Ndërlidhjet

BOTA NË VITIN 2003


Bruce JACOB

Viti 2003 filloi me shtimin e gjasave për luftën në Irak. Por droja nga programi bërthamor i Koresë së Veriut, gjithashtu ishte ndër lajmet kryesore në ditët e para të Janarit.
Pas takimit të bordit të Agjencisë Ndërkombëtare Bërrthamore në Vienë, drejtori i saj Mohamed ElBaradei deklaroi se Koreja e Veriut ka dështuar në përmbushjen e obligimeve nga traktatet mbi sigurinë bërthamore.
"Shpresoj që Koreja e Veriut do ta shfrytëzojë mundësinë për ti përmbushur obligimet", tha ElBaradei.
Më vonë në Janar, presidenti i Shteteve të Bashkuara George Bush e shfrytëzoi fjalimin vjetor për të paralajmëruar nga rreziqet e armëve të shkatërrimit në masë. Por, njëra nga fjalitë që ai tha, më vonë i nxorri telashe.
"Qeveria britanike ka mësuar se Saddam Husseini së voni ka kërkuar sasi të konsiderueshme uraniumi nga Afrika", tha Bush.
Disa muaj më vonë, Shtëpia e Bardhë provokoi stuhi kritikash kur u bë publike se akuzat e presidentit Bush ishin mbështetur në dokumenta të fabrikuara. Kritikët thanë se administrata e Bushit e ka ditur apo duhej ta dijë se dokumentat ishin të falsifikuara shumë kohë para fjalimit të presidentit.
Në 1 Shkurt, presidenti sërish iu drejtua kombit, por tema nuk ishte Iraku. Anija kozmike Columbia u bë copë-copë kur hyri në atmosferën e Tokës, duke vrarë 7 anëtarët e ekuipazhit.
"Udhëtimi ynë në gjithësi do të vazhdojë. Në qiejt sot pamë shkatërrim dhe tragjedi. Megjithate, vazhdojmë të shohim se atje ka shpresë", tha presidenti Bush.
Në 14 Shkurt, sekretari amerikan i shtetit Colin Powell bëri një paraqitje dramatike në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Misioni i tij ishte ti bindë vendet që hezitonin se Iraku i zotëron dhe i fsheh armët e shkatërrimit në masë, si dhe i shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit.
"Nuk e llogaritëm antraksin. Nuk i llogaritëm agjentët biologjikë dhe armët kimike. Këto nuk janë çështje triviale që mund të injorohen dhe të lihen anash, dhe të presim që inspektorët ndoshta do ti gjejnë apo jo", tha Powell.
Përkundër përpjekjeve intenzive të hetuesve amerikanë, deri në fund të vitit 2003, në Irak nuk u zbuluan kurrfarë armësh për shkatërrim në masë.
Në fillim të Marsit, Shtetet e Bashkuara e bënë publike kthesën në luftën kundër terrorizmit, me arrestimin e Khalid Sheikh Mohammed në Pakistan, i cili u konsiderua komanduesi kryesor i operacioneve të Al Kaidës. Zëdhënësi i atëhershëm i Shtëpisë së Bardhë Ari Fleicher tha:
"Presidenti Bush i shprehu mirënjohje presidentit të Pakistanit Pervez Musharraf për kapjen e Khalid Sheikh Mohammed, orkestruesit të sulmeve terroriste të 11 Shtatorit. Ky është zhvillim serioz dhe grusht i rëndë për Al Kaidën", tha Fleischer.
Në 12 Mars erdhi lajmi për vrasjen e kryeministrit serb Zoran Xhingjiq. Zëvendës kryeministri Nebojsha Çoviq e quajti atentatin prëpjekje për destabilizimin e vendit.
"Akti kriminal është përpjekje e qartë e atyre që përpiqen ta pengojnë zhvillimin dhe demokratizimin e Serbisë, ta ndryshojnë kursin e historisë dhe Serbinë ta kthejnë në perandori të kriminelëve", tha Çoviq.
