Ndërlidhjet

SHKUP


Të paktën nëntë ushtarë maqedonas janë vrarë dhe pesë të tjerë janë plagosur kur automjeti me të cilin udhëtonin ra në një zonë të minuar në rrugën mes fshatrave Ljubanc dhe Luboten, pesë kilometra larg Shkupit. Një zëdhënës i Ministrisë së Mbrojtjes ka fajësuar kryengritësit shqiptarë për shkallëzim të rrezikshëm të spirales së dhunës, kurse guerrilasit thonë se përgjegjës janë forcat maqedonase të sigurisë për përdorim të pa-klasifikuar të dhunës, duke e drejtuar atë edhe kundër objektivave civile. Luftime të ashpra mësohet të jenë zhvilluar në Tetovë, kurse ushtria maqedonase ka granatuar paradite me artileri të rëndë e helikopterë fshatin Radushë. Shpërthimet dëgjohen deri në kryeqytetin Shkup ndërsa bombardime raportohet të ketë pasur edhe në rajonin e Likovës. Agjensia Asoshiejted Pres citon komandant Sokolin të ketë thënë se në këtë fazë, nuk ka më kuptim të respektohet një armë-pushim të cilin forcat qeveritare e kanë shkelur duke bombarduar pozicionet e kryengritësve. Aeroplanë të lehtë sulmues të tipit Sukhoi-25 janë parë gjatë gjithë paradites në rajonet e krizës, por ka dëshmi kontradiktore për faktin nëse janë përdorur apo jo në luftime.
XS
SM
MD
LG