Ndërlidhjet

NUK ËSHTË FJALA PËR SHKELJE TË REZOLUTËS 1244


"Fundja, edhe kur të vijnë bisedimet rreth statusit përfundimtar të Kosovës, të cilat nuk do të vendosen në këto nivele, por do të duhet të vendoset në një proces të ndërlikuar, do të duhet të kyçet edhe Serbia. Më duket se paniku ka dalë krejtësisht jashtë kontekstit" - thotë, pos tjerash, Veton Surroi, analist dhe botues i së përditshmes prishtinase "Koha Ditore".

RADIO EVROPA E LIRË
Si e vlerësoni ju dokumentin që kohë më parë u nënshkrua ndërmjet kryeadministratorit të Kosovës, Hans Haekkerup dhe autoriteteve të Beogradit dhe cili është sipas mendimit tuaj qëllimi i tij kryesor?

VETON SURROI
Unë mendoj se qëllimi i tij themelor ka qënë në krijimin e kushteve politike që serbët e Kosovës të dalin në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Shikuar nga ky këndvështrim, mendoj se dokumenti është pozitiv, sepse ka krijuar mundësinë që serbët të hyjnë, të kyçen në proces, në sistemin politik kosovar, ta legjitimojnë këtë parlament edhe nga aspekti multietnik dhe që të krijojnë parakushtet themelore për vendosjen e sistemit unik administrativ në Kosovë. Kjo do të thotë që çështja e serbëve të Kosovës të mos trajtohet më si çështje territoriale, por si një çështje e të drejtave të njeriut brenda sistemit politik dhe juridik kosovar. Nga ky aspekt më duket se do të ndihmoj posaçërisht në vendosjen e administratës unike në Mitrovicë, pra dhe në pjesë të tjera të veriut të Kosovës, si dhe në zhdukjen e enklavave si pengesë për vendosjen e tërësisë tokësore kosovare.

RADIO EVROPA E LIRË
Vërejtjet kryesore që i janë bërë këtij dokumenti, kam parasysh kryesisht analistët dhe ekspertët nga Kosova, që i kemi intervistuar në këtë temë, kanë të bëjnë me involvimin e termit Serbi dhe në krijimin e të ashtuquajturit Grup i Lartë. Kjo gjë është komentuar si një përpjekje për riformulimin e rezolutës 1244. Si e shpjegoni ju këtë aspekt?

VETON SURROI
Mendoj se është krijuar një brengë e panevojshme dhe një panik, posaçërisht nga disa njerëz, të cilët nuk e njohin sa duhet problematikën. Nuk është fjala as për shkelje të rezolutës 1244, as për kurrgjë tjetër të ngjashme. Fakti është se ne nuk na pëlqen përmendja e termit Serbi në asnjë dokument. Është po ashtu fakt se Serbia nuk është e përmendur as në rezolutën 1244, mirëpo realiteti është se Serbia do të involvohet në një proces konsultimesh, të cilat Kosova duhet t’i ketë me të gjithë fqinjët e saj. Ne nuk dimë sa çka do të ndodhë me atë që dikush e quan Jugosllavi. Fakti real është se pushteti karshi serbëve qëndron në Beograd, në Serbi, në qeverinë e Serbisë dhe për shumë çështje që kanë të bëjnë, që janë të interesit për Kosovën; psh. lirimin e pengjeve, çështjen e të zhdukurve, çështjen e dëmeve të luftës etj, etj…pra ne duhet të komunikojmë me Serbinë, po ashtu siç duhet të komunikojmë edhe me Malin e Zi. Fundja, edhe kur të vijnë bisedimet rreth statusit, të cilat nuk do të vendosen në këto nivele, por do të duhet të vendoset në një proces të ndërlikuar, do të duhet të kyçet edhe Serbia. Më duket se paniku ka dalë krejtësisht jashtë kontekstit.

RADIO EVROPA E LIRË
A mund të komentohet kjo, a mund të analizohet kjo çështje dhe me aspektin e gjendjes aktuale në marrdhëniet Mali i Zi - Serbia?

