Ndërlidhjet

KOSOVARËT MBËSHTESIN FUQISHËM SULMET MBI BAZAT TERRORISTE NË AFGANISTAN


Arbana Vidishiqi

Partitë politike shqiptare kanë shprehur mbështetjen e tyre të plotë për sulmet ajrore të Shteteve te Bashkuara te Amerikës mbi bazat terroriste në Afganistan. Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr.Ibrahim Rugova, nëpërmjet një komunikate për opinion ka thënë se përkrah sulmet amerikane dhe të aleatëve kundër terroristëve ndërkombëtarë dhe diktaturës në Afganistan. Në komunikatë thuhet se kjo parti përkrah plotësisht presidentin amerikan, George Bush, në mbrojtjen e lirisë së Shteteve të Bashkuara dhe miqve të botës së lirë.
“Ky është një hap i qëlluar kundër kësaj të keqeje ndërkombëtare që kërcënon botën dhe kemi besim të plotë se Shtetet e Bashkuara dhe koalicioni i tyre do të ketë sukses dhe do të fitojë”, citohet të ketë thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, dr. Ibrahim Rugova.
Nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dr.Arsim Bajrami, thotë se partia e tij ka kohë që është shprehur në mbështetje të luftës kundër terrorizmit.
“Mendojmë se është një kundërpërgjigje legjitime dhe presim që të arrihen efektet e saj. Natyrisht, ne si parti nuk dëshirojmë që të pësojë popullata civile, por mendojmë se ky koalicion që është bërë kundër terrorizmit, duhet të mundësojë një përgjigje adekuate dhe të balancuar”, tha dr.Arsim Bajrami, nënkryetar i PDK-së.
Naim Maloku, nënkryetar i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe analist i cështjeve ushtarake, është i mendimit se përgatitja e gjithanshme e Shteteve të Bashkuara për organizimin e këtyre sulmeve, duke marrë për bazë identifikimin e saktë të terrositëve dhe bazave të tyre të seleksionuara në mënyrë të përsosur, dëshmon se sulmet janë të drejtuara vetëm kundër së keqes në Afganistan. “ Fakti se më shumë se 300 mijë tonë ndihma humanitare dhe ushqime dërgohen për popullin e Afganistanit, pra për popullatën civile atje, është argument i fuqishëm që jo vetëm Aleanca si Aleancë, populli shqiptar, por edhe bota demokratike, të jenë përkrah Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe”, thotë Naim Maloku, nënkryetar i AAK-së.
Te gjitha këto, thonë përfaqësuesit politikë të shqiptarëve, dëshmojnë se sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara të Amerikës janë në kuadër të një lufte për crrënjosjen e terrorizmit ndërkombëtar.
XS
SM
MD
LG