Ndërlidhjet

OSBE: PROCEDURAT NË RREGULL, KONTESTUESE ÇËSHTJA E DËSHMITARËVE


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Procedurat gjyqësore dhe paragjyqësore në rastin e gjykimit kundër të të ashtuquajturit Grupi i Llapit, kanë qenë korrekte thuhet në një raport të seksionit të monitorimit ligjor të OSBE-së, mirëpo gjithashtu kritikohet mënyra e marrjes në pyetje të dëshmitarëve të mbrojtur. Shefi i departamentit të të drejtave të njeriut dhe sundimit të ligjit në OSBE, Carsten Weber tha se gjykimi në përgjithësi ka qenë korrekt, mirëpo nuk ka dashur të analizojë dhe të vlerësojë vetë verdiktin e shpallur kundër katër ish-pjesëtarëve të UÇK-së, të dënuar për krime lufte të kryera kundër popullatës civile. Ai tha se monitorimi që është bërë ka dëshmuar se procedurat janë respektuar në tërësi si në periudhën para gjykimit, po ashtu edhe gjatë gjykimit.
"Dëshmitarët e mbrojtur janë marrë në pyetje në një largësi dhe pa u parë nga paneli apo nga gjykatësi, ndërkohë që ne mendojmë se ndonjë masë alternative do të ishte më e përshtatshme për të vërejtur besueshmërinë e dëshmitarëve, tha zoti Weber, ndërkohë që drejtuesja e zyrës për analiza ligjore, Helena Sancho tha se çështja e besueshmërisë së dëshmitarëve të mbrojtur nuk duhet shtruar nga aspekti i besueshmërisë së tyre, por nga ajo nëse duhet respektuar rregullorja e UNMIK-ut që lejon dëshmitarë të tillë:
"Nëse shikoni situatën, kjo nuk ndikon mbi të drejtat e të akuzuarve. Ky ishte një aspekt i vogël dhe nuk llogaritet si shkelje e të drejtave të njeriut, prandaj ne themi se ky ishte një gjykim korrekt," tha zonja Sancho, sipas të cilës dëshmitarët e mbrojtur megjithatë duhet të trajtohen si dëshmitarë të besueshëm dhe dëshmitë e tyre nuk përbëjnë shkelje procedurale, edhe pse disa gjëra kanë mundur të organizohen më mirë, për një paraqitje më të besueshme të dëshmitarëve të mbrojtur.
"Ne nuk mund të themi se dëshmitarët dëshmuan korrektësisht, por vetëm themi se ata janë trajtuar me korrektësi dhe mbrojtjes i janë ofruar mundësitë për t’i marrë ata në pyetje," tha zonja Helena Sancho, sipas të cilës këtij raporti nuk i interesojnë vlerësimet për dëshmitaë apo dëshmitarët, por vetëm procedurat.
Ndërkohë, avokati Tomë Gashi, një nga mbrojtësit në këtë rast, ka protestuar gjatë konferencës për shtyp, duke i quajtur të pavërteta shumë të dhëna në këtë raport, përfshirë edhe faktin se avokatët janë lejuar të marrin në pyetje dëshmitarët e mbrojtur. Kjo nuk është e vërtetë tha zoti Gashi, duke mohuar edhe të dhënat në raport se avokatët janë paguar nga gjykata, siç thuhet në raport.
Sidoqoftë, pa dashur të përzihen në vlerësime, zyrtarët e OSBE-së thanë se do ta përcjellin çështjen edhe me rastin e shqyrtimit në Gjykatën Supreme të Kosovës.

XS
SM
MD
LG