Ndërlidhjet

"PRANIA NDËRKOMBËTARE NË MAQEDONI - PO APO JO?"


Ron Synovitz

Zyrtarët e NATO-s kanë shfaqur shpresën se faza e fundit e operacionit për grumbullimin e armëve, në Maqedoni, mund të fillojë më 21 shtator, kështu që Aleanca Misionin e vet ta përfundojë para skadimit të mandatit më 26 shtator.


Por, majori Beri Jonson shpjegon se faza e fundit e Misionit të NATO-s mund të fillojë vetëm pasi të nisë puna rreth amandamenteve:
“Hapi i ardhshëm është puna rreth 32 amandamenteve të propozuara në Marrëveshjen-korrnizë, që duhet të konfirmohen, por nuk është e domosdoshme të votohen në formë të ndryshimeve kushtetuese. Dhe pasi të përfundojë grumbullimi i armëve do të bëhet edhe votimi i Kushtetutës”.
Megjithë suksesin e NATO-s, liderët evropianë paralajmërojnë se tërheqja e shpejtë e 4.500 pjestarëve të Aleancës, në fund të këtij muaji, mund të destabilizojë situatën në Maqedoni dhe të çojë drejt rifillimit të dhunës.


Nga ana tjetër, liderët perëndimorë janë të brengosur për grupin paramilitar maqedonas, i njohur si “Tigrat”, për të cilët forcat e NATO-s thonë se janë parë duke operuar në fshatrat në afërsi të Tetovës.


Në këtë drejtim, përfaqësuesi i NATO-s në Maqedoni, Piter Feith, u ka dërguar një letër autoriteteve maqedonase me kërkesë për tërheqjen e paramilitarëve nga rajoni mjaft i ndieshëm i Tetovës.
NATO-ja ka vërejtur se statusi i grupeve në fjalë është i panjohur dhe zinxhiri i komandës, gjithashtu i pasigurt, duke rritur brengosjet nëse Qeveria maqedonase është në mundësi të parandalojë grupet në fjalë, nga sulmet e mundshme kundër fshatarëve shqiptarë.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm Lube Boshkovski ka theksuar se NATO-ja po gabon rreth ekzistimit të paramilitarëve dhe ka shtuar se forcat e Aleancës kanë takuar rezervistë të armatës maqedonase.


Por, majori i NATO-s Beri Xhonson në një prononcim për Radion Evropa e Lirë thotë:
“Jemi sinqerisht të brengosur për ekzistimin dhe operimin e paramilitarëve në Maqedoni. Ne ende nuk kemi marrë asnjë përgjigje ndaj letrës, me të cilën nga Qeveria maqedonase kërkohej të shpjegonte statusin e këtyre grupeve”.

Ndërkaq, komandanti i guerrilës shqiptare, i njohur me emrin “Shpati”, ka theksuar se vazhdimi i pranise së Misionit të Aleancës nuk është vetëm një risigurim për shqiptarët, por është i domosdoshëm edhe për stabilitetin e Maqedonisë në përgjithësi.
Edhe ministri i Brendshëm Boshkovski, por edhe presidenti maqedonas Trajkovski kanë thënë se një mision i ardhshëm i NATO-s nuk është i nevojshëm.
“Qëndrimi im dhe i presidentit të shtetit Boris Trajkovski është i qartë: pas 26 shtatorit NATO-ja duhet të largohet nga Maqedonia”, thotë Lube Boshkovski, ministër i Brendshëm i Ish-Republikës Jugosllave të Maqedonisë.
Në deklaratat e Trajkovskit thuhet se vazhdimi i Misionit të NATO-s, në Maqedoni, mund të pranohet vetëm nëse ai operon nën mandatin e Kombeve të Bashkuara. Por, që të dy edhe Trajkovski edhe Boshkovski, kanë shtuar se një forcë e tillë shumëkombëshe duhet të operojë vetëm përreth kufijve shtetëror me Kosovën dhe Shqipërinë, në funksion të parandalimit të futjes së armëve dhe armatimit të ri nga guerrilët shqiptarë në Maqedoni.
XS
SM
MD
LG