Ndërlidhjet

LIDHJA E HAMBURGUT


Jane's Intelligence Review

Derisa hetimet kriminale lidhur me ngjarjet e 11 Shtatorit po rrumbullaksohen, autoritetet gjermane po kuptojnë gjithnjë e më tepër, në saje të raporteve të dhëna nga agjencia amerikane FBI, se një numër i rrëmbyesve të aeroplanëve kishin jetuar në Gjermani, para se të vinin në Shtetet e Bashkuara për t’u ushtruar për pilotime.

Në këtë aspekt, Jane’s Intelligence Review shkruan se Fbi-ja i ka paraqitur emrat e 13 personave të dyshuar. Një zyrtar i Universitetit Teknik në Hamburg ka konfirmuar se 7 prej këtyre personave ishin në regjistrat e tyre, ndërsa 4 të tjerë ishin ende të regjistuar si studentë. Hetuesit gjermanë fillimisht kishin identifikuar katër persona arabë që kishin studiuar në Hamburg dhe që kishin rezervuar vende në aeroplanët e rrëmbyer. Një zyrtar-koordinator i shërbimeve sekrete në Qeverinë Federale gjermane, ka thënë se aktivitetet e tyre kishin “nënshkrimin e Osama bin Ladenit”. Një trupë prej 60 oficerësh të Byrosë Federale Kriminale gjermane, së bashku me 15 përfaqësues të agjencisë amerikane Fbi, po i hulumtojnë gjurmët e rrëmbyesve në Hamburg.

Dy prej pilotëve vetëvrasës, Marwn Jussuf Mohammed al-Shahi dhe Mohammed Atta, që jetonin në Hamburg kishin krijuar bërthamën e celulës. Ata vizitoheshin shpesh nga mbështetësit dhe bashkë-komplotistët dhe kishin lidhje me një biznesmen sirian , Mamum Darkasanli, që ishte i autorizuar për të operuar me një konto bankare në Gjermani, në emër të një personi, që sipas burimeve amerikane, ishte kreu financiar i al-Qaeda. Kontoja e Darkasanlit në Shtetet e Bashkuara është njëra nga 27 kontot e bllokuara nga autoritetet amerikane.

Ziad Samir Jarrah kishte të rezervuar biletën për aeroplanin që u përplas në Pensilvani, ndërsa studenti i katërt i regjistruar në Universitetitn Teknik të Hmburgut, Said Bahaji, që ishte identifikuar si i ngarkuar me logjistikë në celulën terroriste, ishte shtetas gjerman me origjinë nga Maroku. Anëtar tjetër i celulës ishte 29 vjeçari Ramzi Binalshib nga Jemeni. Sikur kolegët e tij të tjerë edhe ky ishte i regjistruar në një shkollë pilotësh në Shtetet e Bashkuara, por nuk ia doli të marrë vizën amerikane.

Jane’s Intelligence Review shkruan mëtutje se Mohammed Atta kishte formuar një grup për aksion islamik për aktivitete rekrutuese. Është për të besuar se Atta kishte pasur kontakte me bashkëpunëtorë të Osama bin Ladenit me takime personale ose nëpërmjet të anëtarësimit të përbashkët në klube islamike.

Kjo revistë mëtutje shkruan se hetimet kanë bërë të ditur se në Gjermani gjenden afro 50 mijë studentë nga vende të ndryshme islamike. Një numër i madh i organizatave islamike janë aktive në Gjermani. Një komunitet, i quajtur “shteti i Kalifit”, me 1 mijë anëtarë, angazhohet për krijimin e një shteti gjithë-islamik nën një Kalif. Ky komunitet nuk pranon demokracinë dhe pluralizmin. Lideri i tij, Metin Kaplan, i dënuar me katër vite heqje lirie, sipas autoriteteve gjermane, me vite të tëra kishte mbajtur lidhje me Osama bin Ladenin dhe e kishte vizituar atë në Afganistan në vitin 1997. Një vit më parë, Metin Kaplan ishte takuar me një përfaqësues të talibanëve në Këln të Gjermanisë, shkruan pos tjerash Jane’s Intelligence Review.
XS
SM
MD
LG