Ndërlidhjet

KËSHILLI I SIGURIMIT I KB DISKUTOI PËR KOSOVËN


Robert McMehon, Nju Jork Nënsekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara për paqeruajte, Jean-Marie Guehenno tha sot se serbët e Kosovës kanë pak ndikim në vendim-marrje në secilin nivel të qeverisë në Kosovë. Ai poashtu tha se serbët janë dobët të integruar. Jean-Marie Guehenno, mëtutje, tha se më pak se 10 mijë serbë janë kthyer në Kosovë nga popullata e para vitit 1999, që sipas tij, ishte afërsisht 250 mijë.

Kthimi dhe integrimi i minoriteteve është standardi kryesor në politikën e Kombeve të Bashkuara për Kosovën, "standardet para statusit". Një dokument i publikuar këtë muaj fton për këto standarde të ri-shikohen pas 18 mujash, por zoti Guehenno është shprehur se kjo gjë nuk është një afat formal për përcaktimin e statusit final të Kosovës.
- Është e qartë se nuk ka afat dhe se procesi i statusit të ardhshëm nuk do të filloj automatikisht në datën e paraparë për rishikim. Domosdoshmëri për çfarëdo diskutimi për statusin e ardhshëm të Kosovës mbetet arritja e tetë standardeve.

Standardet e tjera përfshijnë fuksionimin e institucioneve demokratike, pushtetin e ligjit, lëvizjen e lirë, dialogun me Beogradin...Anëtarët e Këshillit të Sigurimit shprehën pakënaqësi se një pjesë e madhe e këtyre standardeve po zvarriten. Ata, veçanërisht, ftuan Prishtinën dhe Beogradin ta vazhdojnë dialogun e drejtëpërdrejtë. Ambasadori gjerman në Kombet e Bashkuara, Gunter Pleuger tha se dështimi për tu angazhuar në dialog dhe në reformat e tjera do të ketë ndikim në të ardhmen e Kosovës në integrimet evropiane:
- Implementimi i standardeve do të jetë ngushtë i lidhur me procesin e asocimit në Bashkimin Evropian dhe, në të kundërtën, obstruksioni i përpjekjeve për ti arritur standardet do të ketë padyshim konsekuenca serioze për aspiratat për tu afruar kah Evropa.

Përfaqësuesit e Britanisë dhe të Shteteve të Bashkuara poashtu kërkuan vazhdimin e bisedimeve, që së pari u mbajtën në mesin e Tetorit të këtij viti. Ambasadori britanik, Emyr Jons Parry poashtu kërkoi nga liderët shqiptarë të Kosovës që sinqerisht ti përqafojnë përpjekjet për reforma:
- Kosovës i është dhënë rasti që të dalë nga hija e errësirës dhe të lëvizë përpara dhe i tërë procesi "standardet para statusit" nuk është i natyrës retorike. Është absolutisht bazik për një Kosovë që të gjithë ne dëshirojmë ta shohim të krijuar.

Liderët e institucioneve të Kosovës, kryetari dhe kryeministri kanë deklaruar vendosmërinë e tyre për procesin e implementimit të tetë standardeve kryesore. Liderët serbë të Kosovës kanë kritikuar dokumentin për standarde, që do të rishikohet në mesin e vitit 2005, si joadekuat.

Nënsekretari për paqeruajte Guehenno i ka thënë Këshillit të Sigurimit se liderët kosovarë nuk e kanë përkrahur dialogun me Beogradin për çështje praktike për shkaqe politike. Por ai tha se puna përgatitore po vazhdon brenda qeverisë lokale. Ai mëtutje tha se Beogradi nuk ka pasur vullnet të diskutoj për dialogun për shkak të fushatës për zgjedhjet paralamentare të Serbisë.

Ambasadori i Serbisë dhe Malit të Zi në Kombet e Bashkuara. Dejan Shahoviq i tha Këshillit të Sigurimit se liderët kosovarë duhet të fajësohen për dështimin e vazhdimit të bisedimeve:
- Ne shprehim gatishmëri të plotë të Serbisë dhe Malit të Zi për tu angazhuar në diskutime për çështje praktike të interesit të dyanshëm, që do të përmirësonte jetën e përditshme të të gjithë banorëve të Kosovës.

Sipas marëveshjes paraprake, ekspertët nga të dy palët do të duhej të takoheshin për të diskutuar çështjet praktike siç janë energjia, transporti dhe kthimi i minoriteteve.
XS
SM
MD
LG