Ndërlidhjet

Kryengritësi misterioz siguron Maqedoninë se ai synon paqen


New York Times Shkaku kryesor për skepticizëm është se sllavo-maqedonasit besojnë se UÇK-ja realisht nuk është duke luftuar për të drejta më të mëdha politike dhe kulturore për shqiptarët etnikë, që përbëjnë më tepër se një të tretën e dy milionë banorëve në këtë vend. Shumica sllavo-maqedonase mendon se qëllimi i zotit Ahmeti është bashkimi i të gjithë shqiptarëve në rajon - në një shtet unik. Por, zoti Ahmeti hedhë poshtë këto akuza, duke thënë se ai beson shumë në Maqedoninë e bashkuar.

Zoti Ahmeti, 43 vjeçar, rrallë jep intervista. Kjo gjë vetëm sa e shton misteriozitetin përreth tij. Ai është njeri i shkurtër, i urryer nga sllavo-maqedonasit, për arsye se, para diç më tepër se gjashtë muajsh, rroku armët për të realizuar të drejta më të mëdha në jetën politike të këtij vendi, shkruan gazeta “New York Times”.

Idetë e tij, pra idetë e një lideri misterioz të gueriljes, të një disidenti të lodhur, me një zë tejet të ulët, përpiqet ti përkufizoj duke i siguruar maqedonasit se, nëse paqja arrihet, ata do të shohin se ai është njeriu që mund ti besohet.

“Nuk ka vend për skepticizëm” – thotë zoti Ahmeti në malin ku gjendet komanda kryesore e gueriljes së tij shqiptare.

Ai i ka thënë autorit të shkrimit në “New York Times” se nëse Nato-ja vjen, ushtarët e tij, ashtu siç kanë premtuar, do ti dorëzojnë të gjitha armët e tyre. Por, ka thënë Ali Ahmeti, Qeveria duhet ti plotësoj çështjet për të cilat është arritur marrëveshja.

Marrëveshja parasheh zyrtarizimin e gjuhës shqipe në disa hapësira të këtij vendi dhe përfshirjen e shqiptarëve në forcat shtetërore të policisë. Aktualisht, këtë polici, pothuajse në tërësi, e përbëjnë maqedonasit. Poashtu, parashihen të drejta më të mëdha për pushtetin lokal.

“Nëse ne dorëzojmë 2000 - 2500 armë, shqiptarët do të fitojnë një përqinje të madhe të përbërjes në polici dhe në ushtri” – thotë ai dhe vazhdon se “nëse kjo ndodhë, atëherë nuk ka nevojë për mbajtjen e armëve”.

Por, vazhdon artikulli në “New York Times”, sllavo-maqedonasit ndjejnë se nuk kanë shumë arsye për ti besuar Ahmetit, andaj paqja këtu, mbetet një përpjekje përfundimtare.

Pastaj, gazeta shkruan për vrasjen e një polici, pas shkëmbimeve të zjarrit me ushtarët e zotit Ahmeti në Tetovë, një incident, për të cilin autori i shkrimit, Ian Fisher, shkruan se, me gjasë, mund ta hidhëroj edhe më shumë shumicën maqedonase.

Të dy palët, rregullisht, akuzojnë njëra tjetrën për shkeljen e armëpushimit.

Kryeredaktori i gazetës së përditshme në gjuhën maqedonase, “Dnevnik”, Branko Geroski e quajti Ali Ahmetin një “enigmë”, që me gjasë, për maqedonasit do të bëhet më mirë i njohur gjatë realizimit të planit paqësor. Zoti Geroski ka thënë se Ali Ahmeti mund të vlerësohet vetëm mbi bazën e një çështjeje: a do të çarmatosen ushtarët e tij?

“Nëse ata e bëjnë këtë, atëherë mund të thuhet se ai është një person, i cili atë që e premton, e realizon” – ka thënë analizti Branko Geroski, duke shtuar se “brengosem shumë se çështja nuk është aq e thjeshtë”, shkruan mëtutje gazeta e përditshme amerikane “New York Times” në numrin e saj të sotëm.

Shkaku kryesor për skepticizëm është se sllavo-maqedonasit besojnë se UÇK-ja realisht nuk është duke luftuar për të drejta më të mëdha politike dhe kulturore për shqiptarët etnikë, që përbëjnë më tepër se një të tretën e dy milionë banorëve në këtë vend.

Shumica sllavo-maqedonase mendon se qëllimi i zotit Ahmeti është bashkimi i të gjithë shqiptarëve në rajon - në një shtet unik.

Por, zoti Ahmeti hedhë poshtë këto akuza, duke thënë se ai beson shumë në Maqedoninë e bashkuar. Njëherësh, ai parashehë një model të shteteve të Ballkanit sikur ai i pjesës tjetër të Evropës, ku kufijtë kombëtarë praktikisht nuk ekzistojnë dhe ku popujt jetojnë së bashku pa luftëra.

“Ne të gjithë jemi shqiptarë dhe nuk mund ta mohojmë identitetin tonë” – thotë Ali Ahmeti dhe shton se “ne nuk duhet ta shohim Evropën e Bashkuar vetëm si një slogan. Ne duhet ta arrijmë atë këtu, ashtu siç është në pjesën tjetër të Evropës”.

Ali Ahmeti është i lindur në afërsi të Kërçovës, në ish republikën jugosllave të Maqedonisë. Ai është pjesë e grupit të disidentëve dhe intelektualëve shqiptarë nga kjo hapësirë. Gazeta “New York Times” mëtutje shkruan se ai ka diplomuar në Filosofi, në Universitetin e Prishtinës, në vitin 1984, në kohën kur Jugosllavia ishte ende Federatë, në përbërje të së cilës ishte edhe Maqedonia. Maqedonia, më vonë, u nda në mënyrë paqesore.

Pak pasi u diplomua ai ishte larguar nga Jugosllavia dhe ishte vendosur në Zvicër, ashtu siç kishin bërë shumë disidentë të tjerë shqiptarë.

Pavarësisht se në shkurt të këtij viti, liderë të Nato-s e kishin quajtur UÇK-ë “grup terrortist”, zoti Ahmeti tash është partner i rregullt i negociatave me liderët e Nato-s.

Një zyrtar diplomatik ka thënë se “beson se i vetmi qëllim i Ali Ahmetit ishte, në fakt, marrëveshja politike, e cila u nënshkrua të hënën”, shkruan gazeta “New York Times”.

Nga ana e tij, Ali Ahmeti thotë se “kurrë nuk mund ti realizoni të gjitha dëshirat tuaja, por kjo nuk do të thotë se në të ardhmen ato nuk do të realizohen. Në këtë aspekt tash ne do të përdorim Parlamentin” – shkruan në fund të artikullit gazeta amerikane “New York Times”.
XS
SM
MD
LG