Ndërlidhjet

UÇK – ja duhet të përfshihet në bisedime!


Ymer Ymeri, kryetari i Partisë Për Prosperitet Demokratik në Maqedoni

RFE:
Zoti Ymeri, autoritetet maqedonase kanë shpallur një armëpushim të përkohshëm në konfliktet me pjesëtarët e gueriljes shqiptare. Si e vlerësoni Ju këtë zhvillim?

YMERI:
Ky është i vetmi zhvillim pozitiv që ka ndodhur prej fillimit të ngjarjeve në maqedoni e deri më tash. Në punën tonë partiake gjithmonë kemi synuar arritjen e kësaj dite. Sikur kjo të kishte ndodhur më herët – do të ishte më frytdhënëse! Por, shpresojmë se pas këtij momenti, ngjarja do të zhvillohet kah e mbara; të lejohet depërtimi i ndihmave humanitare për atë popullatë të përvuajtur atje, që ishte në fund të qëndresës fizike. Por sa do të zgjasë kjo? Kjo varet gjithnjë nga kreu politik maqedonas.

RFE:
Në këtë kuadër, mbretëron një bindje se sikur blloku politik shqiptar është i margjinalizuar në aspektin e angazhimeve në Qeverinë e Koalicionit të Gjërë. Vërtetë a funksionon kjo qeveri apo jo?

YMERI:
Kjo është një qeveri artificiale, e cila është formuar në kushte të jashtëzakonshme, nën presionin ndërkombëtar. Por, ky koalicion nuk funksionon ashtu siç duhet, sepse kundërshtimet dhe mospajtimet e partive politike mbeten ende aktuale. Në këtë aspekt, faktori politik shqiptar mbetet sidomos i margjinalizuar. Më shumë i margjinalizuar është faktori i Partisë Për Prosperitet Demokratik. Prandaj, nuk shohim ndonjë bashkëpunim dhe nuk e konsiderojmë ende veten si pjesë të Qeverisë. Ndiejmë veten të obliguar që të jemi në këtë Qeveri vetëm nga aspekti i marrjes së përgjegjësive dhe të ndihmojmë në zgjidhjen e çështjes së paqes ose të luftës në Maqedoni.

RFE:
Zyrtarë të lartë ndërkombëtarë, e veçanërisht zoti Solana, në vizitat e tyre rregullisht takohen edhe me Ju. Faktori ndërkombëtar insiston në fillimin e dialogut, blloku politik shqiptar është për dialog, por ai, nga ana tjetër, thotë se nuk ka ndikim në gueriljen shqiptare në Maqedoni. Si mund të gjendet një dalje nga ky labirinth, kur dihet se zyrtarë maqedonas dhe ndërkombëtarë, kundështojnë përfshirjen e përfaqësuesve të gueriljes në bisedime?

YMERI:
Po, kjo është e vërtetë dhe ky është gabimi fatal i bllokut politik maqedonas sepse me shqiptarët, që janë në sistem dhe janë legjitim në Maqedoni, Maqedonia ka vetëm problemin politik, ka kontestin politik. Por është UÇK-ja me të cilën Maqedonia ka kontest luftarak!
Meqë, ne nuk kemi ndikim në pjesën luftarake, nuk kemi ndikim në UÇK, që është faktor real, që ekziston, do të ishte shumë më frytdhënëse, do të ishte shumë më e suksesshme, sikur të merreshin parasysh edhe kërkesat e arsyeshme të tyre dhe që të marrin pjesë në bisedime.

RFE:
Në këtë aspekt si e vlerësoni pozicionimin e faktorit ndërkombëtar karshi UÇK-së?

YMERI:
Edhe komuniteti ndërkombëtar, deri tash, po tregon një averzion të madh ndaj UÇK-së, edhepse kërkesat e saj përputhen me kërkesat legjitime të subjektit shqiptar në Maqedoni. Deri tash u kanë dhënë kualifikime nga më të ndryshmet; duke i quajtur terroristë, e nuk e dij se çka tjetër. Por veprimet e tyre deri tash, them deri tash, kanë qenë në suazat e një lufte guerile, të cilën ata kanë vendosur ta bëjnë. UÇK nuk ka bërë asnjë terror, nuk ka bërë terrorizëm dhe nuk meritojnë të quhen ashtu. Mendoj se UÇK-ja duhet të merret pasasysh në çdo variant, e sidomos në variantin e ndalesës së luftës.

RFE:
Zoti Ymeri, kryetari i Maqedonisë, Trajkovski ka paraqitur një plan për nxjerrjen e Maqedonisë nga kriza. Ky plan ishte paraqitur edhe në Nato. Si e vlerësoni Ju këtë projekt?

YMERI:
Ky plan ka edhe defektet e veta për arsye se nuk e merr parasysh UÇK-në. E merr parasysh vetëm deri diku, në aspektin e një amnistie të pjesërishme. Amnistimi i tyre duhet të jetë global. Pastaj, plani i presidentit Trajkovski ishte një kompromis mezi i arritur përbrenda bllokut politik maqedonas. Kështu ndërkombëtarët menduan se edhe kjo mund të quhet njëfarë suksesi, sepse gjatë kësaj kohe do të zhvillohen biseda intensive ndërmjet faktorëve politikë në Maqedoni dhe rezultatet, që eventualisht do të arrihen, duhet të raportohen në Luksemburg më 25 të këtij muaji.

RFE:
Në fund të kësaj bisede – një pyetje lidhur me atë se si e shihni ju, dhe mabse i tërë blloku politik shqiptar, daljen e Maqedonisë nga kriza. Cilët hapa do të ndihmonin në këtë aspekt?

YMERI:
Maqedonia duhet të vetëdijësohet se vetëm me stabilitetin e vet mund ta ruajë integritetin shtetëror, kurse stabiliteti i Maqedonisë është absolutisht i varur nga të drejtat e shqiptarëve, të cilët jetojnë këtu. Nëse Maqedonia shpreh vullnet që të ekzistoj si shtet, ajo patjetër, në mënyrë serioze, duhet ti plotësoj kërkesat shqiptare dhe faktorin ndërkombëtar ta pranoj si ndërmjetësues - e jo si ndihmesë në bisedime!


XS
SM
MD
LG