Në 19 Mars, presidenti George Bush i dha ultimatum Saddam Husseinit: "Lëshoje Irakun dhe lejoi trupat e koalicionit të hyjnë për ti asgjësuar armët e shkatërrimit në masë, ose përballu me sulmin".
Një ditë më vonë, Bushi e shpalli fillimin e operacioneve luftarake.
"Me urdhërin tim, forcat e koalicionit filluan goditjen e caqeve të zgjedhura me rëndësi ushtarake, për ta minuar aftësinë e Saddam Husseinit të zhvillojë luuftën. Kjo do të jetë fushatë e gjerë dhe e bashkërenduar", tha Bush.
Në fillim të Prillit, frika nga epidemia filloi të përhapet në botë. SARS-i, apo Sindromi i Rëndë Akut Respirator, shkaktoi të vdekur në Kinën jugore, por shpejt u përhap në mbi 25 vende. Drejtuesja e Organizatës Botërore të Shëndetësisë Gro Harlem Brundtland i turbulloi të gjithë eksperët e mjekësisë.
"Ende nuk kemi përgjigje përfundimtare dhe të qartë të ekspertëve për virusin e sëmundjes", tha Brundtland, ndërkohë që SARS-i infektoi mbi 8.000 njerëz, dhe mbyti rreth 800.
Në 9 Prill, televizionet në mbarë botën shfaqën pamje që simbolizuan rënien e liderit të Irakut Saddam Hussein. Autoblindat amerikane e tërhoqë zvarrë bustin e diktatorit para irakienëve të ngazëllyer në qendër të Bagdadit. Sekretari i Mbrojtjes Donald Rumsfeld ngjarjen e quajti kthesë në historinë e botës.
"Skenat e irakienëve të lirë që kremtojnë në rrugë dhe u hipin tankeve amerikane në qendër të Bagdadit, të lënë pa frymë. Nuk mund të mos mendosh për rënien e Murit të Berlinit dhe kollapsit të Perdes së Hekurt", tha Rumsfeld.
Në 2 Maj, presidenti Bush e priti aeroplanmbajtësen Abraham Lincoln në brigjet e San Diegos. I veshur me xhaketën e pilotëve, në kuvertën e luftanijes, presidenti tha:
"Operacionet kryesore luftarake në Irak përfunduan. Në betejën e Irakut, Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë ngadhnjyen", tha George Bush.
Ai paralajmëroi se vështirësitë në Irak do të mbeten. Sulmet kundër forcave të koalicionit vazhduan. Në fund të vitit 2003, numri i të vrarëve e tejkaloi dyfishin e të vrarëve gjatë luftës.
Në 4 Qershor, presidenti Bush mori pjesë në samitin për Lindjen e Mesme në Jordani.
"Jemi këtu për të kuptuar se të gjithë njerëzit kanë të drejtë të jetojnë në paqe. Ne besojmë se me angazhim, bindje dhe guxim, mund të vendoset paqja në Lindjen e Mesme", tha ai.
Një muaj më vonë kryeministri palestinez Mahmoud Abbas dha dorëheqje, dhuna shpërtheu sërish, kurse plani i paqes ngeci.
Në 22 Korrik, në Irak u vranë dy djemtë e Saddam Husseinit, Qusay dhe Uday.
"Katër persona u vranë gjatë operacionit, dhe konfirmuam se në mesin e tyre janë Uday dhe Qusay", tha komandanti i trupave amerikane në Irak, gjenerali Ricardo Sanchez.
Nga mesi i Gushtit, një person i ndërlidhur me Osama bin Ladenin u arrestua në Azinë Juglindore. Kryeministri i Australisë John Howard tha: "Ai është lidhja kryesore ndërmjet Al Kaidës dhe Jemaah Islamiya. Hambali ishte orkestruesi kryesor i sulmeve në Bali ku u vranë 202 njerëz ".
