Ndërlidhjet

QËNDRIME TË NDRYSHME TË NDËRKOMBËTARËVE DHE VENDORËVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Janë të ndryshme qëndrimet e zyrtarëve vendorë dhe të atyre ndërkombëtarë, për ndikimet e vendimeve të djeshme rreth shpalljes së pavlefshme të ligjeve të aplikueshme nga Kuvendi i Kosovës, respektivisht shpalljes së pavlefshme nga zoti Holkeri të vendimit të djeshëm të Kuvendit. Sidoqoftë, zyrtarë të AKM-së thonë se thyerja e heshtave mund të ndodhë pikërisht lidhur me privatizimin, edhe pse zyrtarë të UNMIK-ut mendojnë ndryshe.
Bahri Shabani, kryetar i Sindikalistëve të Kosovës dhe anëtar i Bordit të AKM-së, tha se ai do të përpiqet për zbatimin e vendimit të Kuvendit të Kosovës, si anëtar i bordit të Agjencionit Kosovar të Mirëbesimit:
"Kështu që, qëndrimi ynë në AKM do të jetë që ta respektojmë këtë vendim, sepse këtu ka qenë edhe pengesa më e madhe, për shkak të së cilës tani kemi një pezullim në procesin e privatizimit nga shtylla e katërt e UNMIK-ut".
Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlovicz, duke arsyetuar vendimin e djeshëm të shefit të saj, Harri Holkeri, përkujton se rregullorja e UNMIK-ut 99/24 i shpall të aplikueshme në Kosovë ligjet e miratuara para 22 marsit të vitit 1989:
"Në raste të caktuara ku ka zbrazëti në legjislacionin specifik, ndonjëri nga ligjet e pas vitit 1989 mund të aplikohet me kusht që të mos jetë diskriminues," tha Karlovicz, sipas të cilës këto ligje duhen shikuar rast për rast, ashtu siç duhet shikuar edhe statusi i ndërmarrjeve në Kosovë, kur është fjala për privatizimin:
"Ajo që duhet bërë tani është që ligjet duhen shqyrtuar dhe duhet vërtetuar, nëse transformimi i kompanive është bërë sipas ligjeve diskriminuese, ose nëse janë aplikuar në mënyrë diskriminuese, dhe në këtë bazë mund të definohet statusi i kompanive," tha Karlovicz.
Në anën tjetër, zoti Shabani ka shprehur besimin se anëtarët vendorë të bordit të AKM-së do ta përfillin vendimin e Kuvendit. Mirëpo, bordi i AKM-së pos vendorëve ka edhe ndërkombëtarë dhe zoti Shabani është i vetëdijshëm për problemet që do të dalin në mbledhjen e AKM-së të martën:
"Ndoshta do të pajtohet pala ndërkombëtare edhe pse jam skeptik për këtë, pasi ata mund ta respektojnë vendimin e kryeadministratorit dhe nuk do të ketë një zhbllokim të procesit, i cili do të mbetet edhe më tej i pezulluar."
Mirëpo, zëdhënësja e UNMIK-ut Izabella Karlovicz thotë se zhvillimet e djeshme lidhur me ligjet nuk mund të ndikojnë mbi procesin e privatizimit:
"Nuk ka kurrfarë ndikimi të asaj që ka ndodhur dje në procesin e privatizimin, pasi udhëzimet nga Nju Jorku thonë qartë dhe kërkojnë që privatizimi të vazhdojë," tha zëdhënësja Karlovicz, ndërkohë që zoti Shabani beson se mospajtimet ndërmjet UNMIK-ut dhe institucioneve vendore lidhur me ligjet, çojnë në bllokimin e pashmangshëm të këtij procesi.
Në anën tjetër, sot asnjë nga zyrtarët e qeverisë së Kosovës nuk ishte i gatshëm të komentonte efektet e vendimeve të djeshme të Kuvendit dhe të zotit Holkeri. Zyrtarë të qeverisë thanë se gjithçka do të dihet pas mbledhjes së qeverisë sot pasdite, ku pritet të diskutohet pikërisht lidhur me qëndrimin e qeverisë pas vendimit të zotit Holkeri, ndërkohë që Kuvendi ka kërkuar nga qeveria që të respektojë vendimin e marrë po sipas kërkesës së qeverisë.





XS
SM
MD
LG