Ndërlidhjet

CLARK: MILLOSHEVIÇI KA MBETUR AI I VJETRI


Augustin Palokaj, Hagë

Gjenerali amerikan Wesley Clark, ish komandanti i NATO-s që udhëhoqi luftën kundër Millosheviçit për Kosovën, përfundoi sot dëshminë e tij në Hagë në gjykimin e Sllobodan Millosheviçit të akuzuar për krime lufte. Ai pas kësaj dëshmie ju drejtua gazetarëve para ndërtesës së Tribunalit të Hagës, meqë dëshmia e tij deri atëhere ishte e mbyllur për opinionin. Gjenerali Clark nuk deshi të japë hollësi rreth dëshmisë së tij, sepse ajo do të mund të transmetohet nga e premtja, por tha se "Millosheviçin e kam parë para 5 viteve, për herë të fundit dhe që atëhere kam parë vetëm fotografitë e tij, ndërsa sot e pashë se ai nuk kishte ndryshuar fare".
" Nuk pashë ndryshime në sjelljen e tij, në kokëfortësinë e tij, në sedrën e tij dhe vrazhdësinë e personit, për të cilin unë besoj se ishte përgjegjës për aq shumë masakra të viktimave në Ballkan", tha gjenerali Wesley Clark, duke përshkruar kështu sjelljen e Sllobodan Millosheviçit.
I pyetur se si është sjellur i akuzuari ndaj tij personalisht, Clark tha se ishte kjo një performancë tipike e Sllobodan Millosheviçit, një përpjekje grandioze e tij për të rrotulluar faktet, por shtoi se gjykatësit ishin të kujdesshëm dhe e mbanin atë nën kontroll. Gjenerali Wesley Clark, i cili kishte biseduar me Millosheviçin më shumë se 100 orë në prag të luftës në Kosovë, tha se në dëshminë e tij më së shumti është folur për përgjegjësinë komanduese të Millosheviçit, sepse ai qëndronte prapa të gjitha krimeve dhe kishte dijeni për gjërat që ndodhnin. Clark tha se edhe personalisht ka patur njohuri të veçanta për Millosheviçin, prandaj edhe e konsideron të rëndësishme dëshminë që bëri sot.
"Unë jam me siguri i vetmi komandant i shekullit të 20, në historinë ushtarake, i cili ka njohur kundërshtarin e tij, karakterin dhe sjelljen e tij, mënyrën e të menduarit, dhe mënyrën se si ai do t'u përgjigjej situatave. Kisha njohuri të mëdha dhe të detajuara për të dhe ato njohuri i përdora për të mirë gjatë fushatës në Kosovë," tha gjenerali Clark, duke përshkruar njohuritë që kishte që më parë nga përvoja e tij për të akuzuarin Millosheviç.
Dëshmia e gjeneralit Wesley Clark do të mund të transmetohet për publikun ditën e premte, pasi Tribunali i Hagës kishte vendosur me kërkesë të qeverisë amerikane që kjo dëshmi të ishte e mbyllur për opinionin, në mënyrë që administrata amerikane të mund të kontrollojë se mos në ndonjë pjesë të dëshmisë së tij janë rrezikuar interesat kombëtare amerikane.




XS
SM
MD
LG