Ndërlidhjet

NË MAQEDONI FILLOI MISIONI POLICOR I BE-SË


Sefer Tahiri, Shkup

Misioni i parë policor "Proksima" prej sot në Maqedoni zëvendëson misionin ushtarak të Bashkimit Evropian Concordia, me çka përfundon prania ndërkombëtare ushtarake në vend. Përfaqësuesi i Lartë i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Havier Solana, tha se me përfundimin e misionit Concordia, përgjegjësinë për stabilitetin dhe sigurinë në Maqedoni, e mbajnë autoritetet shtetërore.
"Fundi i operacionit Concordia në asnjë aspekt nuk do të thotë fund i angazhimeve të Bashkimit Evropian. Maqedonia patjetër duhet të vazhdojë me përparimin pasi vetëm në këtë mënyrë duhet t'u afrohet institucioneve të Bashkimit Evropian", tha Solana.
Në ceremoninë solemne, në të cilën u shënua përfundimi i misionit Concordia, mori pjesë tërë kreu shtetëror. Presidenti i Maqedonisë Boris Trajkovski, duke i përshëndetur ushtarët e Concordias, tha se ky mision ka qenë i suksesshëm.
"Para 9 muajve kishte skeptikë të cilët dyshonin në kapacitetin e misionit të parë evropian. Me ardhjen e misionit Proksima nuk mund të dëgjohet zëri i skepticizmit", tha Trajkovski.
Edhe kryeministri Branko Cervenkovski tha se puna e misionit Concordia ka qenë e suksesshme:
"Në tejkalimin e krizës në Maqedoni, Bashkimi Evropian si në asnjë vend tjetër dhe si asnjëherë më parë, u përcaktua për angazhim preventiv si në aspektin ekonomik dhe atë politik e të sigurisë. Fakti që sot Maqedonia është shtet i stabilizuar, dhe si interes parësor ka zhvillimin ekonomik dhe social, është dëshmi për suksesin tonë të përbashkët," tha Cervenkovski. Ndërsa kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, theksoi:
"Këto forca të cilat do të jenë të angazhuara nga Bashkimi Evropian, do të ndihmojnë në drejtim të profesionalizimit sa më të mirë të policisë".
Misioni Proksima, i cili do të kompletohet deri në shkurt të vitit të ardhshëm, nëpërmjet 50 ekspertëve këshillëdhënës policorë dhe rreth 150 policëve, do të ndihmojnë në reformimin e policisë së Maqedonisë, me qëllim që ajo të sillet në bazë të standarteve ndërkombëtare. Misioni Proksima do të jetë i fokusuar në luftën kundër krimit të organizuar, menaxhimine kufijve, përforcimin e mirëbesimit dhe bashkëpunimin rajonal. Ndërkohë Solana në Shkup e përshëndeti përgatitjen e ligjeve të decentralizimit nga qeveria e Maqedonisë.
"Mendoj se këto ligje janë në parlament dhe shpresoj se së shpejti do të miratohen. Këto ligje i argumentojnë përpjekjet e përbashkëta për jetësimin e marrëveshjes së Ohrit, e cila e shpie Maqedoninë drejt Bashkimit Evropian", tha Solana.



Përdorimi i përmbajtjes sonë

⚠️ Përmbajtja e ueb-faqes dhe/apo platformave të tjera digjitale të Radios Evropa e Lirë mbrohet nga ligjet amerikane dhe ndërkombëtare për të drejtën e autorit.

Mirëpresim ripërdorimin, ripublikimin dhe rishpërndarjen e përmbajtjes sonë, të publikuar në platformat tona digjitale, me kusht që të na citoni drejt si "Radio Evropa e Lirë", bashkë me linkun që çon te përmbajtja jonë origjinale.

XS
SM
MD
LG