Ndërlidhjet

ËSHTË INTERES I QYTETARËVE TË KOSOVËS QË TË VAZHDOJ BASHKËPUNIMI ME FAKTORIN NDËRKOMBËTAR


"Mendoj se tani Kosova ka nevojë për një politikë realiste, pra për një politikë që do të jetë e përgjegjshme para qytetarëve të Kosovës, dhe një politikë e tillë problemet i sheh ashtu siç janë" - tha dr. Arsim Bajrami, nënkryetar i PDK-së.

RADIO EVROPA E LIRË
Jeni takuar zotin Robertson dhe mund të supozohet se njëra nga çështjet e trajtuara ishte dhe dokumenti i nënshkruar para disa ditësh ndërmjet UNMIK-ut dhe autoriteteve në Beograd. Këtë dokument Këshilli i NATO-s e ka vlerësuar pozitivisht. Ju e keni refuzuar tërësisht këtë dokument. Në këto pozita krejtësisht të kundërta çfarë ishte rrjedha e bisedimeve?

ARSIM BAJRAMI
Po ashtu është. Ne kishim një takim më tepër të karakterit informativ me zotin Robertson, në të cilin ne u informuam për zgjedhjet e fundit në Kosovë dhe më gjërë. Në këtë takim shprehëm shqetësimet tona reale rreth dokumentit të fundit të nënshkruar midis zotit Hakerup dhe Beogradit dhe kërkuam nga zoti Robertson, por dhe nga zoti Hakerup, që ishte në mbledhje, që vërtete ai të përmbahet nga çfarëdo marrëveshje e ardhshme, e cila do të implikonte dhe pasoja politike rreth statusit të Kosovës. Ne ripërsëritëm qëndrimin tonë lidhur me marrveshjen e nënshkruar. Janë kornizat e rezolutës 1244, e cila siç dihet, pezullon çdo sovranitet jugosllav mbi Kosovën, derisa është struktuara e Kombeve të Bashkuara këtu në Kosovë. Kërkuam vërtet që pasojat, që mund të sjellë një veprim i tillë, të mos pranohen dhe te mos jenë ligj përsa i përket institucioneve të ardhshme të Kosovës.

RADIO EVROPA E LIRË
Në këtë aspekt cilat ishin qëndrimet e zotit Robertson dhe po ashtu dhe të zotit Haekkerup?

ARSIM BAJRAMI
Zoti Robertson përsëriti qëndrimet e NATO-s. Natyrisht ishte inkurajues fakti që edhe ai përkrahë konceptin që tani është koha e vetëqeverisjes së kosovarëve, pra jo koha e ndërhyrjes së Beogradit në Kosovë. Njëkohësisht unë përshëndeta konstatimin e tij se në kohën deri sa do të jetë KFOR-i dhe UNMIK-u në Kosovë, Serbia dhe shtetet e tjera në rajon, pra edhe Maqedonia, me Kosovën mund të kenë vetëm raporte fqinjësore dhe asgjë më tepër. Ndërkohë të gjithë së bashku përshëndetëm daljen e serbëve në zgjedhje dhe fillimin e procesit të integrimit të tyre. Mirëpo kërkuam që në Kosovë të vendoset vërtet një demokraci e mirëfillltë dhe jo një demokraci parazitore, e cila gjithmonë për minoritetin serb paraqet vetëm koncesione dhe jo obligime përsa i përket funksionimit të demokracisë.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, zoti Thaçi, para do ditësh, tha se megjithatë do të vazhdojë bashkëpunimi i ngushtë me autoritetet ndërkombëtare në Kosovë.

ARSIM BAJRAMI
Po nuk ka dilemë që është interes i qytetarëve të Kosovës që të vazhdojë bashkëpunimi me faktorin ndërkombëtar, meqënëse Kosova ka hyrë tani në një proces ndërkombëtar dhe mund të realizoj aspiratat e veta vetëm në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar. Mirëpo është shumë me rëndësi që pas zgjedhjeve dhe fillimit të funksionimit të institucioneve të sqarohet roli dhe pozicioni i faktorit ndërkombëtar. Ne mendojmë se faktori ndërkombëtar tani duhet të bartë qeverisjen gradualisht te kosovarët dhe duhet të ndërtohen vërtet institucione funksionale me pjesëmarrjen aktive të të gjithë qytetarëve, pra dhe të minoritetit serb. Njëkohësisht faktori ndërkombëtar duhet të pezullojë çdo veprim me të cilin do të legjitimohet Serbia apo Jugosllavia si palë me interes në proceset politike, në këtë fazë të zhvillimit të vetëqeverisjes, pasi edhe vetë mandati i Kombeve të Bashkuara është i atillë që nuk u lejon sovranitet serbëve dhe jugosllavëve edhe pse formalisht njihet një integritet i tillë. Pra ne do të kërkojmë që vërtetë UNMIK-u në funksionimin e vetëqeverisjes, të luajë rolin që edhe duhet ta ketë në Kosovë.

