Ndërlidhjet

BUSEK: QËNDRIMI I BASHKËSISË NDËRKOMBËTARE DO TË VARET NGA KONCEPTI I QEVERISË SË RE


Erhard Busek, Koordinator i Paktit të Stabilitetit

Duke i komentuar rezultatet e zgjedhjeve parlamentare në Serbi, koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek thotë se ato në një mënyrë priteshin pasi zgjedhësit kishin shpresuar shumë në reformat e periudhës së kaluar dhe se ndjenja se nuk e kishin fituar atë që e dëshironin solli rezultate të tilla të zgjedhjeve.
Tre partitë pro-reformiste në Serbi, ajo e Koshtunicës, e Tadiçit dhe e Llabusit nuk mund ta formojnë kabinetin e ri. Në këtë aspekt thuhet se atyre në këtë koalicion të mundshëm u duhet edhe partia e Drashkoviçit. Duke i komentuar këto mundësi, Erhard Buseku thotë:
"Duhet ta arrijnë ndonjë marrëveshje të brendshme. Sepse nëse ky grupacion nuk është në gjendje ta formojë qeverinë, atëherë nuk është reale të pritet që Partia e Drashkoviçit të marrë pjesë në një qeveri që do ta formonin Partia radikale dhe ajo socialiste" – thotë Erhard Busek.
Në këtë situatë, thotë mëtutje Busek, do të thellohej mosbesimi i bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë. Këtu nuk duhet harruar, sipas tij, se Serbisë i duhen investime dhe se investitorët e jashtëm potencialë gjithsesi bëjnë analiza se cilës qeveri do të mund ti besohej.
Pasi ishin bërë të ditua rezulatet e para të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, Vojisllav Koshtunica kishte deklaruar se "pjesërisht edhe bashkësia ndërkombëtare është përgjegjëse për suksesin e Partisë Radikale sepse siç ka thënë zoti Koshtunica, bashkësia ndërkombëtare e ka kushtëzuar Serbinë, para se gjithash lidhur me bashkëpunimin me Tribunalin e Hagës. Lidhur me këto konstatime, koordinatori i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore, Erhard Busek thotë:
"Çdoherë është lehtë të fajësohen të tjerët. I këshilloj të gjithë politikanët që ta shqytojnë mirë se në çfarë mënyrë mund ta ndihmojnë më së shumti Serbinë, sepse bashkëpunimi i Beogradit me Tribunalin e Hagës as në të kaluarën nuk ka qenë shumë i mirë" – thotë Busek dhe shton, -"Duhet pyetur Koshtunica se a ekziston ndonjë alternativë tjetër; a janë politikanët serbë të bindur se mund të shkojnë rrugës së tyre të pavarur pa bashkëpunim me botën? Kjo gjë gjithsesi është jo-reale, veçanërisht jo në Evropë dhe në pjesën juglindore të kontinentit" – tha zoti Busek.
Duke folur për mundësitë e ndërrimit të politikës së bashkësisë ndërkombëtare ndaj Serbisë, Erhard Busek përgjigjet:
"Kjo së pari varet nga fakti se cili do të jetë koncepti i qeverisë së re. Njëherësh, nuk duhet harruar se marrëveshja për Stabilizim Asociim për në Bashkimin Evropian nënkupton plotësimin e kushteve të caktuara. Pra, është i domosdoshëm respektimi i rregullave nëse doni të jeni në Evropë. Kjo vlen për të gjitha vendet dhe nuk ka përjashtime" – tha Erhard Busek, koordinator i Paktit të Stabilitetit për Evropën Juglindore.

XS
SM
MD
LG