Ndërlidhjet

DOKUMENTI ËSHTË SHKELJE FLAGRANTE E REZOLUTËS 1244


Blerim Reka, ekspert për çështje juridike nga Prishtina, thotë, poashtu, se "Rezoluta 1244 është nxjerrë nga Këshilli i Sigurimit dhe vetëm Këshilli i Sigurimit është kompetent për ta ndryshuar, plotësuar, reviduaratë. Në Rezolutën 1244 madje askund nuk përmendet termi Serbi"

RADIO EVROPA E LIRË
Nënshkrimi i dokumentit të përbashkët ndërmjet UNMIK-ut dhe RFJ-së në Kosovë, sipas analistëve, është vlerësuar si kriza më e madhe pas luftës. Si e vlerësoni ju këtë dokument dhe cili sipas mendimit tuaj është qëllimi i tij themelor?

BLERIM REKA
Unë do ta përsërisë vlerësimin që posa e thatë… do të thotë është ngjarje e cila mund të kulmoj me krizën më të rëndë, më të thellë në administratën e përkohshme ndërkombëtare në Kosovë.
Që nga fillimi dhe në prononcimet e mëparshme, kam thënë se qasja dhe strategjia e UNMIK-ut për t’i bindur qytetarët serbë të Kosovës, për të dalë në zgjedhje ka qënë totalisht e gabueshme, sepse në vend që të realizojnë një të drejtë dhe liri themelore të garantuar me të gjitha konventat ndërkombëtare dhe me kornizën kushtetuese, ata këtë të drejtë, realizimin e kësaj të drejte, e kanë lidhur, madje e kanë kushtëzuar, me një pëlqim apo leje, vizë nga Beogradi. Ky është një absurditet. Pikërisht në këtë relacion të lypjes së lejes nga Beogradi, mund të nxirren koncesione në favor të Beogradit, mund të kushtëzohet pra dalja e tyre, ndonëse po e them edhe njëherë kjo ka qenë një e drejtë e zakonshme që është dashur të shfrytëzohet apo jo.

RADIO EVROPA E LIRË
Ajo që hetohet në këtë dokument është se në tekst çdo herë pas Jugosllavisë përmendet edhe Serbia, pavarësisht se dokumenti titullohet “Dokumenti i përbashkët midis UNMIK-ut dhe Jugosllavisë”. A mund të komentohet kjo si një synim për revidimin e rezolutës.

BLERIM REKA
Po, në fakt, vetë ulja në një tryezë dhe vetë fakti i nënshkrimit të një marrveshjeje, e cila jep shumë elemente të bashkëqeverisjes për Beogradin në Kosovë, është shkelje flagrante e rezolutës 1244. Askush nuk e ka autorizuar të Dërguarin Special të Sekretarit të Përgjithshëm, pra aq më pak Këshilli i Sigurimit, aq më pak ndonjë dispozitë e rezolutës 1244, që të bashkëqëverisë Kosovën me Beogradin.
Kjo është me të vërtetë një nonsens, një gjë e pakuptueshme, dhe nuk e di se nga ka marrë autorizimin juridik, që për qeverisjen e Kosovës të konsultohet apo madje të formohet i ashtuquajturi “Grup i nivelit të lartë” për implementimin e rezolutës 1244. Rezoluta 1244 është nxjerrë nga Këshilli i Sigurimit dhe vetëm Këshilli i Sigurimit është kompetent për ta ndryshuar, plotësuar, reviduar.
Në rezolutën 1244 madje askund nuk përmendet termi Serbi. Këtu për të parën herë bëhet shpërthimi apo depërtimi, shkelja e kësaj rezolute me një marrveshje të karakterit politik. Prandaj, unë besoj se ose duhet të thirret një mbledhje urgjente e jashtëzakonshme e Këshillit të Sigurimit për tu qartësuar tejkalimi i kompetencave, që është bërë në emër të rezolutës 1244, e në fakt duke e shkelur atë, dhe të qartësohet se nga ka ardhur apo nga buron autorizimi që të shkohet aq larg, deri në shkelje flagrante të kësaj rezolute.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Reka, është krijuar një situatë e pazakonshme. Të gjithë liderët politikë shqiptarë shumë herë kanë konstatuar se rezoluta 1244 është vjetëruar ngase janë krijuar rrethana të reja. Nga ana tjetër zyrtarët e Beogradit, sipas vlerësimeve të disa analistëve, përpiqen ta fusin Serbinë si partner të barabartë në rezolutë. A ka të bëjë kjo dhe me marrdhëniet aktuale Serbia-Mali i Zi?

