Ndërlidhjet

RUGOVA: 2004 VIT I KONSOLIDIMIT TË INSTITUCIONEVE TË KOSOVËS


Rrahman Paçarizi, Prishtinë

Viti 2004 do të jetë vit i sukseseve të mëdha për Kosovën, ka deklaruar sot presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, në një mesazh drejtuar qytetarëve të Kosovës me rastin e Vitit të Ri, duke e vlerësuar vitin që po lëmë pas, një vit të forcimit të progresit të Kosovës në të gjitha fushat e jetës:
"Ishte një vit pune dhe sukses i institucioneve të Kosovës. Ishte një vit i forcimit të lirisë, të sigurisë dhe të ekonomisë. Ishte një vit i afirmimit më të madh të kërkesës së popullit për njohjen formale të pavarësisë së vendit tonë."
Presidenti Rugova tha se në vitin që po hymë vëmendje e veçantë do t’i kushtohet zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit të të gjithë qytetarëve, ndërsa një punë e mirë do të bëhet me bartjen e përgjegjësive tek institucionet e Kosovës:
"Do të gjejmë forma më të frytshme të veprimit të përbashkët dhe do të punojmë për integrimin më të shpejtë të Kosovës në Bashkimin Evropian, në NATO dhe në miqësi të përhershme me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe njëherësh do të veprojmë në përfaqësimin diplomatik të vendit tonë në arenën ndërkombëtare, ndërsa me fqinjët do të bëjmë përpjekje të kultivojmë marrëdhënie të mira".
Presidenti Rugova tha ndërkaq se në planin e brendshëm do të vazhdohet integrimi i grupeve etnike dhe i minoriteteve në shoqërinë dhe në shtetin e Kosovës, siç u shpreh zoti Rugova për të vazhduar se gjatë vitit të ardhshëm do të fuqizohet puna për vlerësimin e standardeve që janë përmbushur dhe të atyre që do të përmbushen:
"Në të njëjtën kohë do të veprojmë bashkë me miqtë tanë që të bëhet njohja formale e pavarësisë së vendit tonë sa më parë, gjë që do të shpejtonte proceset e brendshme demokratike dhe ekonomike dhe do të qetësonte këtë pjesë të Evropës dhe të botës dhe vetë popullin e Kosovës", tha ndër të tjera në mesazhin e tij të Vitit të Ri presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, duke përkujtuar me dhimbje dhe me krenari të gjithë ata që dhanë jetën e tyre për lirinë, pavarësinë dhe demokracinë e Kosovës dhe premtoi se do të bëhet më shumë për ndriçimin e fatit të të zhdukurve.



XS
SM
MD
LG