RADIO EVROPA E LIRË
T’i kthehemi dokumentit. Shumë analistë dhe ekspertë në Kosovë kanë thënë se involvimi i termit Serbi në këtë dokument, synon, në një mënyrë, riformulimin e rezolutës 1244. Liderë politikë të Kosovës po ashtu shumë herë kanë vënë në dyshim qëndrueshmërinë e rezolutës, duke thënë se është krijuar një realitet krejtësisht tjetër. Si i komentoni ju këto pikëpamje dhe qëndrime?

ARSIM BAJRAMI
Unë do të jap një shpjegim profesional. Rezoluta 1244 njeh vetëm formalisht integritetin territorial të Jugosllavisë. Por, ky integritet është pezulluar me qënien e strukturës së Kombeve të Bashkuara në Kosovë. Ndërkaq, në rezolutë, askund nuk përmendet nocioni Serbi. Përpos kësaj, dokumenti përmban edhe mjaft zgjidhje të tjera politike që drejtpërdrejt mund të reflektojnë pozicionin e papërshtatshëm të Kosovës për statusin e saj final dhe politik. Kështu që ne mendojmë që duhet vërtet te rindërtojmë një pozicion unik, jo pozicion të një partie, një pozicion unik politik, i cili do ishte një refuzim parimor dhe kategorik i çdo implikimi të Serbisë në këto procese. Njëkohsisht mendoj që edhe pakica serbe duhet të ndërgjegjësohet. Ne i kemi dhënë një ofertë shumë të përshtatshme kushtetuese për pjesëmarrjen e saj në jetën politike. Ajo duhet të drejtat e veta legjitime t’i kërkoj dhe t’i realizoj brenda institucioneve të Kosovës, e kurrsesi duke qënë instrument i politikës serbe dhe duke krijuar realitete faktikisht që mund të implikojnë dhe zgjidhjen finale për Kosovën.

RADIO EVROPA E LIRË
Pak më parë përmendët faktin e bashkëpunimit të partive politike në Kosovë dhe qëndrimin e tyre karshi këtij dokumenti, do të thotë qëndrimin e tyre të përbashkët. Si e vlerësoni në këtë aspekt bashkëpunimin e tyre aktual?

ARSIM BAJRAMI
Fatkeqësisht edhe tani nuk kemi gatishmëri që kjo të kuptohet si çështje që tejkalon ato limitet partiake apo interesat e ngushta. Mendoj se është një çështje vërtet parimore. Fatkeqësisht tani një pozicion i tillë duhet të ndërtohet në kohën e fushatës, kur çdo gjë mendohet se ka edhe implikime politike. Unë mendoj se pas zgjedhjeve do të sfidohemi si kosovarë dhe si shqiptarë, vërtet për të ndërtuar pozicione unike në çështjet me interes kombëtar, siç është edhe kjo, por siç na presin edhe shumë çështje të tjera, për të cilat duhet të koncipojmë një politikë unike shtetformuese.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Bajrami për fund të bisedës si e shihni zhvillimin e mëtejmë të ngjarjeve në Kosovë

ARSIM BAJRAMI
Mendoj se tani Kosova ka nevojë për një politikë realiste, pra për një politikë që do të jetë e përgjegjshme para qytetarëve të Kosovës, dhe një politikë e tillë problemet i sheh ashtu siç janë. Pra do të ndeshemi me mjaft sfida, me mjaft kufizime. Procesi i qeverisjes së Kosovës është mjaft i kontrolluar me rezolutën 1244, por edhe me kornizën kushtetuese dhe vetëm me një qasje të ndërgjegjshme, me një sistem të qeverisjes së përbashkët, me një qeverisje profesionale, me një qeverisje që dinë të identifikojë interesat madhore ndaj atyre parciale, ne mund të sfidojmë edhe kornizën kushtetuese. Unë mendoj që mund të sfidojmë edhe rezolutën 1244 dhe vetëqeverisjen që parashihet për Kosovën, ta shndërrojmë në një proces të shtet-krijimit dhe shpresoj që, në një të afërme jo të largët, edhe të njohjes së plotë të pavarësisë së Kosovës.



XS
SM
MD
LG