BLERIM REKA
Së pari, Serbia nuk ka atë kapacitet, nuk ka atë fuqi juridike imponuese për ta futur termin Serbi në rezolutën 1244. Kjo që Çoviqi dhe kompania e tij provojnë të bëjnë me këtë dokument, është vetëm një dëshirë e tyre që megjithatë të rikthehet Serbia, si faktor vendosës në Kosovë, ashtu siç ka qenë para 24 marsit të vitit 1999. Mirëpo, definitivisht, me rezolutën 1244 ajo ka rënë nga kombinimi dhe me të vërtetë këto janë tentimet e fundit politikaneske të Beogradit, që në një dokument për kosovarët, që është inegzistent dhe pa asnjë lloj fuqie obligative, ta kthejnë Serbinë në lojë. Ju keni të drejtë se këtu janë dhe kalkulimet e fatit të ardhshëm të së vetëshpallurës RFJ. Do të thotë, ata kalkulojnë se nëse në pranverë, malazezët dalin në referendum dhe rezultati i këtij referendumi është pro pavarësisë së Malit të Zi, krijesa e cila ende aktualisht njihet nga bashkësia ndërkombëtare, pra RFJ, do të bjerë dhe faktikisht do të kemi dy shtete të pavarura dhe sovrane, Serbia dhe Mali i Zi. Në këtë drejtim Çoviqi mendon se me futjen e termit Serbi në këtë dokument, që do të thotë si një palë implementuese me Kosovën, nesër, me shpërbërjen e Jugosllavisë së tretë, ata do të merrnin ingerencat mbi Kosovën. Mirëpo ju them edhe njëherë kjo megjithatë i ngjan pazarit pa hanxhiun, sepse Kuvendi i Kosovës, që në mbledhjen e parë (unë nuk jam deputet dhe as që jam kandiduar) pra, në mbledhjen e parë, shpresoj se deputetët, që do të zgjedhen nga populli, mund ta shpallin të pavlefshme , respektivisht të thonë se kjo deklaratë nuk ka asfarë fuqie juridike dhe si e tillë ajo nuk vlen dhe nuk do të implementohet nga qytetarët e Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë dokument, po ashtu, qëndron se institucionet që do të dalin nga zgjedhjet e 17 nëntorit, të cilat i përmendët pak më parë, nuk do të kenë të drejtën e vendimeve lidhur me statusin përfundimtar të Kosovës. Në këtë aspekt çfarë është ndërlidhja ndërmjet këtij dokumenti dhe Kornizës Kushtetuese të Kosovës. Ju keni qënë edhe në kuadër të grupit punues të Kornizës.

BLERIM REKA
Së pari është një interpretim restriktiv që Beogradi, tash sa vite, i bën rezolutës 1244 dhe ai interpretim respektiv mund të përmblidhet në pak fjalë se, gjoja, rezoluta 1244 nuk e lejon, respektivisht e ndalon pavarësinë e Kosovës. Kjo nuk qëndron në tekstin e rezolutës 1244, pra askund në mënyrë eksplicite nuk ndalohet në formë të prerë se nuk do të njihet pavarësia e Kosovës. Këto janë më tepër formulime politike të politikës ditore, që duan të imponojnë një zgjidhje përfundimtare statusore të Kosovës, kundër vullnetit të popullit të saj. Ajo që është në rezolutë dhe që është edhe në kornizën kushtetuese, se deri në gjetjen e zgjidhjes përfundimtare statusore politike për Kosovën, pra askund nuk përmendet negacioni i pavarësisë, Kosova do të administrohet nga rezoluta 1244 dhe nga UNMIK-u, pra, nga administrata e përbashkët ndërkombëtare. Mirëpo as në Kornizën Kushtetuese dhe aq më pak në rezolutën 1244, askund nuk thuhet se ajo do të bashkë-administrohet nga Beogradi, por përkundrazi do të administrohet vetëm nga administrata e Përkohshme ndërkombëtare e krijuar me këtë Rezolutë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.

XS
SM
MD
LG