VETON SURROI
Po… natyrisht që duhet të analizohet edhe në atë kontekst, prandaj jam angazhuar që komisione të tilla ne duhet të ndërtojmë edhe me të gjithë fqinjët tanë, sepse me të gjithë ata kemi interesa të përbashkët. Kemi dhe disa probleme dhe të gjitha ato duhet të trajtohen.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa i përket rezolutës 1244, ka diskutime skajshmërisht të kundërta. Liderë politikë të Kosovës shumë here kanë vënë në dyshim qëndrueshmërinë e rezolutës, duke thënë se është krijuar një realitet tjetër nga ai që ka ekzistuar kur është miratuar rezoluta. Politikanë nga Beogradi vazhdimisht theksojnë sovranitetin e RFJ-së duke u mbështetur në këtë rezolutë; autoritetet ndërkombëtare, nga ana tjetër, thonë se rezoluta nuk ka mandat ta përcaktoj statusin final të Kosovës. Zoti Surroi si i komentoni ju këto qëndrime dhe si mund të shihet një dalje nga ky rreth magjik?

VETON SURROI
Këto janë çështje të ndryshme dhe ne as që duhet të merremi me rezolutën 1244. Ajo është aty dhe për ta ndryshuar duhet një procedurë shumë e komplikuar dhe një vullnet politik brenda Këshillit të Sigurimit. Atë nuk do ta kemi as tani dhe as në vitet që do të vijnë… Ai vullnet nuk do të krijohet.
Është e vërtetë se rezoluta, vetvetiu, nuk do të zgjidhë problemin e statusit, por do të mundësoj krijimin e procesit ashut siç është e obliguar. Nuk shohë nevojë që tash të shpenzohet energji rreth statusit. Beogradi mund të thotë çfarë të dojë rreth çështjes së sovranitetit, por fakt është se sovraniteti juridik nga aspekti i thjeshtë “de jure” i ështe marrë Beogradit. Ai nuk ka ingerenca juridike mbi Kosovën. Ato ingerenca i ka OKB-ja dhe ashtu do të mbetet derisa të mos vendoset statusi përfundimtar i Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Duke pasur parasyh të gjitha ato që u thanë, çfarë zhvillimi i ngjarjeve mund të pritet në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme të 17 Nëntorit. Çfarë autoriteti do të kenë organet që do dalin nga këto zgjedhje?

VETON SURROI
Organet tona do të kenë autoritet të kufizuar, ashtu siç është e kufizuar edhe Korniza Kushtetuese. Unë jam ndër të rrallët që e kam kritikuar atë me kohë; ajo nuk ofron sa duhet pushtet vendor, por ky do të jetë një proces i ndërtimit të besimit të ndërsjellë mes autoriteteve të zgjedhura kosovare dhe përfaqësuesit special të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, zotit Hakerup këtu.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Surroi, në një editorial në gazetën tuaj “Koha Ditore”, para disa ditësh, keni paraqitur disa vërejtje në adresë të shefit të misionit të OSBE-së në Kosovë, zotit Everts, lidhur me qëndrimin e tij në fushtaën parazgjedhore. Nisur nga ky rast, si i shpjegoni ju qëndrimet e faktorëve ndërkombëtarë karshi vendorëve përfshirë këtu dhe mjetet e informimit?

VETON SURROI
Unë mendoj se ai ka qenë një gabim dhe e kam përshkruar si në eksces. Nuk mendoj se është pjesë e veprimit të përhershëm politik, as të zotit Everts, as të UNMIK-ut në përgjithësi. Unë mendoj se ata kanë bërë një punë të madhe në organizimin e zgjedhjeve lokale, mendoj se po ashtu kanë ndihmuar procesin e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë. Ai ishte një gabim i cili duhej evidencuar si i tillë dhe jo zgjëruar më tutje me probleme të tjera. Mendoj se zoti Everts, atëh,erë do të bënte mirë ta pranonte atë gabim, sepse është involvuar pa nevojë në përkrahjen e njërit prej faktorëve politikë në Kosovë.
XS
SM
MD
LG