Ndërlidhjet

HOLKERI: KOSOVA KA POTENCIAL TË BËHET NJË MODEL NË RAJON


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë, Harri Holkeri në një fjalim publik drejtuar qytetarëve të Kosovës ka shpjeguar rëndësinë e përmbushjes së standardeve për Kosovën, duke theksuar se Kosova ka potencial për të qenë një model për rajonin.
"Dokumenti Standardet për Kosovën paraqet një definim të qartë dhe të kuptueshëm të llojit të shoqërisë që Kosova synon. Ky është një udhërrëfyes për të hapur diskutimet për statusit përfundimtar," tha zoti Holkeri duke i parë këto standarde synim për të gjithë në Kosovë.
Ai më pas ka thënë se ajo që këto standarde përshkruajnë është një shoqëri normale, një vend ku njerëzit janë të lirë të udhëtojnë të flasin gjuhën e tyre dhe të punojnë kudo në Kosovë, pavarësisht nga përkatësia e tyre etnike. Shefi i UNMIK-ut, Holkeri tha gjithashtu se përmbushja e standardeve nuk është provim për Kosovën, por synimi i saj, mirëpo për të filluar vendimet mbi statusin e Kosovës duhet të ketë përparim për të arritur përparimin substancial:
"Kosova, populli dhe liderët e saj do të tregojnë që janë të gatshëm që statusi i tyre i ardhshëm të përcaktohet nëpërmjet standardeve," tha zoti Holkeri sipas të cilit UNMIK-u është i gatshëm që në partneritet me kryeministrin Rexhepi të nisë procesin e përmbushjes së standardeve.
Në vazhdim të fjalimit të tij, shefi i UNMIK-ut, Harri Holkeri tha se ndryshimi nuk është i lehtë, por përkujtoi se 14 vitet pas kolapsit të komunizmit kanë treguar se shumë shoqëri nga amullia dhe stagnimi kanë arritur në prag të pranimit në Bashkimin Evropian:
"Me punë, rruga e Evropës do të hapet edhe për Kosovën," tha zoti Holkeri, sipas të cilit kjo është rruga e vetme për Kosovën, e cila ka potencial për të përmbushur standardet:
"Kosova ka potencial që të bëhet një model në rajon. Kosova tashmë ka forcën policore multietnike më së miri të trajnuar në Evropën Juglindore," tha ndër të tjera në fjalimin e tij publik zoti Holkeri.
Ndërkaq në një takim me një grup gazetarësh, zoti Holkeri ka thënë se së shpejti do të fillojë edhe vlerësimi i përmbushjes së standardeve.
Mesi i muajit janar të vitit të ardhshëm do të shënojë edhe fillimin e vlerësimeve konkrete të standardeve, përkatësisht të shkallës së përmbushjes së tyre, tha Holkeri.
Ai tha se çdo tre muaj do t’i raportojë Këshillit të Sigurimit mbi rezultatet e arritura. Zoti Holkeri tha se dyert do të mbeten të hapura edhe për përfaqësuesit politik serbë, të cilët deri tani kanë refuzuar të marrin pjesë në hartimin e projektit. Ai tha se është në interesin e tyre që të bashkangjiten në përpjekjet për zbatimin e standardeve, duke shfaqur shpresën se edhe ndikimi i Beogradit mbi udhëheqësit vendorë serb do të zbehet me kalimin e kohës.
Ndonëse nuk tha ndonjë datë të mundshme, zoti Holkeri tërhoqi vërejtjen se edhe bisedimet me Beogradin janë një nga standardet që duhet të përmbushen. Sidoqoftë, mesi i vitit 2005 mbetet periudhë e vlerësimit të standardeve, por kjo tha zoti Holkeri, mund edhe të shtyhet nëse nuk arriten rezultatet e duhura.


XS
SM
MD
LG