk sheshoi mosmarrëveshjet mes kryetarit të partisë Fatos Nano dhe ish zëvendës kryeministrit Ilir Meta.
Ish zëvendës kryeministri Ilir Meta reagoi sot pas mbledhjes duke thënë se raporti që do të mbahet në kongres është i njëanshëm.
Gjithashtu Meta tha se ka propozuar ndër të tjera që kandidatët për kryetarë partie të pranohen pa qenë domosdoshmëri marrja e 60 firmave nga delegatët.
"Kam denoncuar edhe presionin që po bëhet ndaj delegatëve për të mos hedhur firma për kandidatët për kryetarë të Partisë Socialiste, për të marrë numrin e nevojshëm, në mënyrë që ata sipas statutit të paraqiten si kandidatë në Kongres, pasi mendoj se kjo tashmë është krejtësisht absurde, është tërësisht e tejkaluar dhe njëkohësisht se nuk duhet të deformohet më tej ashtu si ka ndodhur deri tani konkurrenca e hapur dhe demokratike."
Sekretari i përgjithshëm i Partisë Socialiste Gramoz Ruçi, zërave për një përjashtim të mundshëm në forumin e lartë të PS-së të zëvendësministrave aktualë iu përgjigj duke thënë:
" Të propozohesh kandidat për anëtar të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues duhet të kesh 3 vjet anëtar partie. Ata zëvendësministra që nuk e kanë këtë stazh partie nuk mund të propozohen."
Në fjalën e tij kryetari i PS Nano u përpoq që të zbuste tonet e luftës së brendshme në Partinë Socialiste. Pavarësisht retorikës së ashpër ndaj kundërshtatërve të tij në parti, që kanë shkuar deri në
akuza për përfshirje në krimin e organizuar, Fatos Nano, vlerësoi rolin e figurave të partisë, duke thënë se askush nuk mund të hyjë në Kongres me kredenciale të ndotura.
" Unë jam i bindur se askush nuk hyn në Kongresin e 6-të të Partisë me kredenciale të ndotura. Se të gjithë kanë ditur dhe kanë mundur të krijojnë një raport marrëdhëniesh politike dhe njerëzore me delegatët dhe me strukturat e partisë në të gjithë vendin, të cilat në Kongres do të konfirmojnë dhe njëherë vlerat tona të qëndrueshme si dhe do të japin mesazhet e vazhdimit të kontributeve komplementare, që do të modernizojnë më tej partinë dhe do ta bëjnë atë më të aftë për të përballuar dhe fituar sfidat e ardhshme, më e afërta nga të cilat janë zgjedhjet parlamentare të 2005-sës". Për anëtarë të rinj të Komitetit të Përgjithshëm Drejtues të Partisë Socialiste, janë në garë e gjithë anëtarësia aktuale, deputetët socialistë, si dhe propozimet e reja nga organizata e gruas dhe anëtarët e forumit rinor
socialist. Kryeministri Fatos Nano ka thënë se debatet e bëra para kongresit kanë ndikuar në demokracinë e brendshme të Partisë, ndërsa Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha e ka cilësuar Kongresin e Partisë Socialiste si një kongres stalinist.

XS
SM
MD
LG