Në 19 Gusht, terroristët e ngritën në erë kamionin përplot eksploziv para selisë së Kombeve të Bashkuara në Bagdad. Mbi 20 njerëz u vranë, përfshirë përfaqësuesin special Sergio Vieira de Mello. I shokuar dhe mllefosur, sekretari i përgjithshëm Kofi Annan megjithate tha se puna për rindërtimin e Irakut do të vazhdojë.
"Ne duhet të shmangemi apo zbrapsemi nga ky akt i pakuptimtë brutal i dhunës. Ata që na i vranë kolegët, bënë krim jo vetëm kundër Kombeve të Bashkuara, por kundër vetë Irakut", tha Annan.
Në fund të Gushtit, në qytetin Najaf në Irak, me autobombë u vra Ayatollah Mohammed Baqir al-Hakim, dhe mbi 100 të tjerë.
Një atentat tjetër ndodhi në 10 Shtator në Suedi. Ministreja e Jashtme Anna Lindh u godit me thikë në një shitore të Stokholmit. Të nesërmen, vdekjen e saj e bëri publike kryeministri Goran Persson.
"Me keqardhje e mora lajmin se Ministreja e Jashtme e Suedisë Anna Lindh vdiq nga plagët që mori", tha Persson.
Vrasësi, një suedez me origjinë serbe do të gjykohet në vitin 2004.
Në 10 tetor, Komiteti Norvegjez i Nobelit shpalli se Çmimin Nobel për herë të parë do ta marrë një grua myslimane. Avokatja nga Irani Shirin Ebadi fitoi famën me angazhimin e saj për të drejtat e refugjatëve, grave dhe fëmijëve.
"Kërkesa ime për qeverinë e Iranit, dje, sot dhe në ditët që vijnë, është që të gjithë të bashkohemi dhe të respektohen të drejtat e njeriut në Iran", tha Ebadi.
Në 25 Tetor, forcat speciale ruse e arrestuan kreun e kompanisë Yukos Mikhail Khodorkovsky. Zëdhënësja e prokurorisë Matyunina tha.
"Rastet kriminale për mashtrim dhe evazion të taksave janë pa presedencë. Dëmet e shkaktuara nga Khodorkovsky dhe të tjerët vlerësohen në 1 miliardë dollarë", tha Matyunina.
Në Gjeorgji, nuk pushuan protestat në rrugë pas zgjedhjeve parlamentare në 2 Nëntor. Presidenti Eduard Shevardnadze dha dorëheqje.
"Kjo nesër mund të përfundojë me gjakderdhje, prandaj vendosa të jap dorëheqje", tha Shevardnadze.
Në 7 Dhjetor, Rusia mbajti zgjedhje parlamentare. Rezultati ishte fitore e madhe e partisë Rusia e Bashkuara, e afërt me Kremlinin. Presidenti Vladimir Putin e quajti rezultatin fitore të demokracisë.
"Përfundimi kryesor që duhet të nxjerrim është se pavarësisht nga fushata dhe rezultatet, zgjedhjet janë edhe një hap tjetër drejt forcimit të demokracisë në Rusi", tha Putin.
Por, OSBE-ja e kritikoi dominimin total të mediave ruse para zgjedhjeve, dhe e vuri në pikëpyetje gatishmërinë e Rusisë për të ecur drejt standardeve të zgjedhjeve demokratike.
Dhe më në fund, ngjarja më e madhe që ndodhi në fund të vitit ishte kapja e Saddam Husseinit në vendlindjen e tij në Tikrit. Kjo u bë publike në 14 Dhjetor në konferencën për shtyp në Bagdad nga administratori civil i Irakut Paul Bremer. Fjalët e tij e kapluan botën.
"Zonja dhe zotërinj, e kapëm...", tha Bremer.
Bota i pa pamjet e Sadadam Husseinit të parruar, i cili iu nënshtrua kontrollit mjekësor, pasi ishte nxjerrë nga vrima në tokë. Ishte një pamje krejtësisht tjetër e njeriut që e shihnim në fillim të vitit.
XS
SM
MD
LG