Ndërlidhjet

DY VJET PAS


Shkelzen Maliqi Kosova, dy vjet pas intervenimit, ndonëse ka probleme të hapura, megjithatë jep shembull të rindërtimit të shpejtë dhe të rikthimit të sigurisë dhe të perspektivës së zhvillimit të shoqërisë dhe demokracisë.

Përvjetori i dytë i hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, shënohet në një ambient relativisht të qetë. Kuptohet, në Kosovë ende ka tensione dhe çështje të pazgjidhura, mirëpo atmosfera e përgjithshme dallon prej përvjetorit të parë, kur shkalla e dhunës në Kosovë ende ishte e lartë. Pokështu, edhe në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara dhe qendrat ndërkombëtare të vendosjes, çështja e Kosovës vjet konsiderohej e nxehtë dhe me dilema të mëdha se në ç‘drejtim duhet të vazhdojë misioni i protektoratit. Në përvjetorin e dytë të hyrjes së trupave të NATO-s, në seline e Kombeve të Bashkuara nuk hetohen shqetësime, dhe mandati i UNMIK-ut pritet të vazhdohet me automatizëm, pa ndonjë obstruksion apo kundërshtim të kursit të parapërcaktuar, i cili çon drejt mbajtjes së zgjidhjeve të përgjithshme në vjeshtë, me çka do të mundësohet krijimi i institucioneve demokratike vendore të Kosovës.
Shkalla më e lartë e stabilitetit dhe të sigurisë dëshmohet edhe me faktin se Kosova tani ka kapacitete që të pranojë dhe të strehojë një valë relativisht të madhe të refugjatëve nga Lugina e Preshevës, dhe sidomos nga Maqedonia, ku është bartur aktualisht kriza rajonale. Luftimet në Maqedoni, që kryesisht zhvillohen në zonat malore përgjatë kufirit me Kosovën, kanë ndikime politike dhe ekonomike në Kosovë, mirëpo ato nuk janë të shkallës brengosëse.
Prania e trupave të NATO-s në Kosovë dhe në disa pjesë të rajonit, nuk lejon ekskalimin e konflikteve të reja rajonale. Në të vërtetë, në Maqedoni, ku tash tre muaj zhvillohen konfliktet e armatosura të intenzitetit të ulët ndërmjet forcave maqedone dhe njësive kryengritëse të UÇK-së, kriza ka arritur pikën kritike para shpalljes së gjendjes së luftës. Përpjekjet që të arrihet një marrëveshje politike, e cila do të mundësonte ndërprerjen e konflikteve dhe demobilizmin e njësive kryengritëse, sipas modelit tashmë të sprovuar në Luginën e Preshevës, deri më sot nuk kanë pasur sukses. Arsyeja për këtë mbase qëndron në faktin se problemet e Maqedonisë janë më të mëdha dhe më komplekse se ato në Luginën e Preshevës. Pokështu, në rastin e Preshevës, ndërmjetësimi i faktorit ndërkombëetare dhe i forcave të NATO-s mes palëve ndërluftuese ka qenë i drejtpërdrejtë, ndërkaq që zyrtarët e Maqedonisë, edhe pse bashkëpunojnë me ndërkombëtarët, edhe me tej parapëlqejnë doktrinën e mposhtjes militare të forcave rebeluese, si parakusht për të hyrë në dialog politik. Ky insistim në fitorën militare nuk ka dhënë sukses dhe dyshohet me arsye se është rruge e drejtë për përfundimin e konfliktit. Përkundrazi, ajo çon në vazhdimin dhe zgjërimin e luftës.
Për këtë arsye gjithnjë e më shumë imponohet nevoja e ndërhyrjes së trupave të NATO-s në Maqedoni, të cilat do të siguronin, si edhe në Kosovë dhe në Luginën e Preshëvës, jo vetëm tërheqjen dhe demobilizmin e palëve ndërluftuese, por edhe ambientin për zgjidhje politike dhe avancimin e proceseve demokratike dhe të potencialeve zhvillimore të Maqedonisë dhe të rajonit. Rajoni është lodhur nga konfliktet, shkatërrimet dhe krizat e njëpasnjëshme, dhe tani është momenti i fundit për ndërhyrje më serioze të forcave ndërkombëtare për të mirën e Maqedonisë dhe rajonit.
Kosova, dy vjet pas intervenimit, ndonëse ka probleme të hapura, megjithatë jep shembull të rindërtimit të shpejtë dhe të rikthimit të sigurisë dhe të perspektivës së zhvillimit të shoqërisë dhe demokracisë. Prania e trupave ndërkombëtare është bërë kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe në këtë nuk bënë përjashtim as Maqedonia dhe e as vendet e tjera të rajonit.


XS
SM
MD
LG