Ndërlidhjet

NESËR BËHET BARTJA FORMALE E PËRGJEGJËSIVE JO TË REZERVUARA


Zijadin Gashi, Prishtinë

Aktin e nesërm formal të bartjes së kompetencave jo të rezervuara nga administrata e UNMIK-ut te Qeveria vendore, zyrtarë nga kabineti i kryeministrit të Kosovës, e vlerësojnë si akt të vonuar dhe pa ndonjë rëndësi të madhe sa i përket funksionimit të qeverisë vendore. Sipas këshilltarit të kryeministrit të Kosovës, Rexhep Hotit, ky akt nuk ka ndonjë rëndësi të madhe, pasi këto kompetenca u kanë takuar vendorëve që para 20 muajve kur është themeluar qeveria e Kosovës:
“Do të thoja se kjo ka qenë ndoshta loja më e madhe që është bërë në 20 muajt e fundit në Qeveri, sepse bartja e kapitullit pestë, transferi i kompetencave si po thonë këta, është një papërgjegjësi e plotë, pasi institucionet e Kosovës as që kishin pasur mundësi të ekzistojnë pa kapitullin pesë”, tha Hoti.
Ndërkohë që zyrtarë të UNMIK-ut nuk janë prononcuar, duke ia lënë mundësinë që vlerësimet dhe komentet t’i bëjë nesër vetë shefi i UNMIK-ut Harri Holkeri, sipas zotit Hoti, deklarimi i UNMIK-ut për bartje të përgjegjësive, është në fakt vetëm një dëshmi se UNMIK-u e pranon ekzistimin e qeverisë vendore dhe asgjë më tepër:
“Në fakt UNMIK-u pas 20 muajve po e bën zyrtarizimin e ekzistencës së institucioneve të Kosovës, me fjalë të tjera, në fakt nga ai moment kemi një akt formal juridik dhe politik, që institucionet e Kosovës mund të funksionojnë në bazë të kapitullit pesë, që do të thotë se deri më tani kjo nuk ka qenë e mundur”, tha zoti Hoti, për të shtuar se përgjegjësitë e transferuara si dhe ato jo të transferuara, vetëm de jure duken të bartura, pasi sipas tij, ushtrimin e tyre në fusha të ndryshme vazhdon ta bëjë administrata e UNMIK-ut, respektivisht shtyllat e saj. Hoti tha se bartje e kompetencave mund të quhet vetëm ai akt i cili do të sigurojë transferin e përgjegjësive të rezervuara, ku bëjnë pjesë siguria, politika e jashtme, drejtësia e fusha të tjera, të cilat mbeten nën kompetenca të shefit të UNMIK-ut:
“Transferi i kompetencave nënkupton pjesën e rezervuar në kuadër të Kornizës Kushtetuese e jo pjesës zyrtare e cila iu takon institucioneve vendore. Në këtë drejtim UNMIK-u duhet të pushojë me këtë lojë dhe duhet vërtetë ta kryejë misionin e vet në ndihmë të institucioneve vendore, dhe vetshuarjen e vet”, vlerësoi Hoti.
Sidoqoftë, bartja e kompetencave jo të rezervuara deri në fund të vitit 2003 është një akt që e ka kërkuar dhe Këshilli i Sigurimit. Ndërsa lidhur me fushat e rezervuara, shefi i UNMIK-ut ka premtuar deri tani se do të lejojë hapjen e dy zyrave, atë për bashkëpunim me jashtë dhe zyrën për energjetikë, por ai, të paktën deri tani e ka përjashtuar mundësinë që qeveria e Kosovës të kompletohet me ministritë përkatëse për fushat në të cilat ajo nuk ka përgjegjësi.




XS
SM
MD
LG