Ndërlidhjet

Philip Reeker: SHBA-të, në misionin aktual të Nato-s, do të angazhojnë trupa që tashmë ndodhen në Kosovë dhe në Maqedoni


Shtetet e Bashkuara kanë ftuar mbrëmë banorët e Maqedonisë, të të gjitha etniciteteve dhe religjioneve, që të respektojnë marrëveshjen paqesore. Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker ka thënë se “ardhmëria e Maqedonisë do të përcaktohet nga veprimet e popullit të saj dhe të liderëve të tij, në ditët dhe javët, që po vijnë”.

Shtetet e Bashkuara kanë mirëpritur vendimin e Nato-s për dërgimin e trupave për mbledhjen e armëve nga pjesëtarët e gueriljes në ish Republikën Jugosllave të Maqedonisë. Është theksuar se rroli i Shteteve të Bashkuara do të jetë i kufizuar në mbështetje logjistike.

“Maqedonia tash ka një mundësi reale, që nëpërmjet marrëveshjes – kornizë, e nënshkruar më 13 Gusht - dhe nëpërmjet misionit të Nato-s për mbledhjen e armëve, të shmang katastrofën e luftës civile” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker.

Ai, pos tjerash, theksoi:

- Misioni i Nato-s do të ndihmoj në çarmatosjen vullnetare të kryengritësve, mision ky që Nato-ja shpreson se do ta përfundoj brenda 30 ditësh - nëse palët bashkëpunojnë - ashtu siç kanë premtuar. Ne presim nga kryengritësit që të bashkëpunojnë me NATO-n dhe në tërësi ti realizojnë të gjitha obligimet e tyre, përfshirë këtu edhe çarmatosjen vullnetare, respektimin e armëpushimit dhe të demobilizohen.

Duke folur për angazhimin e Shteteve të Bashkuara në misionin e Natos, në ish republikën Jugosllave të Maqedonisë, zëdhënësi Riker tha:

- Në misionin e Nato-s, Shtetet e Bashkuara do të kontribuojnë në aspektin informativ, në atë mjekësor dhe në mënyra të tjera të mbështetjes logjistike. Ne ende nuk kemi përcaktuar numër specifik të trupave. Shtetet e Bashkuara, do të angazhojnë trupa tashmë të vendosura në Kosovë dhe në Maqedoni, që mbështesin Kforin” – tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Philip Reeker.

XS
SM
MD
LG