Ndërlidhjet

TRIPOLI


Vendimi i Libisë për ti çmontuar programet e saja bërthamore për prodhimin e armëve të ndaluara, do të luajë rol kyç në ndërtimin e një bote të lirë nga armët e shkatërrimit në masë, tha lideri Muammar Gaddafi.
Në deklaratën e bërë publike, Gaddafi tha se vendimi paraqet hap "të urtë dhe të guximshëm".
Ndërkaq ministri i jashtëm i Libisë, Mohamed Abd- al-Rahman Shalgam ka thënë se Libia dëshiron të fokusohet në zhvillimin dhe normalizimin e lidhjeve me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.
Pas mohimit disavjeçar, Libia dje pranoi se është përpjekur të zhvillojë armë për shkatërrim në masë, por tha se do të heqë dorë nga programet. Vendimi menjëherë u përshëndet nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania.
"Derisa qeveria e Libisë i ndërmerr këto hapa esenciale për të demonstruar seriozitetin e saj, mirëbesimi do të rikthehet. Libia sërish mund ta fitojë vendin e sigurtë dhe të respektuar në bashkësinë e kombeve, dhe të arrijë marrëdhënie shumë më të mira me Shtetet e Bashkuara", tha presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush.
Kryeministri britanik Tony Blair e quajti vendimin "të guximshëm.
"Vendimi i kolonel Gaddafit është historik dhe i guximshëm, dhe unë e përshëndes. Kjo do ta bëjë rajonin dhe botën më të sigurtë. Vendimi tregon se problemet e proliferimit mund të zgjidhen me diskutime dhe angazhime, të përcjella me përgjegjësinë e agjencive ndërkombëtare, por edhe dëshmon se vendet mund të heqin dorë nga programet në mënyrë vullnetare", tha Tony Blair.
Hapin e Tripolit e përshëndetën edhe Franca, Kina dhe Japonia
Vendimi i Libisë vijoi pas disa muajve të negociatave sekrete me Shtetet e Bashkuara dhe Britaninë.
XS
SM
MD
LG