Ndërlidhjet

IOM: Kërkohet menaxhim më i mirë i fluksit të migrimit


Breffni O'Rourke Imigracioni, ai legal dhe ilegal, është bërë çështje e ndieshme në Bashkimin Evropian. Fluksi ilegal i personave që kërkojnë punë ka arritur një nivel të papranueshëm, siç e karakterizojnë këtë proces, përfaqësuesit e Spanjës. Shtetet anëtare të Bashkimit Evropian, nga ana tjetër, po ballafaqohen me procesin e mplakjes së popullsisë. Ato, megjithë kundërshtimet e ndryshme, po lëvizin kah krijimi i programeve legale imigruese, që do të plotësonin kërkesat për punëtorë në të ardhmen. Fuqia punëtore nga shtetet e Evropës Qendrore dhe Lindore duket se paraqet rast ideal për plotësimin e kërkesave të ekonomive të shteteve të mëdha evro-përëndimore. Në këtë aspekt Italia ka ndërmarrë një hap pozitiv karshi imigrantëve shqiptarë.

Akademikët gjermanë kanë thënë se shkalla e lindshmërisë, prej vitit 1900 e deri në ditët e sotme, është në rënie e sipër, jo vetëm në Gjermani por edhe në Bashkimin Evropian dhe në mbarë botën e zhvilluar.

Në këtë aspekt, janë aktualizuar çështjet se si ekonomitë e këtyre vendeve do të vazhdojnë të zhvillohen kur popullsia po zvoglohet?

Zgjidhja është e lehtë, thonë ekonomistët. Theshtë, lejoni ardhjen e njerëzve që do të plotësonin vendet e zbrazëta, qofshin edhe ato që kërkojnë kualifikime dhe vazhdoni me zgjërimin e ekonomive.

Sociologët dhe politikanët këtë çështje e shohin nga një aspekt tjetër; nga aspekti i tensioneve sociale që do të mund të arrinin edhe në nivelin e pakënaqësive qytetare, në vendet mikpritëse.

Juergen Fluethemann, nga Instituti Gjerman për Demografi, jep këtë spjegim:

- Nëse doni të kompensoni nëpërmjet imigrimit, atëherë fluksi i personave duhet të rritet për çdo vit, për afro 400 mijë njerëz; kjo është joreale. Pas Luftës së Dytë Botërore, Gjermania ka pasur shkallën vjetore të imigrimit afro 130 mijë mesatarisht. Prandaj shifra 300 - 400 mijë, mua personalisht më duket joreale.

Autoritetet gjermane, janë të vetëdijshme për domosdoshmërinë e një zgjërimi të procesit të imigrimit. Ministri i Brendshëm, Otto Schily, në fillim të këtij muaji, ka paraqitur një projekt ligj për lehtësimin e hyrjes së imigrantëve të kualifikuar në Gjermani.

Në këtë aspekt Organizata Ndërkombëtare për Migrim (IOM), me seli në Gjenevë, nga shtetet e zhvilluara të Bashkimit Evropian, ka kërkuar një program të arsyeshëm të imigrimit.

Zëdhënësi i kësaj organizate, Jean Philippe Chauzy, thotë:

- Organizata Ndërkombëtare për Migrim ndjen se sot është i nevojshëm një menaxhim më i mirë i fluksit të migrimit. Ne kemi njohuri se migrimi ilegal është në rritje e sipër. E dimë poashtu se ky është një biznes i paligjshëm, që vlen miliarda dollarë.

Ai mëtutje shprehet me mirëkuptim për një iniciativë të Italisë, për tu ballafaquar me këtë çështje.

- Italianët janë pajtuar me faktin se kanë nevojë për fuqi punëtore, për disa sektorë, siç janë mjekësia dhe agrikultura. Nuk janë kërkuar vetëm personat me kualifikime. Ky program paraqet bazë për lejimin e afro 5 mijë Shqiptarëve, që të punojnë legalisht në Itali. Mendojmë se ky është një shembull shumë i mirë, se si do të duhej vepruar, sepse siç e dini, fluksi i migrantëve ilegal ndërmjet Shqipërisë e Italisë është shumë i madh, – tha zëdhënësi i Organizatës Ndërkombëtare për Migrim, Jean Philippe Chauzy.
XS
SM
MD
LG