Ndërlidhjet

KEAN: PËR SHUMËKË NË SERBI DEMOKRACIA KA KUPTIM PEZHORATIV


Intervistë me analistin britanik John Kean

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë i karakterizon zhvillimet aktuale në Ballkan?

JOHN KEAN
Fjala është për një seri ngjarjesh që shqetësojnë, ku Serbia nuk mund të veçohet. Kjo gjithashtu ka të bëjë me proceset paralele në Kroaci dhe kjo është pasojë e mos përfundimit të revolucioneve. Kështu Millosheviçi është përmbysur në vitin 2000 me anë të trysnisë së qytetarëve nga rruga. Ekzistonte shpresa e madhe se do të ndërtohet një shtet paqësor në parimet kushtetuese të ndarjes së pushtetit.
Edhe tre vjet më pas ky proces nuk ka përfunduar. Pastaj mekanizmat demokratike, siç janë zgjedhjet periodike, do të mund të shfrytëzoheshin për rrënimin e vetë demokracisë. Nuk jam befasuar që për shumë qytetarë të Serbisë fjala demokraci ka kuptim pezhorativ. Ka shumë arsye për këtë.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë shkaqet e zhvillimeve të tilla në Serbi?

JOHN KEAN
Kujtoj që kjo ka të bëjë me kombinimin e disa shkaqeve. Është lëshuar shansi për krijimin e institucioneve të domosdoshme shtetërore, gjë që ka shkaktuar neveri të madhe të qytetarëve ndaj politikanëve, të cilët e kanë trashëguar Millosheviçin. Bashkësia ndërkombëtare e ka të qartë që shumë institucione dhe individë në Serbi janë të korruptuar, prandaj edhe vrasja e Zoran Gjingjiçit është parë si simptomë e një gjendjeje të tillë dhe nacionalizmi sërish po forcohet.
Për këtë arsye Brukseli, Londra, Berlini, Parisi dhe Roma duhet të jenë sa më shumë të shqetësuar për shkak të rritjes së nacionalizmit atavist, i cili pra po lind përsëri.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili mund të jetë efekti i fitores së forcave anti-reformiste në Serbi?

JOHN KEAN
Dua të them edhe këtë se ripërtëritja dhe forcimi i Partisë Radikale të Serbisë krijon paragjykime në Bashkimin Evropian se në Ballkan, tek serbët nuk ka traditë civilizuese demokratike, se janë një potencial i dobët për shoqëri civile, ku nuk respektohen të drejtat dhe ndarja e pushtetit . Unë nuk besoj në këtë, nuk pajtohem dhe ky është një paragjykim i keq. Kjo politikë nacionaliste më shumë është pasojë e revolucionit të papërfunduar demokratik, mossuksesit të tranzicionit dhe përmbysjes së rregullave demokratike.

RADIO EVROPA E LIRË
Çfarë mendoni, kush do të fitojë në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Serbi?

JOHN KEAN
Mendoj se që të gjithë në Bashkimin Evropian kanë frikë nga lëvizja e theksuar drejt së djathtës nacionaliste, çka do të thotë se do të ndodhë një etnifikim total i politikës, respektivisht çështja nacionale do t'i nënshtronte të gjitha çështjet e tjera si në kohën e Millosheviçit. Kjo do të thotë edhe fund i procesit të filluar më 5 tetor të vitit 2000. Natyrisht që kjo do t'i shkaktonte dhimbje koke edhe pjesës tjetër të Evropës. Do të ketë më pak investime të huaja, ndërsa nuk do të ketë fare gadishmëri nga bota për forcimin e bashkëpunimit edhe në fusha të tjera.
Pra, kjo ecuri e zgjedhjeve në kuptim të shkuarjes në të djathtë dhe etnifikimi i politikës do të jetë e dëmshme parasëgjithash për Serbinë.

RADIO EVROPA E LIRË
A mendoni kështu edhe nëse Partia Radikale Serbe mbetet në opozitë, ndërsa qeverinë e formon Vojisllav Koshunica në koalicion me disa forca të tjera?

JOHN KEAN
Po. Kujtoj që Koshtunica merret si politikan që ka rezerva të theksuara ndaj Bashkimit Evropian dhe perëndimit në përgjithësi. Njëkohësisht ai fuqishëm është i prirur për projektet nacionaliste dhe për politikën që mbështetet në përceptimin se populli është i frikësuar. Mirëpo, Serbisë i duhet një politikë që ndjen ndaj të tjerëve, i duhet një hapje ndaj botës, pra një politikë që kultivon vetëbesim tek qytetarët dhe jo të ndjellë keq dhe frikë.

RADIO EVROPA E LIRË
Si do të reagojë Bashkimi Evropian dhe Bashkësia ndërkombëtare nëse fitojnë këto forca. Do të ketë trysni mbi qeveritarët në Beograd, izolim apo do të bëhen përpjekje për t'i ndihmuar forcat demokratike?

JOHN KEAN
Bashkimi Evropian ende nuk ka vendosur se si do të reagojë në rast të epilogut të tillë të zgjedhjeve në Serbi. Por, një është e sigurt: Bashkimi Evropian nuk mund të jetojë bashkë ose në fqinjësi me regjimet nacionaliste, diktatoriale ose autoritare. Ajo nuk mund ta miratojë një gjë të tillë. Rrjedhimisht, pres që Bashkimi Evropian të reagojë gjithnjë e më fuqishëm ndaj qeverive të tilla ultra–djathtiste, sepse për faktin që ato nuk mund të sigurojnë zgjidhje të vazhdueshme demokratike, ato nuk janë kërcënim vetëm për Balkanin, por janë pengesë edhe për vetë Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Në rast të fitores së forcave anti-reformiste në Serbi, a mendoni se kjo do të jetë edhe një motiv më shumë për Kosovën dhe Malin e Zi për ta shpejtuar procesin e pavarësimit?

JOHN KEAN
Gjithsesi. Nacionalizmi nxit nacionalizmin. Ky është një rregull në Ballkanin e 20 vjetëve të fundit. Nacionalizmi i bën politikanët të ndihen më të fuqishëm, por nuk i zgjidh problemet ekonomike e sociale dhe nuk është predispozitë për qeverisje të mirë. Mendoj se zëvendësi i kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, Xhefri Najs, kishte hetuar mirë se gjykimi i Slobodan Millosheviqit njëkohësisht po dëshmon se çdo të thotë ardhja në pushtet me mjete jo-demokratike, qeverisja e papërgjegjshme dhe jo morale. Këta faktorë bënin esencën e politikës që ka dominuar në Ballkan gjatë dy dekadave të fundit. Tash është shumë e rëndësishme që qytetarët, partitë me kapacitete demokratike, profesionistët, biznesmenët në Serbi dhe gjithë rajonin, t'i japin fund të kaluarës dhe politikave të papërgjegjëshme dhe jo morale. Ky duhet të jetë synimi, ndërsa si do të realizohet, mbetet të vendosin qytetarët e Serbisë.



XS
SM
MD
LG