Ndërlidhjet

A do të pranohet Rusia në Nato?


Kathleen Knox Në një farë mënyre, shqyrtimin e idesë për pranimin e Rusisë në radhët e NATO-s, e kanë përkrahur kancelari gjerman, Gerhard Schroeder dhe kongresmeni amerikan Richard Gephardt, i cili ka deklaruar se anëtarsimi i Rusisë në NATO është rruga më e mirë për të penguar rikthimin e luftës së ftohtë në skenën ndërkombëtare.

Tri nga vendet e ish bllokut komunist: Republika Çeke, Hungaria dhe Polonia janë inkuadruar në NATO, kurse Estonia, Lituania dhe Letonia gjenden në radhë të parë për pranim.

Në këtë mënyrë, Aleanca Veri-atlantike, jo vetëm që do të zgjërohet në territorin, që prej kohësh është konsideruar si sferë e interesit rus, por, pas pranimit të Estonisë, Lituanisë dhe Estonisë, ushtarët e NATO-s do të vendosen në kufirin perëndimor rus.

Moska zyrtare kundërshton zgjërimin e NATO-s drejt Evropës Lindore. Ky kundërshtim u demonstrua, së fundi, edhe nëpërmjet deklaratës së presidentit rus Vlladimir Putin, në të cilën ai theksoi se NATO duhet të zgjedh ndërmjet idesë për pranimin e Rusisë ose për shuarjen e Aleancës.

Në një farë mënyre, shqyrtimin e idesë për pranimin e Rusisë në radhët e NATO-s, e kanë përkrahur kancelari gjerman, Gerhard Schroeder dhe kongresmeni amerikan Richard Gephardt, i cili ka deklaruar se anëtarsimi i Rusisë në NATO është rruga më e mirë për të penguar rikthimin e luftës së ftohtë në skenën ndërkombëtare.

Lawrence Freedman nga Kolegji Mbretëror për Studime të Luftës, me seli në Londër, shprehet se hedhja e idesë për pranimin e Rusisë në NATO, në opinionin ndërkombëtarë, bëhet në prag të Samitit të NATO-s kushtuar zgjërimit të saj në Lindje.

- Nëse procesi i zgjërimit të NATO-s mbështetet jo në arsyet strategjike, por në ato që kanë të bëjnë me qëndrueshmërinë e proceseve demokratike dhe në tregun e lirë në vendet kandidate, atëherë edhe Rusia, për një kohë të caktuar, mund ti përmbush këto kritere, - thotë Lawrence Freedman.

Ai mëtutje vëren:

- Nga ana tjetër, nuk duhet haruar se presioni për pranimin e shteteve baltike në Aleancë, bartë në vete mundësinë e tensionimeve të reja me Rusinë. Prandaj, ideja për pranimin e saj në NATO mund të jetë e vetmja ofertë reale që do ta qetësonte Moskën.

Në këtë temë, analistët ndërkombëtarë theksojnë se mundësia e antarësimit të Rusisë në NATO shpalosë një çështje madhore…atë që ka të bëjë me ardhmërinë e Aleancës ushtarake evro-perëndimore.

Në këtë aspekt, ish-ambasadori i Shteteve të Bashkuara në NATO, David Abshire thotë:

- Neve na duhet që të fillojmë shqyrtimin serioz të objektivave të NATO-s në të ardhmën. Ky lloj i studimeve është praktikuar në historinë e deritashme të NATO-s dhe tani është koha që të formohet një grup i ri i ekspertëve për të analizuar çështjen e ardhmërisë së NATO-s.

Edhe pse kjo gjë, për momentin, ka pak gjasa të ndodhë, Ariel Cohen nga Fondacioni i SHBA-ve “Heritage” është i mendimit se ideja për pranimin e Rusisë në NATO, nuk është asgjë tjetër pos vazhdimësi e përpjekjeve të kahershme perëndimore për demokratizimin e Rusisë.

- I gjithë nocioni për integrimin e Rusisë në korpusin evro-atlantik, synon drejt një Rusie të civilizuar, shumë më të parashikueshme dhe shumë më tepër të sigurt. Në këtë rafsh ne kemi pasur precedente siç ishin rastet e Gjermanisë dhe Japonisë, pas Luftës së dytë botërore, kur këto vende pushuan armiqësit me fqinjët e tyre - vë në dukje zoti Cohen.

Ariel Cohen dakordohet me propozimin e ish diplomatit të lartë amerikan, Henry Kissinger, sipas të cilit Rusia, në fazën e parë, do të duhej të pranohej në strukturat politike e më pas në ato ushtarake Evro-atlantike.

Mirëpo analistët nga ish blloku komunist, kundërshtojnë idenë për integrimin e Rusisë në strukturat evro-perëndimore.
Specialisti për çështje të sigurisë në Institutin për Marrëdhënie Ndërkombëtare në Pragë, Jan Eichler thotë se një nismë e tillë, për vendet e tjera kandidate nga Lindja, do të ishte e tmerrshme.

- Me hyrjen në NATO këto vende dëshirojnë që të lirohen nga kërcënimi rus, meqë ato ende nuk ndjehën të sigurta. Mund ti paramendoni ndjenjat e tyre nëse Rusia inkuadrohet së bashku me to, në mekanizmin e njejtë ushtarak, - thotë zoti Eichler.

Nga ana tjetër, analistët rus shprehen kundër idesë për antarësimin e Rusisë në Aleancën Veri-atlantike. Ata thonë se ky opcion, tani për tani, paraqet vetëm një mundësi hipotetike.

Svyatoslav Kaspe nga Qendra moskovite për Studime Politikë, thotë:

- Marrëdhëniet e Perëndimit me Rusinë aktualisht janë të përqendruara mbi sistemin e ri amerikan për mbrojtjen raketore dhe përpjekjet e Moskës për anëtarsim në Organizatën Botërore për Tregti. Në këtë kuadër, askush në Perëndim dhe në Moskë, në tridhjetë vitet e ardhshme, nuk do të shqyrtojë seriozisht idenë për integrimin e Rusisë në strukturat ushtarake të NATO-s.

XS
SM
MD
LG